BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prononcim i Bankës së Shqipërisë në lidhje me lajmin e botuar në shtypin e shkruar për qarkullimin e kartëmonedhave false të prerjes 1000 lekë

Data e publikimit: 19.05.2005

 

Në dy nga organet e medias së shkruar, gazetat "Biznesi" dhe "Shekulli" është publikuar lajmi i qarkullimit të kartëmonedhës false të prerjes 1000- lekë. Referuar lajmit të publikuar "Tiranë, "emetohen" kartëmonedha të falsifikuara" duhet të bëhet kujdes e të korrigjohet termi "emetohet" me termin "janë futur në qarkullim", pasi sipas legjislacionit në fuqi ekskluzivitetin e emetimit të monedhës e ka banka qendrore. Konkretisht, fakti i prezantuar në media ka të bëjë me futjen në qarkullim nga elementë keqbërës të kartëmonedhave të falsifikuara të prerjes 1,000 lekë, emetim i vitit 1992 dhe 1994 (rishtypje e 1992). Me evidentimin më të parë të bërë nga Banka e Shqipërisë, këtu në Tiranë dhe në degët e saj në rrethe, janë njoftuar të gjitha bankat e nivelit të dytë lidhur me prezencën e këtyre kartëmonedhave. Si rezultat i njoftimeve dhe në zbatim të udhëzimeve e rregulloreve të Bankës së Shqipërisë për të parandaluar e për të mos lejuar qarkullimin e kartëmonedhave të falsifikuara janë marrë masat përkatëse për konfiskimin e tyre në sportelet e bankave të nivelit të dytë. Nisur nga statistikat e këtij problemi për periudhën janar - 18 maj 2005 niveli i kartëmonedhave 1,000 lekëshe të falsifikuara evidentohet në 0.00048 për qind të kartëmonedhës 1,000 lekë-she në qarkullim. Siç shihet, numri i kartëmonedhave të falsifikuara është pothuajse i papërfillshëm, por që nga ana jonë është vlerësuar dhe janë marrë masat e duhura për parandalimin e futjes në qarkullim të kartëmonedhave të falsifikuara. Nga ekspertizat kryera për kartëmonedhat e falsifikuara rezulton se metoda e falsifikimit ka qenë me fotokopjim.

Me anë të këtij prononcimi, gjithashtu, gjejmë rastin të sensibilizojmë publikun lidhur me elementet e sigurisë së kartëmonedhave shqiptare, të cilët janë lehtësisht të dallueshëm, si:

  • shtypi i thellë i realizuar me reliev boje, i cili dallohet lehtë me fërkimin e mollëzave të gishtërinjve tek portreti, numrat që tregojnë vlerën nominale të saj, teksti i shtypur dhe elementët zbukurues,
  • ngjyra e shqiponjës, e cila kur shihet nga kënde të ndryshme varion nga ngjyra violet në ngjyrën jeshile,
  • numrat e serive, të cilët janë të shtypur me bojë jeshile,
  • filigrama "BSHSH", e cila është e duket përkundrejt dritës.

Kartëmonedhat e falsifikuara dallohen nga kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë, pas këto të fundit janë të shtypura me letër sigurie të cilësisë së lartë me përbërje pambuku.

Për të evituar rrezikun e kartëmonedhave të falsifikuara, nga publiku kërkohet të përdorë sa më shumë bankat dhe shërbimet që ofrojnë ato. Vetëm nëpërmjet institucioneve të specializuara do të minimizohej përballja me rrezikun e falsifikimit. Megjithatë, në rast se cdokush ndjen se ka në duart e tij kartëmonedha të falsifikuara si dhe për t'i shërbyer ruajtjes së monedhës sonë kombëtare nga keqbërës të ndryshëm duhet të paraqitet në sportelet e bankave të nivelit të dytë për kontrollin e për dorëzimin e kartëmonedhave të falsifikuara.