BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Shqipëria do të zbatojë Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së

Data e publikimit: 20.06.2017

 

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vizitoi Tiranën në datat 14-20 prill 2017, për të asistuar autoritetet shqiptare në zbatimin e Sistemit të Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (anglisht: Enhanced General Data Dissemination System e-GDDS), i cili është miratuar nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në maj të vitit 2015. Misioni mbështeti zhvillimin e Faqes Përmbledhëse të të Dhënave Kombëtare (anglisht: National Summary Data Page - NSDP), e cila do të paraqitet në faqen zyrtare të internetit të INSTAT-it dhe do të mundësojë Shkëmbimin e të Dhënave dhe Metadatave Statistikore (anglisht: Statistical Data and Metadata Exchange – SDMX). Faqja NSDP përmban linke të statistikave të publikuara nga prodhuesit zyrtarë të statistikave, përkatësisht Bankës së Shqipërisë, Institutit të Statistikave dhe Ministrisë së Financave. Kjo faqe synon të shërbejë si një qendër publikimi e përgjithshme për statistikat themelore makroekonomike.