BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit, datë 27.08.2014

Data e publikimit: 02.09.2014

 

Pyetje- Media i ka bërë jehonë dyshimeve se sasia e parave, e përvetësuar në mënyrë të paligjshme në Departamentin e Emisionit, mund të ketë qenë realisht më e lartë se ajo që ju dhe organet e hetimit keni shpallur zyrtarisht. Nga verifikimet tuaja, mund të përjashtoni që një gjë e tillë të ketë ndodhur, pra shuma e përvetësuar të ketë qenë më e lartë, sidomos në pjesën e parave të destinuara për të dalë jashtë qarkullimit, për t’u asgjësuar?

Së dyti, jeni akuzuar në mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. Erjon Braçe, për fshehje të informacionit kërkuar nga Kuvendi. Si do ti përgjigjeni z. Braçe?

Përgjigje- Për sa i përket pyetjes së parë, rikonfirmoj deklarimin e mëparshëm që shuma e munguar e parasë letër është 713 milionë lekë. Natyrisht, do të ketë dhe një kontroll tjetër nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Njëkohësisht, ne po punojmë me shumë intensitet me partnerët tanë, banka qendrore dhe institucione të tjera ndërkombëtare, për të sjellë menjëherë asistencën më të plotë, për të garantuar që masat që do të marrim të sigurojnë perfeksionim të të gjithë kuadrit rregullativ, në mënyrë që situata të tilla të rënda të mos përsëriten. Kemi gjithë gatishmërinë e institucioneve ndërkombëtare dhe shpresojmë që shumë shpejt do të fillojmë me implementimin e këtyre masave.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar, 24 orë në 24, në marrjen e masave për furnizimin e tregut me likuiditetin e domosdoshëm, në mënyrë që ai të funksionojë në parametra normalë.

Siç e thashë dhe sot në deklaratë, nga ekonomia vijnë lajme pozitive dhe natyrisht që ky rast i rëndë i shkëputur, kjo vjedhje e vlerësuar me një vëmendje maksimale nga Banka e Shqipërisë, do të ndiqet hap pas hapi, me të gjitha masat e nevojshme, me ndihmën e institucioneve të brendshme dhe ndërkombëtare, në mënyrë që raste të tilla të mos ndodhin më.

Për sa i përket pyetjes së dytë, Banka e Shqipërisë është një institucion jo vetëm i pavarur, por në radhë të parë i përgjegjshëm, llogaridhënës dhe transparent. Banka komunikon në nivelet më të lartë të përgjegjshmërisë dhe të etikës, dhe garantoj që informacioni zyrtar nga Banka e Shqipërisë, dhënë Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), është në përputhje të plotë me të gjithë kuadrin ligjor dhe rregullativ në fuqi. Jo vetëm kaq, por për informacionin që nuk është dërguar në bazë të këtij kuadri, Kryetari i KEF, z. Braçe, është ftuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, për të shqyrtuar të gjithë dokumentet e kërkuara. Edhe njëherë, ju garantojmë që përgjegjshmëria, llogaridhënia e transparenca janë të nivelet më të larta.

Pyetje- A jeni thirrur ju nga organi i akuzës për të dëshmuar mbi ngjarjen dhe nëse po, si do ti përgjigjeni fletë-thirrjes së Prokurorisë?

Përgjigje- Dua të rikonfirmoj edhe njëherë se Banka e Shqipërisë, që në momentin e parë pasi bëri kallëzimin, me një vëmendje dhe një përkushtim të natyrshëm për bankën qendrore dhe të gjithë personelin e saj, ka bashkëpunuar me Prokurorinë dhe organet e hetimit, në mënyrë që kjo çështje të zbardhet sa më mirë dhe sa më shpejt, ndërkohë, që në orët e para, janë njoftuar të gjithë institucionet e rëndësishme shtetërore.

Në qoftë se është dikush që është më i interesuar se të gjithë për ta zbardhur këtë çështje siç është dhe për të marrë masat që ajo të mos përsëritet më, është Banka e Shqipërisë dhe unë personalisht.

Natyrisht që kjo është një ngjarje e rëndë që na ka goditur një segment të veçantë, por ju garantoj që përgjegjshmëria është shumë e madhe, si nga Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës, ashtu dhe nga unë personalisht. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ditë e natë, me përkushtim - e në fakt këtë po bëjmë - me organet e Prokurorisë, në mënyrë që kjo çështje të zbardhet sa më mirë dhe sa më shpejt, dhe të dalin përgjegjësitë për gjithsecilin.

Pyetje- Meqenëse u shprehët për rishikim të rregulloreve, a do të thotë kjo që kanë çaluar rregulloret e Bankës së Shqipërisë, të cilat miratohen nga bordi i Bankës? Në lidhje me akuzat e bëra nga kryetari i KEF-it, se është penguar Inspektori i Përgjithshëm që të çojë raportet para komisionit dhe Këshillit Mbikëqyrës, a është e vërtetë kjo?

Përgjigje- Në lidhje me pyetjen e dytë, u shpreha pak më parë dhe deklaratën e mbyll me aq.

Për sa i përket pyetjes së parë, është një pyetje që ju keni shtruar edhe më parë dhe përgjigja ime mbete e njëjta. I gjithë akti rregullativ i Bankës së Shqipërisë, nga ligji deri tek kontrolli, garanton më së miri aktivitetin normal dhe të përshtatshëm të një banke qendrore me të gjitha parimet e bankingut të sotëm modern. E gjithë kjo është e mbikëqyrur dhe nga misionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, së fundmi edhe nga një ekip i Bankës Qendrore Evropiane, i cili do të vijë së shpejti me deklaratën e tij vlerësuese mbi të gjithë aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, përfshirë edhe këtë çështje.

E dyta, rishikimi i rregullave dhe rregulloreve është një punë në vazhdim për çdo institucion dhe ai mbetet i natyrshëm sipas të gjitha praktikave botërore, në raste të tilla. Ngjarja e ndodhur tek ne nuk është e pari. Ndër vite numërohen me dhjetëra raste, madje dhe gjatë këtij viti, kanë ndodhur vjedhje të bankave qendrore nga personeli. Nuk është momenti që t’i citoj, pasi ato mund të gjenden lehtësisht në media. Në të gjitha këto raste, puna e parë, pas verifikimit dhe njëkohësisht sqarimit të çështjes, është rishikimi i të gjitha akteve, për të shmangur ngjarje të tilla në të ardhmen. Kjo është praktikë dhe kusht i domosdoshëm për të rritur eficiencën e funksionimit të të gjithë akteve rregullative dhe për t’i sjellë ato në nivele më të larta në të ardhmen.