BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Sqarim: Informacion sqarues mbi lajmin e dhënë mbi kartëmonedhën e re 2000 lekëshe që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë në qarkullim në dhjetor 2008

Data e publikimit: 19.03.2009

 

Nisur nga një shkrim i publikuar sot në gazetën e përditshme “Tirana Observer” me titull “Gafa në prerjen e re 2000 lekëshe”, Banka e Shqipërisë dëshiron të saktësojë për të gjithë median dhe opinionin e gjerë publik se vitet e vendosura përbri portretit të Mbretit Gent në kartëmonedhën e prerjes 2000 lekë me kurs ligjor, pasqyrojnë periudhën e mbretërimit dhe nuk kanë të bëjnë me lindjen dhe vdekjen e tij.

Në ndryshim nga kartëmonedhat e mëparshme në të cilat figurat e shquara historike shqiptare janë pasqyruar me vitin e lindjes dhe të vdekjes, në rastin e Mbretit Gent është përzgjedhur periudha e mbretërimit të tij, pasi nuk disponohen të dhëna historike lidhur me vitin e lindjes.

Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë dëshiron të sqarojë publikun se tematika e kësaj kartëmonedhe është përzgjedhur nga një juri, në përbërjen e të cilës kishte edhe historianë, studiues të fushës dhe artistë.

Banka e Shqipërisë fton gjithë të interesuarit që para se të shkruajnë mbi prerjet e kartëmonedhave apo monedhave të nxjerra prej saj, të konsultohen me Bankën e Shqipërisë, për të shmangur spekulimet e mundshme për një çështje të tillë me vlera kombëtare.