BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim diskutimi "Procesi i përafrimit të vendeve të Evropës Juglindore me vendet e Bashkimit Evropian: Roli i sektorit financiar"

Data e publikimit: 03.05.2007

 

Në datën 3 maj 2007, Banka e Shqipërisë organizoi takimin e diskutimit me temë "Procesi i përafrimit të vendeve të Evropës Juglindore me vendet e Bashkimit Evropian: Roli i sektorit financiar". Takimi u zhvillua në ambientet e hotel Tirana International, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesve të bankave tregtare, të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

I ftuar i këtij takimi ishte z. Max Watson, i cili aktualisht është Këshilltar ekonomik i Drejtorit të Përgjithshëm të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare në Komisionin Evropian si dhe anëtar i St. Antony's College në Oksford. Puna e tij e tanishme është e përqendruar në zhvillimet ekonomike në Eurozonë si dhe në sistemet financiare të vendeve të Evropës Lindore.

Diskutimet u përqendruan rreth rolit të sektorit financiar në procesin e integrimit evropian në vendet e rajonit, duke u fokusuar në çështje të përbashkëta që karakterizojnë ekonomitë e vendeve tona, siç është rritja e shpejtë të kreditimit për sektorin privat, me një theks të veçantë në shpërndarjen sektoriale të burimeve. Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit, vitet e fundit ka përjetuar një bum të rritjes së kreditimit, i cili përkthyer në shifra reale do të thotë një rritje prej 56.7 për qind gjatë vitit 2006, çka përbën 21.3 për qind të PBB-së.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në fjalën e tij të hapjes u shpreh se: "ritmi relativisht i lartë i kreditimit të ekonomisë nga ana e sistemit bankar, ka vijuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti, duke sjellë në vëmendjen tonë si autoritet rregullativ i veprimtarisë bankare, nevojën për të monitoruar të gjitha rreziqet që përmban ky ekspansion".

Më konkretisht, kjo rritje ka çuar në rënien e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe likuiditetit, megjithatë bankat kanë vazhduar të jenë të kapitalizuara mirë, likuide si dhe fitimprurëse. Edhe testet tremujore të stresimit të kryera nga ana e Bankës së Shqipërisë, kanë treguar se sistemi bankar në vend është fleksibël kundrejt fenomeneve të mundshme shock, të lidhura me kursin e këmbimit, normat e interesit apo cilësisë së kredisë.

Në përfundim, Guvernatori Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontributin e saj aktiv në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, nëpërmjet mbajtjes së normave të ulta dhe të qëndrueshme të inflacionit si dhe të mbikëqyrjes së kujdesshme të sistemit bankar në vend, duke e qenë e vetëdijshme për rolin e saj si promotore e zhvillimit ekonomik të vendit, proces i cili natyrisht do të lehtësojë edhe integrimin në Bashkimin Evropian.