BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Përpjekje më të mëdha nevojiten për të promovuar praktikat e financës së përgjegjshme - Konferencë mbi Financën e Përgjegjshme në Shqipëri, e organizuar nga Banka e Shqipërisë, KfW Entwicklungsbank dhe EFSE

Data e publikimit: 23.03.2010

 

Tiranë, 23 mars 2010 – Gjatë një konferencë ndërkombëtare të mbajtur sot në Tiranë, përfaqësues të sektorit financiar dhe qeverisë shqiptare, të agjencive donatore, të institucioneve financiare ndërkombëtare si dhe praktikues të mikrofinancës në Shqipëri, bënë thirrje për përpjekje më të mëdha për të promovuar praktikat dhe parimet e financës së përgjegjshme në Shqipëri. Kjo konferencë u organizua nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me KfW Entwicklungsbank (Banka Gjermane e Zhvillimit) dhe Fondin Evropian të Mikrofinancës për Evropën Juglindore (EFSE).

Gjatë viteve të kaluara, sektorët financiarë dhe mikrofinanciarë në rajonin e Evropës Juglindore, përfshi dhe Shqipërinë, kanë përjetuar norma të larta rritjeje ekonomike. Ndërmarrjet dhe individët tani kanë akses më të mirë në shërbimet financiare. Sidoqoftë, panelistët pjesëmarrës në këtë konferencë, theksuan se pavarësisht këtyre ndikimeve pozitive, trendi rritës ka treguar edhe natyrën e tij rënëse – praktika jotransparente kreditimi, vendosja jotransparente e çmimit të produkteve financiare dhe publicitet jo i qartë – duke vënë në rrezik shumë klientë për një borxh më të madh.

Panelistët gjithashtu theksuan nevojën që ti kushtohet një vëmendje më e madhe rrezikut të kursit të këmbimit, që shoqëron vlerësimin apo zhvlerësimin e monedhës dhe kreditë e indeksuara në valutë. Veçanërisht në mjedise të ndryshueshme, luhatjet e kursit të këmbimit mund të rrisin barrën e kredisë në valutë për kredimarrësit e tyre.

Konferenca gjithashtu bëri thirrje për rritjen e edukatës financiare si një komponent i rëndësishëm për sigurimin e një aksesi të drejtë dhe të barabartë në shërbimet financiare dhe kredituese. Për shembull në Shqipëri, një studim i kryer nga EFSE mbi financimin rural, tregoi se pjesa më e madhe e ndërmarrjeve rurale të intervistuara (84%) perceptojnë se procesi i marrjes së një kredie nga institucionet financiare është sfidues.

Në fjalën e tij të hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani u shpreh: “Financa e përgjegjshme nuk mund të kuptohet si një fenomen dhe përgjegjësi që duhet lënë në dëshirën e pjesëmarrësve të tregut. Ajo duhet të kuptohet jo vetëm si një e drejtë, por edhe si një detyrim për të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Nëse pranon këtë parim atëherë duhet të bëhesh nxitës dhe promotor dhe ky është edhe pozicioni që Banka e Shqipërisë ka marrë në këtë drejtim. Financë e përgjegjshme është termi më i mirë për të përmbledhur në një emërtim të vetëm, përpjekjet e gjithanshme të Bankës së Shqipërisë gjatë 3-4 viteve të fundit në drejtim të mbikëqyrjes bankare dhe financiare, politikës monetare dhe edukimit të publikut”.

Duke theksuar këtë, Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, u shpreh: “Kjo është koha e duhur për të folur rreth financës së përgjegjshme në rajon, ashtu si kudo tjetër. Kriza e fundit në tregjet financiare u shkaktua kryesisht nga praktikat e papërgjegjshme të kreditimit dhe nga një mbikëqyrje e limituar nga ana e autoriteteve rregullatore financiare. Nga kjo pikëpamje, institucionet rregullatore, fiskale dhe monetare së bashku, duhet të hartojnë dhe zbatojnë me mjaft kujdes masa specifike që kanë për qëllim parandalimin e financës së papërgjegjshme në të ardhmen. Pavarësisht se sektori bankar shqiptar ishte i mirëmonitoruar dhe mirëmbikëqyrur gjatë krizës financiare, në mund të nxjerrim mjaft mësime nga ato çka ndodhën në rajon dhe më gjerë dhe mund të marrim masa për të krijuar një mjedis kreditues sa më transparent dhe sa më rezistent ndaj dështimit që të jetë e mundur. Kjo konferencë përbën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.”

Z. Roland Siller, Zëvendëspresidenti i KFW, theksoi rëndësinë e konsiderimit të financës së përgjegjshme si një çështje reale shumëplanëshe për KFW, e cila është në qendër të praktikave të shëndosha të biznesit. Disiplina e keqe si dhe standardet e ulëta në kreditim kanë çuar në një përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë, e cila është vënë re në disa vende të Evropës Lindore, një fenomen që nuk mund të shpjegohet vetëm me krizën, por që ekzistonte përpara se të fillonin efektet e krizës. "Ne jemi të kënaqur të shohim se Shqipëria nuk është në mesin e vendeve që vuajnë nga shkeljet e praktikave dhe standardeve, por tani ka ardhur koha e duhur për të bërë një përzgjedhje rigoroze të klientit, një trajtim të drejtë të tij, një transparencë të kushteve të kredisë, si dhe për të publikuar broshura për të rritur edukimin financiar të klientit, "tha Siller.

