BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 11.05.2022

 

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Në fillim, më lejoni t’ju falënderoj për vlerësimin që më dhatë, duke më besuar një mandat të dytë si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ju siguroj se llogaridhënia dhe dialogu konstruktiv midis institucioneve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen. 

Në fjalën time sot, do t’ju paraqes punën dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të shkuar, si në drejtim të përmbushjes së detyrave të saj ligjore, ashtu dhe në drejtim të respektimit të rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 dhe të jetësimit të angazhimeve të saj institucionale.

 DSC9985 498

Megjithatë, duke përfituar nga kjo mundësi, dëshiroj të ndaj me ju edhe këndvështrimin tonë mbi sfidat me të cilat po përballemi në realitetin e ri ekonomik, të shkaktuar nga sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës. Ky zhvillim ka sjellë një rritje galopante të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe duke rritur kostot e prodhimit të bizneseve. Për më tepër, konflikti i armatosur ka shtuar pasiguritë dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit, të cilët po ndikohen edhe nga kufizimet e vendosura rishtas ndaj valëve të reja të pandemisë në Azi.

Kjo goditje me ndikim të dyfishtë – në rritje për çmimet dhe në rënie për aktivitetin ekonomik – do të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare. Ajo pritet të sjellë norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike në Shqipëri krahasuar me vlerësimet tona përpara fillimit të luftës.

 DSC0147 498

Megjithatë, trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit pritet të mbetet i pacenuar në afatin e mesëm dhe të gjatë. Bazuar në informacionin aktual, ne presim që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim. Ky gjykim mbështetet në gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, në ekuilibrat e konsoliduar ekonomikë dhe financiarë, si dhe në vijimin e një miksi stimulues politikash monetare e fiskale. Nga ana tjetër, ne parashikojmë që inflacioni të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023, në linjë me reduktimin e pritur të presioneve në tregjet botërore, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Këto projeksione mbështeten në tre konsiderata të rëndësishme.

 DSC0028 498

Së pari, ato supozojnë mospërshkallëzimin e konfliktit dhe vijimin e rritjes në partnerët tanë tregtarë.

Së dyti, ato faktorizojnë bazat solide në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare pas rimëkëmbjes së gjithanshme të vitit 2021. Në mënyrë të përmbledhur, më lejoni të theksoj se ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2021 me parametra të përmirësuar ekonomikë e financiarë. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit, punësimi u zgjerua dhe rritja e pagave u përshpejtua. Në tërësi, bilancet e sektorit privat u përmirësuan, stabiliteti monetar dhe financiar i vendit u konsolidua, dhe tregjet financiare funksionuan normalisht. Në veçanti, sektori bankar ruajti tregues të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe rentabiliteti.

Së treti, ato kërkojnë rishikimin e vazhdueshëm të miksit të politikave ekonomike. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, këto politika duhet të vijojnë të ofrojnë mbështetje për procesin e rimëkëmbjes, por pa paragjykuar për asnjë moment stabilitetin monetar e financiar të vendit. Ky stabilitet ka qenë dhe mbetet një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë.

Përmbushja e këtij objektivi sot, ndryshe nga më parë, kërkon adresimin e rreziqeve për rritjen e inflacionit.

 DSC9871 498

Nisur nga sa më sipër, politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë të udhëhiqet nga respektimi i objektivit parësor të saj: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në këtë frymë, ne vendosëm të rrisim normën bazë të interesit në muajin mars, duke e kthyer atë në nivelin e parapandemisë prej 1%.

Nga ana tjetër, politika fiskale duhet të vijojë të ofrojë mbështetje financiare për shtresat me të ardhura të ulëta të shoqërisë dhe për sektorët më të ekspozuar ndaj goditjes. Megjithatë, kjo mbështetje duhet të financohet nga të ardhurat shtesë të siguruara nga rritja e çmimeve dhe nga rishikimi i shpenzimeve joprioritare. Në këtë mënyrë, efektiviteti i ndërhyrjes nuk do të dëmtojë treguesit e borxhit publik.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Konflikti ka shtuar pasiguritë për të ardhmen. Shkalla e ndikimit të tij do të varet nga kohëzgjatja e konfliktit dhe shtrëngimi potencial i sanksioneve ndaj Rusisë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se rreziqet ndaj inflacionit janë të përqendruara për lart dhe ato ndaj rritjes ekonomike për poshtë.

