BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Sqarim për mediat Lidhur me aplikimin e subjektit "Credins sh.a" për licensë bankare

Data e publikimit: 20.01.2003

 

Duke parë interpretimet e fundit në mediat e shkruara dhe ato elektronike për "dhënien e licensës nga ana e Bankës së Shqipërisë për Credins Bank", sqarojmë si më poshtë:

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur kërkesa dhe dokumentacioni i plotësuar sipas kërkesave të rregullores ""Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", për licencimin e subjektit të propozuar "Banka Credins" sh.a. Vendimi për dhënien ose jo të licencës për të ushtruar veprimtari bankare merret nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i cili akoma nuk e ka marrë në shqyrtim këtë kërkesë.

Banka e Shqipërisë e boton këtë njoftim për të saktësuar informacionin e dhënë në Gazetën Shqiptare, të ditës së shtunë, datë 18 janar 2002 në artikullin me titull: Credins Bank, gati të marrë licensën--Vendimi më 29 janar, ku shkruhet shprehimisht "specialistët e Bankës së Shqipërisë kanë shqyrtuar për disa muaj me radhë kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar nga institucioni financiar Credins për hapjen e një banke dhe kanë vendosur për licensimin e saj"(?!). Më pas vazhdohet "dokumentacioni ka qenë i rregullt dhe ka marrë miratimin nga Banka e Shqipërisë"(?!).