BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Promovimi i Fondit Evropian për Evropën Juglindore në Shqipëri

Data e publikimit: 06.03.2007

 

Fondi më i madh i investimeve në mikrofinancë do të ndihmojë
në zhvillimin e ndërmarrjeve shumë të vogla dhe të vogla

Fondi Evropian për Evropën Juglindore (European Fund for Southeast Europe) do të fillojë operacionet për financimin e sipërmarrësve shumë të vegjël dhe të vegjël, fermerëve dhe familjeve në Shqipëri. Në 5 vitet e ardhshme pritet që EFSE të ofrojë rreth 120,000 kredi për ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe fermerët; të ofrojë rreth 30,000 kredi për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet si dhe të kontribuojë në hapjen e 30,000 vendeve të reja pune në tërë rajonin e Evropës Juglindore, përfshi edhe Shqipërinë.

Z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, thekson se veprimtaria e Fondit do të jetë e dobishme për të mbështetur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla në Shqipëri. Ai u shpreh se: "Nga ky këndvështrim, prezantimi i Fondit Evropian për Evropën Juglindore është një element i ri, i cili do të shërbejë si katalizator për një sërë ndryshimesh dhe mundësish të reja, në përputhje me kërkesat e një tregu modern, të aftë për të mbështetur zhvillimin perspektiv të vendit".

Dr. Klaus Maurer, Drejtor i Investimeve të Fondit, shpjegon se si EFSE do të veprojë në Shqipëri dhe çfarë ndikimi pritet të ketë Fondi në rajon.

"Ne jemi të bindur se me EFSE-n kemi gjetur një version modern të planit Marshall të shekullit 21."

Me një bazë aktuale kapitali prej 244.5 milion Euro, EFSE radhitet ndërmjet fondeve financiare më të mëdha botërore për zhvillimin. Baza e kapitalit përbëhet nga kontributet e donatorëve dhe fonde të reja nga Institucionet Ndërkombëtare Financiare si IFC, BERZH, KfW, FMO si edhe investitorë institucionale privatë.

Promovuesi i Fondit është KfW, Banka Gjermane e Zhvillimit. Fondi menaxhohet nga Oppenheim-Pramerica Asset Management S.à r.l. me Bankakademie e.V. si Këshilltar. Mbikëqyrja dhe administrimi i Fondit realizohen nga Citibank International plc (dega në Luksemburg).

Për informacione të tjera mund të kontaktohet:
EFSE Zyra në Frankfurt: Jürgen Hammer, [email protected], Tel.: +49 69 154008-698.