BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Rritja e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të mbikëqyrjes bankare të vendeve të Evropës Juglindore

Data e publikimit: 09.07.2007

 

Me iniciativën e z. Nicholas C. Garganas, Guvernator i Bankës së Greqisë, guvernatorët e Bankave Qendrore të Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, të Bullgarisë, zoti Ivan Iskrov, të Qipros, zoti Athanasios Orphanides, të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, zoti Petar Goshev, të Greqisë, zoti Nicholas C. Garganas, të Serbisë, zoti Radovan Jelasic, si dhe Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, zoti Florin Georgescu, u takuan në Athinë, më 6 korrik 2007, me qëllim pranimin e një kuadri të ri të bashkëpunimit rajonal në fushën e mbikëqyrjes bankare.

guvernatori ne takimin 3

Foto nga takimi i Guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të Evropës Juglindore

Në vijim të rritjes të vazhdueshme të institucioneve ndërkombëtare bankare në Evropën Juglindore, guvernatorët diskutuan dhe miratuan një Memorandum Mirëkuptimi shumëpalësh, i cili përcakton fushat dhe termat e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të mbikëqyrjes bankare në rajon, në pajtim edhe me regjimet ekzistuese mbikëqyrëse dhe rregullatore të secilit vend. Guvernatorët diskutuan gjithashtu, një plan veprimi, për të lehtësuar dhe mbështetur kuadrin e ri të bashkëpunimit.

Kuadri i ri parashikon një formë bashkëpunimi më të strukturuar dhe më të efektshme midis mbikëqyrësve bankarë, në përgjigje të zhvillimit të veprimtarisë bankare në forma gjithnjë e më të ndërlikuara. Ai do të ndihmojë gjithashtu, në lehtësimin e barrës administrative mbi bankat, që buron nga kërkesat rregullatore e raportuese. Për hartimin dhe zbatimin e tij, guvernatorët ranë dakord të shfrytëzohet përvoja e zhvilluar e kuadrit korrespondues të BE-së dhe parimet e Komitetit të Bazelit mbi Mbikëqyrjen Bankare.

Guvernatorët vendosën gjithashtu, të rritet shkalla e informacionit që shkëmbehet rregullisht në fushën e mbikëqyrjes bankare, të krijohen rrjete komunikimi ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse në rajon, si dhe të krijohen grupe pune për të eksploruar mundësitë e përafrimit të praktikave rregullatore dhe mbikëqyrëse, duke përfshirë ato që synojnë ndalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit.

Guvernatorët ranë dakord të konsiderohet mundësia e pjesëmarrjes në këtë kuadër të ri bashkëpunimi edhe për autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të tjera, të cilat janë përgjegjëse për grupe bankare që operojnë në Evropën Juglindore.

Së fundi, u ra dakord që takimi tjetër i guvernatorëve të Evropës Juglindore, të zhvillohet gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.