Në këtë mjedis ekonomik kompleks, roli i politikave monetare dhe fiskale mbetet kritik. Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë ecurinë e inflacionit dhe nuk do të hezitojë të reagojë, në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Kursi i politikës monetare pritet të fillojë rrugën e normalizimit gradual gjatë vitit 2022. Ky qëndrim ofron një balancë të përshtatshme midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të ngadalësimit të rritjes ekonomike.

Në vijim të fjalës sime do të ndalem shkurtimisht në drejtimet kryesore të punës sonë gjatë vitit 2021 dhe rezultatet e saj.

***

  1. Ecuria ekonomike dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Ekonomia shqiptare u rimëkëmb me hapa të shpejtë gjatë vitit 2021. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 8.5%, pas tkurrjes me 3.5% gjatë vitit 2020. Rritja e shpejtë ekonomike pasqyroi reduktimin e masave kufizuese, rritjen e besimit, përmirësimin e ambientit të huaj, si dhe stimujt monetarë dhe fiskalë. Këta faktorë i hapën rrugë zgjerimit të shpejtë të kërkesës për mallra e shërbime.

Rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pati disa karakteristika, të cilat ilustruan fleksibilitetin e ekonomisë sonë dhe janë premisa inkurajuese për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në vijim.

Më lejoni të ndalem në disa prej tyre:

  • Rimëkëmbja ishte me bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate, ajo pasqyroi rritjen e konsumit dhe të investimeve private, zgjerimin e eksporteve të mallrave e të shërbimeve, si dhe kontributin pozitiv të stimulit fiskal. Në terma sektorialë, ajo pasqyroi zgjerimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë.
  • Rimëkëmbja u shoqërua me rritje të punësimit dhe të pagave, duke përmirësuar bilancet financiare të familjeve. Rritja e punësimit mundësoi rënien e shkallës së papunësisë në 11.4% në fund të vitit, duke qëndruar pranë niveleve të parakrizës. Në reflektim të tyre, pagat njohën ritme të larta rritjeje, në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
  • Rimëkëmbja ishte e plotë. Si ekonomia në tërësi ashtu dhe sektorët e saj individualë në veçanti, kanë tejkaluar nivelet e prodhimit dhe të të ardhurave që siguronin në periudhën para pandemisë dhe tërmetit të vitit 2019. Ky zhvillim ilustron rikuperimin e shpejtë të kërkesës dhe ndikimin e pakët strukturor që këto goditje patën në strukturën prodhuese të ekonomisë.
  • Rimëkëmbja pasqyroi kontributin pozitiv të të gjithë aktorëve ekonomikë. Së pari, përgjigjja e bizneseve dhe familjeve tregoi se ata gëzonin si bilance relativisht solide, ashtu edhe fleksibilitet e gatishmëri për t’iu rikthyer sjelljes së tyre normale ekonomike. Së dyti, përgjigjja e autoriteteve publike ishte e shpejtë, e përshtatshme dhe efikase, çka lehtësoi barrën financiare të goditjes mbi bizneset dhe familjet shqiptare, duke i hapur rrugë rimëkëmbjes. Së treti, sektori bankar vijoi të financojë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve, duke përmirësuar në të njëjtën kohë treguesit e tij të fitimit dhe të likuiditetit.
  • Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, rimëkëmbja u shoqërua me përmirësim të ekuilibrave ekonomikë e financiarë të vendit. Pozicioni i huaj dhe ai fiskal i vendit u përmirësan dhe treguesit kryesorë të shëndetit financiar u konsoliduan. Deficiti i llogarisë korrente zbriti në një nivel mesatar prej 7.7% të PBB-së gjatë vitit 2021, kundrejt nivelit 8.7% të regjistruar një vit më parë. Në sferën fiskale, kombinimi i rritjes ekonomike me rënien e deficitit buxhetor ndihmoi rënien e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së në 73.2%, nga 74.5% të regjistruar në vitin 2020.

