BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantohet Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2023-2024

Data e publikimit: 29.01.2024

 

Në datën 29 janar 2024, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2023-2024.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u shpreh se Raporti i Tranzicionit të BERZH-it hap siparin e analizave profesionale ekonomike për vitin 2024 dhe konkluzionet e rekomandimet e tij shtyjnë përpara debatin ekonomik, jo vetëm mbi sfidat e kohës, por edhe mbi politikat e duhura zhvillimore në funksion të një rritjeje sa më të shpejtë e të qëndrueshme.

 DSC3765-498

Në këtë kontekst, Guvernatori Sejko u shpreh se për Bankën e Shqipërisë është kënaqësi ta mirëpresë këtë event të përvitshëm, i cili mbledh së bashku studiues të fushës, aktorë të rëndësishëm të sektorit publik e privat, si dhe përfaqësues të industrisë financiare.

“Tema e këtij raporti – “Tranzicionet e mëdha dhe të vogla” - na fton të hedhim vështrimin më larg. Cilësia e jetës dhe faktorët që e ndikojnë atë, realitetet e reja gjeopolitike dhe pasojat e tyre mbi strategjitë e zhvillimit të vendeve në tranzicion, ndryshimet klimatike, ngrohja globale dhe reduktimi i biodiversitetit, janë realitete të pamohueshme e me pasoja të konsiderueshme, jo vetëm për ekonomitë por edhe për shoqërinë e komunitetet tona.” theksoi Guvernatori.

 DSC3831-okk

Në vijim, Guvernatori Sejko vendosi disa aspekte të raportit në kontekstin e ekonomisë shqiptare. Ai u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë përballë goditjeve të njëpasnjëshme të katër viteve të fundit. Fondamentet e shëndosha të ekonomisë shqiptare, fleksibiliteti i sektorit privat, si dhe politikat e kujdesshme makroekonomike të ndjekura, kanë mundësuar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe një stabilitet të përgjithshëm ekonomik e financiar.

 DSC3778-498

Në veçanti, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare paraqiten të qeta, ndërsa rritja e punësimit dhe e pagave ka mbështetur buxhetet e familjeve. Nga ana tjetër, sektori bankar paraqitet i shëndetshëm, ndërsa aksesi në financë dhe përfshirja financiare kanë ardhur në përmirësim. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, normat më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit.

 DSC3858-498

Guvernatori shtoi se kjo tablo pozitive na inkurajon ta hedhim vështrimin më larg, në sfida të reja të cilat tashmë po shndërrohen në një realitet gjithnjë e më të prekshëm. Ndër temat e parashtruara në Raportin e Tranzicionit, ai u ndal në ndryshimet klimatike. Ngrohja globale dhe rritja e frekuencës së fatkeqësive natyrore të lidhura me klimën, kanë pasoja gjithnjë e më të larta për të gjitha vendet e ekonomitë, qofshin ato të zhvilluara apo në zhvillim, të mëdha apo të vogla.

 DSC3927-498

Guvernatori theksoi se ndonëse bankat qendrore nuk janë aktorët primarë të cilët mund të lehtësojnë përshtatjen e ekonomisë me ndryshimet klimatike, Banka e Shqipërisë ka vendosur që – pa paragjykuar mandatin e saj ligjor të stabilitetit të çmimeve – të japë kontributin e saj në këtë drejtim.

 DSC4008-498

Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë janë përqendruar në tre drejtime kryesore: Së pari, në monitorimin e rreziqeve klimatike dhe zgjerimin e kapaciteteve analitike në këtë fushë. Së dyti, në promovimin e financave të gjelbra. Për këtë qëllim, banka ka miratuar së fundmi “Strategjinë për Menaxhimin e Rreziqeve Financiare të lidhura me Ndryshime Klimatike, 2023-2025”. Së treti, në forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendas dhe të huaj. Adresimi i rreziqeve të ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme janë sfida globale.

 DSC4089-498

Guvernatori Sejko falënderoi edhe njëherë BERZH-in për kontributin dhe mbështetjen me investime financiare në fusha të ndryshme të ekonomisë së vendit tonë.

 DSC4155 - 498

Më pas, përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantuan Raportin e Tranzicionit të BERZH-it për periudhën 2023-2024 dhe vlerësimet për Ballkanin Perëndimor.

Në përfundim, Guvernatori dhe përfaqësuesit e BERZH iu përgjigjën interesit të të pranishmëve dhe gazetarëve.