BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantohet projekti Greenback 2.0 për Shqipërinë, si vend pritës i remitancave

Data e publikimit: 21.03.2018

 

Në datën 21 mars 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Projekti Greenback 2.0 për Shqipërinë, si vend pritës i remitancave. Ky projekt, i cili përbën një nga komponentët e Programit të Remitancave dhe Pagesave (PRP) në Shqipëri të financuar nga SECO, është një iniciativë e Bankës Botërore dhe shërben si një mjet për promovimin e kanaleve të aksesueshme dhe instrumenteve të pagesave me kosto efektive për dërgimin dhe marrjen e remitancave. Banka Botërore, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, në kuadër të implementimit të këtij projekti, kanë zgjedhur Beratin si qytetet kampion për projektin Greenback 2.0.

 DSC8709-2 - 498

 

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Gjoni, e cila theksoi rëndësinë që kanë dërgesat e emigrantëve për ekonominë shqiptare, si nga pikëpamja makroekonomike ashtu edhe nga ajo e familjes në nivel mikro. Në këtë kuadër, zj. Gjoni theksoi kontributin e remitancave në konsum, ku këto flukse vlerësohet të financojnë mbi 1/3 e familjeve, të cilat i kanalizojnë këto të ardhura për të mira të domosdoshme, edukim, shëndetësi dhe në një masë më të vogël në investime. “... Sot remitancave po i kushtohet rëndësi në nivel ndërkombëtar në kuadër të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Për më tepër, duke qenë se ato kanë një rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, ju ftojmë të vijojmë bashkëpunimin e frytshëm që kemi pasur, me qëllim përfundimin me sukses të projektit.”- u shpreh zj. Gjoni.

Në kuadër të potencialit që paraqesin remitancat, Zëvendësguvernatorja Gjoni theksoi nevojën e një pjesëmarrjeje më aktive të sistemit bankar dhe atij financiar në këtë fushë, duke e parë si një mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre. Gjithashtu, zj. Gjoni vuri në dukje dhe nevojën e reduktimit të kostove të dërgesave të emigrantëve, të cilat rezultojnë të jenë tejet më të larta se objektivat e vendosura nga organizatat ndërkombëtare (G8, G20, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore) në këtë drejtim, si dhe krahasuar me ato të vendeve të tjera të rajonit. Në përfundim të fjalës së saj, zj. Gjoni falënderoi Bankën Botërore për bashkëpunimin e frytshëm në fushën e pagesave me një sërë projektesh konkrete, SECO-n për financimin e projekteve, si dhe Ambasadorin Zviceran për mbështetjen aktive në lidhje me projektet e Bankës së Shqipërisë.

“Duke rritur kulturën financiare dhe përmirësuar shërbimet financiare, si për dërguesit ashtu edhe për marrësit, ky program do të kontribuojë në rritjen e eficiencës dhe funksionimin e tregut financiar dhe ekonomisë së Shqipërisë” tha Ambasadori i Qeverisë Zvicerane, Sh.T.Z. Christof Graf gjatë fjalës së tij. “Një sukses i plotë, megjithatë mund të arrihet vetëm nëse institucionet dhe autoritetet përkatëse të vendit, përfshihen, së bashku me institucionet lokale” - shtoi Ambasadori Graf.

Ndërsa, zj. Johanna Jaeger, përfaqësuese e Bankës Botërore, theksoi gjithashtu rëndësinë e remitancave për ekonominë dhe u fokusua në vlerën që kanë këto flukse hyrëse për familjet në kuadër të mirëqenies dhe eliminimit të pabarazisë sociale. Gjithashtu, zj. Jaeger nënvizoi nevojën e reduktimit të kostove për këto dërgesa të emigrantëve në Shqipëri, të cilat vlerësohet të jenë të ndjeshme për dërguesit. Në këtë kuadër, implementimi i projektit Greenback në Shqipëri shikohet si tejet i rëndësishëm. 

Specialistja e lartë e sektorit financiar në Bankën Botërore, zj. Maria Do Ceu Da Silva Pereira, gjatë prezantimit të saj, vuri në dukje se remitancat janë një aspekt tejet i rëndësishëm i sistemeve të pagesave dhe se Banka Botërore përmes programit PRP fokusohet në diagnostikimin e tregjeve ku ky projekt është aktiv. Kjo realizohet përmes vendosjes së standardeve ndërkombëtare për matjen e eficiencës së këtyre sistemeve dhe asistencës teknike në nivel ligjor, infrastrukturor dhe edukimit financiar të klientëve përfundimtarë, ku përfshihet edhe projekti Greenback 2.0. Ky projekt ka si synim përfundimtar uljen e kostove të remitancave dhe formalizimin e këtij shërbimi në mënyrë që këto të ardhura të kthehen në një vlerë të shtuar për ekonominë familjare dhe kombëtare.

Edlira Dashi, specialiste e edukimit financiar në Bankën Botërore, paraqiti shkurtimisht të dhënat paraprake nga një seri fokus grupesh me emigrantë nga Berati që ishin kthyer në vendlindje gjatë festave të fundvitit. Këto fokus grupe synonin të zbulonin më shumë rreth qasjes që emigrantët shqiptarë kanë kundrejt kanaleve të remitancave, informacionin për shërbimet financiare, përdorimin e shërbimeve dhe produkteve të ndryshme dhe sfidat që ata hasin për të dërguar para në shtëpi. Ky studim ishte vetëm hapi i parë i një serie aktivitetesh hulumtuese që do të kryhen në kuadrin e projektit Greenback 2.0 dhe që do të informojnë hapat e mëtejshëm në lidhje me edukimin financiar të dërguesve dhe marrësve të remitancave në Shqipëri.