Rritja progresive e kërkesës për mallra e shërbime mundësoi rritjen e punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit, duke u pasqyruar në një trend rritës të inflacionit në linjë me objektivin tonë. Inflacioni mesatar rezultoi në nivelin 2.0% në vitin 2021, kundrejt vlerës 1.6% të një viti më parë. Nga ana tjetër, rritja e shpejtë e çmimeve në tregun ndërkombëtar e shtyu inflacionin në nivelin 3.7% në muajin dhjetor 2021 dhe 5.7% në muajin mars 2022.

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Pa ju marrë shumë kohë, më lejoni të ndalem tek roli që ka luajtur Banka e Shqipërisë në procesin e rimëkëmbjes, si në drejtim të rritjes ekonomike, ashtu dhe në atë të ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar.

Politika monetare vijoi të mbetet në kahun stimulues edhe gjatë vitit 2021. Norma bazë e interesit mbeti në nivelet e veta më të ulëta historike, prej 0.5%, ndërsa vëllimi i likuiditetit të injektuar në sistem u rrit. Paralelisht me to, Banka e Shqipërisë vijoi të orientojë tregun mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen, duke reduktuar pasigurinë në tregjet financiare.

Kursi stimulues i politikës monetare siguroi një ambient me kosto të ulëta financimi dhe kushte të përshtatshme kreditimi. Tregjet financiare funksionuan normalisht dhe u karakterizuan nga likuiditet i bollshëm dhe prime të kontrolluara rreziku. Transmetimi efektiv i stimulit monetar ka mbajtur në nivele të ulëta normat e interesit të kredisë për sektorin privat dhe atë publik. Po ashtu, kursi i këmbimit ishte relativisht i qëndrueshëm, në pasqyrim të balancës së kërkesës dhe ofertës për valutë.

Ky ambient mundësoi një rritje të qëndrueshme të kredisë. Vëllimi i kredisë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 8.4% gjatë vitit 2021 - norma më e lartë e rritjes prej vitit 2012. Përtej rritjes së përgjithshme të portofolit, dinamikat e kreditimit mbartën sinjale të tjera pozitive. Së pari, rritja e portofolit të kredisë shkoi më së shumti për financimin e investimeve të bizneseve dhe për kredi hipotekare, duke sinjalizuar rritjen e investimeve të sektorit privat dhe një situatë në përmirësim të likuiditetit të tij. Së dyti, kredia në monedhën vendase vijoi të ruajë norma të larta rritjeje, duke u reflektuar në rritjen progresive të peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky zhvillim krijon premisa për një përcjellje më të mirë të stimulit monetar dhe një rezistencë më të lartë të sistemit bankar ndaj rreziqeve. Së treti, cilësia e portofolit të kredisë për sektorin privat erdhi drejt përmirësimit, sikundër ilustrohet nga rënia progresive e treguesit të kredisë me probleme.

Vlerësimet tona empirike tregojnë se kursi stimulues i politikës monetare ka kontribuuar me rreth 1.3 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vitit 2021. Ky kontribut vjen si rezultat i normave të ulëta të interesit, i primeve të ulëta të rrezikut, i kreditimit të vazhdueshëm të ekonomisë dhe i rritjes së konkurrencës së eksporteve shqiptare. Nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate dhe shfrytëzimit më të mirë të potencialeve prodhuese, stimuli monetar ka kontribuuar pozitivisht në stabilitetin e çmimeve.

Më lejoni tani të ndalem në çështjet e stabilitetit financiar dhe të mbikëqyrjes e rregullimit bankar. 

 

  1. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Sistemi bankar u karakterizua nga një ecuri pozitive gjatë vitit 2021. Gjatë periudhës së pandemisë, sistemi bankar tregoi se ishte një partner serioz në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit, duke mbajtur përsipër një pjesë të barrës së kostove. Viti 2021 konfirmoi se ky sektor ka aftësi të larta rezistence, falë politikave makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë, zbatimit të një kuadri të shëndoshë mbikëqyrjeje dhe përmirësimit të vazhdueshëm së sistemeve të kontrollit të bankave.

