BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Përmbledhje e njoftimit për shtyp të Fondit Monetar Ndërkombëtar pas mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të datës 2 shkurt 2007

Data e publikimit: 05.02.2007

 

Në mbledhjen e tij të datës 2 shkurt 2007, Bordi Ekzekutiv i FMN-së përfundoi rishikimin e dytë të performancës së Shqipërisë lidhur me zbatimin e marrëveshjes tre vjeçare PRGF/EFF.

Përfundimi i këtij rishikimi mundëson tërheqjen nga ana e Shqipërisë të shumës prej 2.4 milion SDR (rreth 3.6 milion USD), duke e çuar totalin e disbursimeve në 7.3 milion SDR (rreth 10.9 milion USD).

Marrëveshja tre vjeçare PRGF/EFF me një vlerë prej 17.045 milion SDR (rreth 25.5 milion USD) ka hyrë në fuqi në datën 1 shkurt 2006.

Në vijim të diskutimeve të bordit lidhur me kërkesën e Shqipërisë, z. Murilo Portugal, Zv. Drejtor i FMN-së dhe Kryetar i radhës theksoi se:

  • Performanca makroekonomike e Shqipërisë ka qëndruar e fortë, inflacioni është i ulët, pozicioni i jashtëm është përmirësuar dhe rritja ekonomike gjithashtu është ngritur. Këto zhvillime të favorshme lidhen me politikat e duhura makroekonomike dhe angazhimin e vazhdueshëm në zbatimin e programit. Në të ardhmen, për ruajtjen e këtyre arritjeve dhe reduktimin e mëtejshëm të varfërisë do të nevojiten reforma më të shumta strukturore, të cilat do të shtojnë normën e rritjes ekonomike.
  • Autoritetet kanë treguar vullnet për ruajtjen e disiplinës fiskale dhe janë duke zbatuar një program fiskal i cili synon reduktimin e borxhit publik. Në të njëjtën kohë, autoritetet janë duke financuar projekte prioritare në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim. Masat e sigurisë të planifikuara për kufizimin e rreziqeve fiskale të lidhura me zbatimin e projekteve të mëdha janë të përshtatshme. Zbatimi i plotë i këtyre masave, për të mbrojtur shpenzimet e tjera prioritare në rast të tejkalimit të kostove në projektet e mëdha rrugore, do të jetë i një rëndësie thelbësore.
  • Kuadri ekzistues i politikës monetare, i cili përfshin një bankë qendrore të pavarur dhe regjim të lirë të kursit të këmbimit, mbetet i përshtatshëm. Autoritetet janë të gatshme për të hartuar politika të cilat do të mbajnë një inflacion të ulët, siç e tregoi edhe rritja e normës së interesit në muajin nëntor.
  • Masat e fundit të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në forcimin e kuadrit rregullator dhe prudencial do të reduktojnë më tej rreziqet që vijnë nga rritja e shpejtë e kreditimit.
  • Në sektorin financiar jo bankar, krijimi i një autoriteti të vetëm dhe të pavarur mbikëqyrës është një hap i rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të cilësisë së mbikëqyrjes së kujdesshme. Përpjekje të vazhdueshme nevojiten për të rritur kapacitetet e autoritetit të ri, përfshi sigurimin e burimeve të mjaftueshme.
  • Është shënuar progres në reformat strukturore, veçanërisht në administrimin e taksave. Në vijim, autoritetet do të rishikojnë aktivitetet e policisë tatimore. Në sektorin energjetik, IFC është zgjedhur si këshilltare për privatizimin e sektorit të shpërndarjes së KESH-it. Nevojitet bashkërendimi i përpjekjeve për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike si dhe për të përmirësuar performancen financiare të kompanisë. Përshpejtimi i privatizimeve në sektorë të tjerë si telekomunikacioni dhe sigurimet është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Autoritetet inkurajohen të punojnë edhe në drejtim të eliminimit të dobësive në statistikat zyrtare.