Zj. Sylvia Wisniwski, Drejtorja Operative e Përgjithshme e EFSE, dhe Menaxhere e Fondit Këshillimor të EFSE-s “Finance in Motion GmbH”, theksoi se transparenca dhe trajtimi i drejtë të klientëve janë në thelb të çdo transaksioni financiar. "Shkaqet e krizës globale financiare shtrihen në praktikat e kreditimit të papërgjegjshëm, dhe efektet e krizës, të cilat tashmë kanë ndikuar negativisht ekonominë reale, po ndihen në gjithë botën nga miliarda njerëz. Kjo është arsyeja pse EFSE është e angazhuar në mbështetjen e praktikave të financave të përgjegjshme në të gjitha nivelet: të sektorit financiar, të institucioneve të veçanta financiare, të investitorëve dhe klientëve."

EFSE është një lider në promovimin e praktikave të financave të përgjegjshme. Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për këto çështje, EFSE, së bashku me KfW dhe bankat qendrore në rajonin tonë, organizon seminare dhe konferenca. Ky aktivitet në Tiranë është paneli i katërt i diskutimit mbi financën e përgjegjshme mbështetur nga EFSE. Panele të tjera të ngjashme janë organizuar në Serbi, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Për të mbështetur praktikat e përgjegjshme kredituese në mikrofinancë, EFSE është gjithashtu një nga nënshkruesit e Parimeve Mbrojtëse të Klientit për Mikrofinancën të programit “Fushatë e zgjuar ", e cila promovohet nga CGAP.

Prezantimet e mbajtura në këtë aktivitet mund të shkarkohen në formatin PDF në faqen e internetit: http://www.efse.lu/

Fotot mund të merren duke kontaktuar në adresën e emailit: [email protected]

Rreth Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë është banka qendrore e Republikës së Shqipërisë. Ky statut është ratifikuar nga neni 161 të Kushtetutës dhe ligji nr 8269, datë 27.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", ndryshuar, i cili përcakton objektivat, detyrat, marrëdhëniet me sistemin bankar, organizimin dhe drejtimin, pronësinë mbi kapitalin, pasqyrat financiare dhe shpërndarjen e fitimit. Banka e Shqipërisë është institucioni i vetëm në Republikën e Shqipërisë përgjegjës për dizenjimin, hartimin, aprovimin dhe zbatimin e politikës monetare. Kjo politikë është hartuar në funksion të përmbushjes së objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit. Një funksion tjetër i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë është të sigurojë stabilitetin e sistemit bankar që ka qenë një nxitës dhe mbështetës i rritjes ekonomike të vendit. Banka e Shqipërisë gëzon të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës kombëtare, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë; të shërbejë si këshilltar dhe agjent fiskal i Qeverisë si dhe garanton funksionimin e duhur të sistemit të pagesave. Me atributin e autoritetit monetar e mbikëqyrës të vendit, Banka e Shqipërisë gëzon të gjitha funksionet autentike e një banke qendrore moderne.

Rreth Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE)

Me një portofol investimi prej 578 milionë euro (deri në 31 dhjetor 2009), EFSE është fondi më i madh i mikrofinancës për investime në botë. Me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit në rajonin e Evropës Juglindore, ky fond ofron instrumente financimi afatgjatë për institucionet financiare lokale të kualifikuara për dhënien e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe individët me të ardhura të ulëta. Që prej krijimit të tij në dhjetor të vitit 2005, Fondi ka mundësuar rreth 200,000 kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe individë, me një total prej 1 miliardë euro. EFSE gjithashtu drejton “Ndihmën për Zhvillim”, ku me anë të granteve përkatëse ofron konsulencë teknike dhe trajnime për të përforcuar institucionalisht partnerët e tij kreditues. Iniciuar nga KfW, EFSE është një kompani investimi që bie nën juridiksionin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, në formën e një kompanie publike të kufizuar, e cilësuar si një kompani investimi me kapital tw ndryshueshëm ("SICAV-SIF"). Si partneriteti i parë publik-privat në llojin e vet, EFSE kombinon fondet publike dhe investimet private. Baza e investitorëve përbëhet nga donatorë dhe institucione ndërkombëtare financiare, duke përfshirë: Komisionin Evropian, Ministrinë Federale Gjermane për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik (BMZ), qeveritë e Austrisë, Zvicrës, Danimarkës dhe Shqipërisë, KfW, IFC, Kompaninë Holandeze Financiare të Zhvillimit FMO, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Bankën Austriake të Zhvillimit (OeEB). Përveç kësaj, investitorët privatë, të tilla si Sal. Oppenheim dhe Deutsche Bank, kontribuojnë në fondin e financimit. EFSE është një fond investimesh, i menaxhuar privatisht, me “Oppenheim Asset Management Services S.à r.l. - Luksemburg”, si menaxher të fondeve dhe “Finance in Motion GmbH – Gjermani”, si këshilltar.

Për më shumë informacion, lutemi vizitoni www.efse.lu.