Veprimtaria financiare e sistemit bankar ishte e qëndrueshme, investimet e tyre janë zgjeruar, cilësia e portofolit të aktiveve është përmirësuar dhe normat e fitimit kanë njohur rritje. Rezultati financiar ishte pozitiv dhe rreth 29% më i lartë nga një vit më parë; niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit mbeti në nivelin 18% dhe ndjeshëm mbi limitin rregullator; dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 5.6% në fund të vitit, nga 8.1% një vit më parë, duke shënuar dhe normën më të ulët të dekadës së fundit. Ekspozimi i aktivitetit të sektorit bankar ndaj rreziqeve mbetet i kontrolluar. Ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë se aftësia e sektorit bankar për të përballuar humbjet që burojnë nga materializimi i goditjeve të pafavorshme në sektorin real dhe financiar mbetet e fortë.

Këto rezultate pozitive nuk kanë ulur vëmendjen tonë ndaj forcimit të mbikëqyrjes së bankave dhe përmirësimit të kuadrit makroprudencial. Më poshtë, do të rendis shkurtimisht disa nga prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

Çelja e procesit të ekuivalentimit të kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me atë të BE-së. Ky proces synon të certifikojë shkallën e konvergjencës së kuadrit tonë rregullator dhe të praktikave tona mbikëqyrëse me ato të Bashkimit Evropian. Me asistencën teknike të ekspertëve ndërkombëtare, gjatë vitit 2021 u krye një vlerësim i pavarur i kuadrit mbikëqyrës në vend, i cili konkludoi se Shqipëria gëzon një nivel të lartë ekuivalence me standardet e Bashkimit Evropian. Tashmë, Banka e Shqipërisë ka kërkuar pranë Komisionit Evropian nisjen e procesit formal të ekuivalencës.

Zbatimi i rekomandimeve të Komitetit të MONEYVAL, në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Banka e Shqipërisë është e përfshirë në planin kombëtar të masave për parandalimin e pastrimit të parasë dhe të financimit të terrorizmit, duke pasur përgjegjësi për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe forcimin e efektivitetit të procesit mbikëqyrës. Në këtë kuadër, ajo ka vijuar inspektimet në vend për çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, me një fokus të veçantë në çështjet e financimit të terrorizmit dhe të zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare. Inspektimet kanë targetuar bankat, subjektet financiare jobanka (SFJB) dhe zyrat e këmbimit valutor (ZKV).

Përmirësimi i kuadrit rregullator për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorit. Duke parë përshpejtimin e kreditimit të konsumatorëve, veçanërisht nga subjektet financiare jobanka, Banka e Shqipërisë ndërmori një iniciativë për forcimin e kuadrit rregullator për kreditë konsumatore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit nga vendosja e normave të larta dhe të pajustifikuara të interesit për këto kredi. Ndryshimet prezantojnë për herë të parë konceptin e një kufiri maksimal të lejuar të normës efektive të interesit dhe të penaliteteve që zbatohen për klientët e kredive konsumatore. Për realizimin e këtyre ndryshimeve, u ndoqën praktikat më të mira nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ndryshime janë bërë edhe në kuadër të transparencës së produkteve bankare, ku me procesin gradual të zëvendësimit të referencës për normat e interesit të produkteve bankare, siç janë LIBOR, EURIBOR etj., bankat duhet të rrisin shkallën e informimit për huamarrësit. Ndryshimet e miratuara në rregulloren përkatëse, e konturojnë këtë informim me baza ligjore në marrëdhëniet kontraktore.

Përafrimi rregullator e metodologjik me standardet ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për përmirësimin e kuadrit rregullator mbikëqyrës, me synim përafrimin e tij me acquis të BE-së, parimet e Komitetit të Bazelit dhe me praktikat më të mira të mbikëqyrjes bankare. Rishikimi i rregulloreve ka pasur në fokus përshtatjen me rregulloret më aktuale të BE-së, të cilat synojnë të vlerësojnë aftësitë për administrimin e likuiditetit të bankave; krijimin e shtesave në kapital për të mbrojtur bankat nga ekspozimet për rreziqe të ndryshme etj. Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e akteve nënligjore janë hartuar dhe miratuar për të plotësuar kuadrin rregullator për zbatimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe atë për ligjin “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”.

