BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Përfundon seminari i Bankës së Shqipërisë për edukimin ekonomiko-financiar të punonjësve socialë të kryeqytetit

Data e publikimit: 16.06.2008

 

Në punën e Bankës së Shqipërisë, vitet e fundit, ka zënë gjithmonë e më shumë vend përpjekja për krijimin e një kulture të re në publikun shqiptar, atë ekonomike e financiare. Me këtë qëllim në vetvete, është ideuar programi "Banka Qendrore në jetën e përditshme", i cili përveç masave dhe veprimeve konkrete për të arritur objektivat edukativë, ka përcaktuar edhe grupet e interesit në të cilët do të fokusohet puna edukuese e programit. Meqenëse nuk është e lehtë të arrihet i gjithë publiku i gjerë njëherësh, Banka e Shqipërisë ka përzgjedhur ato grupe, të cilat për nga natyra e formimit të tyre funksionojnë si përçues të ideve dhe kulturës, ose si ndërmjetës për pjesën tjetër të shoqërisë. Grupet e para të prekura nga programi kanë qenë ato të gazetarëve ekonomikë të medias së shkruar dhe asaj vizuale, mësuesit e ekonomisë së shkollave të mesme, nxënësit dhe studentët, dhe së fundmi janë përzgjedhur edhe punonjësit socialë.

Siç paraqitet edhe në literaturën bashkëkohore të fushës, grupi i punonjësve socialë, për nga profesioni që kryen ka kontakte relativisht të shpeshta me përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore. Për këtë ai mund të formojë një urë lidhëse komunikimi me një pjesë relativisht të madhe të shoqërisë tonë. Ndaj, Banka e Shqipërisë organizoi një seminar trainues në fushën ekonomiko-financiare, i cili kishte për qëllim t'i ndihmonte ata të kuptonin dinamikat e funksionimit të ekonomisë së tregut dhe rolin e bankës qendrore në të. Ky aktivitet i ndjekur nga rreth 60 punonjës socialë, u zhvillua për disa të hëna rresht dhe u finalizua sot, më datë 16 qershor në ambientet e hotel "Tirana International", me ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.

guvernatori ne takimin 3

Një vlerësim për pritshmëritë që ka Banka e Shqipërisë nga ky grup, erdhi edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë aktivitet u shpreh se "...ne duam që ju të jeni "ambasadorë të Bankës së Shqipërisë"në vendet tuaja të punës. Sa më shumë prej njerëzve që ju kontaktoni për shkak të profesionit tuaj, gjejnë një përgjigje të thjeshtë edhe rreth misionit të Bankës qendrore, aq më të ndihmuar jemi ne në punën tonë.".

Banka e Shqipërisë falënderon edhe Drejtorinë Arsimore të rrethit të Tiranës për mbështetjen që i kanë dhënë Bankës së Shqipërisë për realizimin e këtij programi.