BANKA E SHQIPËRISË

NJOFIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 1 gusht 2018

Data e publikimit: 01.08.2018

 

Pyetje: Dy ditë më parë hyri në fuqi akti normativ i buxhetit 2018. Vendimi i qeverisë parashikon ngrirje të fondit të pagave në vlerën e 10 milionë dollarëve. Ky vendim pritet ti kalojë për miratim Kuvendit në muajin shtator. Si do të ndikojë kjo ngrirje në inflacion dhe në konsum?

Guvernatori: Në përputhje me ligjin, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave kanë të drejtë të bëjnë ndryshime lidhur me realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Disa lëvizje janë të diktuara në varësi të ecurisë. Mbiçmimi i kursit të këmbimit sigurisht që ka patur efekt në të ardhurat. Ndoshta dhe ngrirja e fondit të pagave ka ardhur si rezultat i këtij faktori.

Ne si Bankë e Shqipërisë kemi reaguar lidhur me mbiçmimin e kursit të këmbimit, për të frenuar mbiçmimin e mëtejshëm, sipas planit të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor që ne po vazhdojmë ta ndjekim. Edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës ne vendosëm ta vazhdojmë këtë program pasi jemi në sezon dhe jemi nën ndikimin sezonal. Ne po monitorojmë tregun dhe do të shikojmë si do të vijojë.

Disa lëvizje në raport me buxhetin janë të imponuara. Për të mbajtur realizimin e buxhetit nën kontroll qeveria ka qenë e detyruar të bëjë ndryshime në këtë periudhë të vitit. Nuk është viti i parë që bëhen ndryshime në buxhet. Faktorët makroekonomikë janë të pamundur të parashikohen. Ne nuk parashikonim që do të kishim një mbiçmim kaq të fortë të kursit të këmbimit dhe prandaj u detyruam që të bënim ndërhyrje. Mbiçmimi i kursit të këmbimit ka disa vite që ka filluar, por sikurse kemi deklaruar, mbiçmimi i muajve të fundit ka qenë më i shpejtë si pasojë e disa pritshmërive në tregun e brendshëm valutor si: kredia e BERZH-it për një kompani publike shqiptare, konvertimi i kapitalit të disa bankave, ndikimi i sezonit turistik dhe faktorë të tjerë. Kjo ka bërë që ashtu si Banka e Shqipërisë të ndërmarrë programim e ndërhyrjeve në tregun e  brendshëm valutor  dhe lehtësimin e mëtejshëm të  politikës tonë monetare, edhe qeveria nga krahu i saj të ndryshojë buxhetin duke reflektuar pasojat e mbiçmimit të kursit të këmbimit. Kjo është ajo që mund të thoja për momentin.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu