BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje përgjigjet në konferencën e përbashkët për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë

Data e publikimit: 07.12.2017

 

 Pyetje: Cili do të jetë mekanizmi shtrëngues si do të detyrohen bankat. A do kenë ndikim në kredimarrje masat shtrënguese ?

Guvernatori: Siç e theksova, kjo është një masë e cila për bizneset e mëdha ka hyrë në fuqi që në vitin 2015. Bankat, në kuadër të respektimit të kritereve të rrezikut dhe të rregulloreve të tyre kanë filluar ta aplikojnë ndër vite këtë masë si pjesë të formalizmit të proceseve të tyre të brendshme. Ne nuk parashikojmë që kjo masë do të krijojë ndonjë problem në procesimin e rasteve të kredimarrësve.

Natyrisht që kjo nuk është një masë shtrënguese, por një masë formalizuese. Është një masë e normalizimit të aktivitetit që ne do ta shihnim më shumë si masë lehtësuese në procesin e kredidhënies për bankat, pasi ul kostot e financimit dhe krijon barazi midis kredimarrësve. Ideja është që kredimarrësit do të paraqesin pasqyrat financiare zyrtare, pra nuk do të punojnë me dy standarde, por do të punojnë me standardin formal. Ne parashikojmë që kjo masë përveç krijimit të lehtësisë, do të ndikojë pozitivisht në kredidhënie, si për bankat ashtu dhe për vetë kredimarrësit, por kryesisht për bankat, pasi do të jetë më e lehtë për të përzgjedhur kredimarrësit cilësorë në procesin e kredimarrjes dhe do të ndikojë në uljen e kredive me probleme.

Në këtë kontekst, po i bashkoj pyetjet të dyja në një. Nuk shikojmë dhe nuk presim që do të ketë pengesë në aktivitetin e kreditimit, duke qenë se bankat kanë filluar ta aplikojnë këtë masë ndër vite. Përkundrazi, është në linjë me thirrjen që iu kemi bërë bankave për një kreditim të shëndetshëm, të orientuar ndaj sektorëve potencialë të ekonomisë, ku ka më pak rrezik dhe më shumë potencial dhe hapësira zhvillimi.

Ministri: Një koment, për sa i përket kësaj pyetjeje. Mos harroni që të gjitha masat antiinformalitet janë të përputhura me njëra tjetrën. Dua t’ju kujtoj juve, po edhe sipërmarrjes, që në vitin 2016, ne përmirësuam kuadrin e administrimit të tatimeve të taksave. Dhe aty dua t’i kujtoj sipërmarrjes që vendosëm një rregull të shkruar shumë thjeshtë dhe qartë në atë ligj, ku sipërmarrjes i jepet e drejta të korrektojë deklaratat e saj për vitet e kaluara në çdo kohë pa penalitet. Pra, mendojini të gjitha këto që po themi si një zinxhir të një logjike të maturuar dhe të mirëmenduar gjatë tre viteve të fundit. Në 2015-ën, ne thamë që më 1 janar 2018, do të kemi këtë masë të drejtpërdrejtë, pra që banka do të pranojë vetëm bilancet e deklaruara në tatime. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe i dhamë të drejtën sipërmarrjes të vetëkorrigjohet pa penalitet dhe të gjitha këto, bashkë me ato që përmendi Guvernatori, janë masa lehtësuese, janë masa që ndihmojnë biznesin të formalizohet. Informaliteti është kosto për ta, është kosto për ekonominë, është kosto për buxhetin e shtetit.

Pyetje: Për kreditë të cilat janë dhënë dhe janë në proces, si do të zbatohet kjo masë? A do të kërkohet që të sjellin çdo vit bilancin e ri ?

Guvernatori: Kjo është një pyetje teknike, prandaj përgjigjen jam i detyruar t’jua kthej sipas procesit konkret që bankat ndjekin gjatë vendimmarrjes për kredidhënie. Përgjithësisht, deri tani, bankat në analizën e tyre kërkojnë deklaratat tatimore, si dhe të dhënat jozyrtare. Pra, bankat i kanë pasur të dyja informacionet, informacionin zyrtar dhe jozyrtar në analizën e tyre, pasi kërkohen nga komitetet e vendimmarrjes. Në radhë të parë, është e rëndësishme që bankat të marrin një vendimmarrje të shëndetshme, për një kredimarrje të suksesshme në kthim. Duke filluar nga janari 2018, bankat do t’i referohen deklaratave tatimore dhe për bizneset e tjera, për bizneset e mëdha, e theksova që e kanë aplikuar tashmë, pra të dhënave zyrtare të cilat supozohet që ato i disponojnë. Nga mbikëqyrja dhe kontrollet që ne kemi ushtruar, kemi verifikuar që ato i disponojnë. Kjo, e ritheksoj, do të siguronte jo vetëm një formalizim dhe lehtësim për procedurat e kredidhënies, por do të siguronte dhe një konkurrencë të ndershme midis vetë bizneseve.