Monitorimi rigoroz i sistemit financiar nëpërmjet inspektimeve në vend. Inspektimet në vend kanë vijuar rregullisht, ku janë shtuar ekzaminimet e subjekteve financiare jobanka dhe të zyrave të këmbimit valutor. Fokusi i ekzaminimeve në banka ka qenë vlerësimi i administrimit të situatës së pandemisë dhe ndikimit në portofolin e kredisë. Bankat kanë ndjekur një qasje të kujdesshme në kreditim, të mbështetur në kriteret e caktuara për ofrimin e lehtësirave për klientë me probleme. Krahas fokusit kryesor tek rreziku i kredisë, ekzaminimet kanë vlerësuar dhe profilin e rreziqeve të tjera që lidhen me veprimtarinë bankare, si rreziku operacional dhe i teknologjisë së informacionit, rreziqe financiare etj., për të cilat janë dhënë rekomandimet përkatëse.

Fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Gjatë vitit 2021 ka përfunduar hartimi i planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme të të gjitha bankave që operojnë në tregun shqiptar, si dhe janë identifikuar pengesat potenciale ndaj aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, janë përcaktuar dhe kërkesat minimale të instrumenteve që duhet të mbajnë bankat në çdo kohë, me qëllim mundësimin e zbatimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Zhvillimi dhe zbatimi i politikës makroprudenciale në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar. Gjatë vitit 2021, vijoi zbatimi i masave që synojnë uljen e përdorimit të valutave në veprimtarinë e sektorit bankar dhe zbatimi i shtesave makroprudenciale të kapitalit. Zhvillimet gjatë vitit nuk kanë kërkuar ndërhyrje me masa shtesë të natyrës makroprudenciale. Megjithatë, përdorimi i valutave mbetet ende në nivele të larta dhe kërkon vëmendje më të madhe nga autoritetet e tjera.

***

Krahas rolit të saj primar në ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për një sërë detyrash e veprimtarish, të cilat, për hir të kohës, do të më duhet t’i përmend fare shkurt.

 

  1. Aktivitete të tjera

Garantimi i sistemeve të pagesave të sigurta dhe eficiente. Banka e Shqipërisë operon dy sisteme pagesash në Lek: atë për pagesat me vlerë të vogël (AECH) dhe atë për pagesat me vlerë të madhe (AIPS). Të dy sistemet kanë treguar disponueshmëri maksimale dhe kanë funksionuar në mënyrë të sigurt, duke garantuar rrjedhjen e fondeve për ekonominë. Me synimin për të plotësuar dhe modernizuar infrastrukturën e pagesave në vend, Banka e Shqipërisë ka përfunduar projektin për ofrimin e një sistemi të ri të shlyerjes së pagesave kombëtare në monedhën Euro për klientët e bankave – AIPS-Euro. Ky sistem ka filluar operimin në janar të vitit 2022, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë kryerjen e pagesave në Euro brenda vendit, me kosto shumë më të ulëta dhe në një afat kohor shumë më të shkurtër krahasuar me procesin e mëparshëm nëpërmjet bankave korrespondente. Gjithashtu, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike, gjatë vitit 2021, u bë i mundur zbatimi i skemës së “Debitimit direkt”, e cila i krijon konsumatorëve fleksibilitet në kryerjen e pagesave për shërbimet utilitare nëpërmjet sistemit bankar.

Nxitja e pagesave elektronike dhe e përfshirjes financiare të popullsisë. Numri i pagesave elektronike të kryera në vend u rrit me 29.5% gjatë vitit 2021. Rritja e tyre është ndihmuar nga ndryshimet rregullatore nëpërmjet ligjit “Për shërbimet e pagesave”, si dhe përmirësimet në infrastrukturë. Përdorimi i pagesave elektronike në vit për individë në moshë madhore arriti në nivelin 12.5 në fund të vitit 2021, kundrejt 4.3 në vitin 2017. Zhvillime pozitive janë shënuar dhe në zgjerimin e përqindjes së popullsisë, e cila zotëron një llogari pagesash. Në vitin 2021, rezulton se rreth 69% e popullsisë në moshë madhore zotëron një llogari pagese, kundrejt vetëm 40% në vitin 2017.

Përmirësimi i kuadrit rregullator të sistemeve të pagesave në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Gjatë vitit 2021 është hartuar projektligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, në përputhje me Direktivat e BE-së. Miratimi i tij ofron shërbime financiare bazike për individët e pambuluar me shërbime bankare, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, historikut të aftësisë paguese.

Emetimi i kartëmonedhës. Siguria fizike e saj dhe miradministrimi i parasë fizike përbën një drejtim tjetër të rëndësishëm të veprimtarisë sonë. Në këtë drejtim, në muajin qershor 2021, u nënshkrua me BQE-në një marrëveshje për mbrojtjen e kartëmonedhës Euro nga falsifikimi, duke e bërë kështu Bankën e Shqipërisë pjesë integrale të procesit evropian në luftën kundër falsifikimit të kartëmonedhave.

Po ashtu, ne kemi realizuar përfundimisht kompletimin e serisë sonë të re të kartëmonedhave, të përbërë nga 6 prerje. Në muajin dhjetor të vitit 2021 u hodhën në qarkullim edhe dy prerjet e fundit të kësaj serie, ato 500 dhe 2,000 Lekë, ndërkohë që në qershor 2021, tregut i ishte shtuar edhe kartëmonedha me prerjen më të madhe në vlerën 10,000 Lekë, e cila përbën edhe një risi në procesin e prodhimit të parasë sonë. Kartëmonedhat e serisë së re janë dizajnuar dhe prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës dhe janë të pajisura me elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara sigurie.

Përmbushja e detyrimeve institucionale në kuadër të integrimit evropian. Banka e Shqipërisë ka një rol esencial në arritjen e qëllimit kombëtar për aderimin në Bashkimin Evropian. Ajo është udhëheqëse në një kapitull të përputhshmërisë së legjislacionit, ndërsa është anëtare e grupeve të punës për kapituj të tjerë. Banka e Shqipërisë ka realizuar miratimin e akteve nënligjore të parashikuara në Planin Kombëtar të Integrimit Evropian dhe ka përfshirë në prioritetet e punës së saj rekomandimet e Komisionit Evropian.

Rritja e komunikimit, transparencës dhe llogaridhënies. Banka e Shqipërisë mbetet një institucion i hapur, i gatshëm të komunikojë me transparencë vendimet e saj dhe të përgjigjet me seriozitet për veprimtarinë e vet. Gjatë vitit 2021 ka vijuar komunikimi fizik dhe virtual me median, akademikë, publikun e gjerë dhe palë të interesuara. Vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka marrë përgjegjësi publike për ndërmarrjen e fushatave për edukimin financiar. Në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Bankave, janë kryer disa aktivitete, me qëllim rritjen e njohurive financiare të publikut dhe rritjen e ndërgjegjësimit për financat personale.

Paralelisht me to, Banka e Shqipërisë ka shënuar progres të mëtejshëm në fushën e administrimit të rezervës valutore, në fushën e kërkimit shkencor, në proceset e mbledhjes, hartimit dhe raportimit të statistikave, si dhe në drejtim të forcimit të qeverisjes së institucionit. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka përmbushur rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për aktivitetin e saj gjatë vitit 2020.

Një informacion të gjerë mbi këto çështje do ta gjeni të detajuar në faqet e Raportit Vjetor 2021.

***

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Duke ju falënderuar për vëmendjen, më lejoni të theksoj se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e angazhuar për respektimin e detyrave të saj ligjore, për adresimin e sfidave të rritjes, si dhe për ndërtimin e një dialogu konstruktiv me të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës ekonomike dhe sociale.

Kuvendi i Shqipërisë dhe publiku shqiptar do të gjejë të ne një partner serioz në rrugën e zhvillimit të vendit.

Ju faleminderit!