BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim diskutimi me sistemin bankar dhe biznesin me temë: “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Perspektiva e kreditimit 2016”

Data e publikimit: 03.03.2016

 

Në datë 3 mars 2016, në ambientet e Bankës Shqipërisë u mbajt takimi me temë: “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Perspektiva e kreditimit 2016”. Në këtë takim ishin të ftuar shoqatat e ndryshme të biznesit si dhe drejtuesit e sistemit bankar.

Takimi u organizua me iniciativën dhe nën  drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Gent Sejko dhe synonte intensifikimin e dialogut dhe të mirëkuptimit mes sistemit bankar nga njëra anë dhe komunitetit të biznesit nga ana tjetër, me synim final nxitjen e kreditimit të ekonomisë e për rrjedhim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik të vendit.

 

11

 

22

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi rolin vital që luan sistemi bankar dhe biznesi në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe domosdoshmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes këtyre aktorëve në të ardhmen e afërt. Ai u bëri thirrje bankave që të jenë më aktive, duke iu rikthyer rolit tradicional të bankës tregtare, atë të kreditimit të ekonomisë. Nga ana tjetër, Guvernatori Sejko u shpreh se, edhe komuniteti i biznesit duhet të ridimensionojë qëndrimin e tij, veçanërisht duke rritur shkallën e profesionalizmit në hartimin dhe zbatimin e projekteve për të cilat kërkohet mbështetje me kredi nga bankat.

333


Gjatë fjalës së tij, ai u ndal dhe në zhvillimet kryesore në sektorin financiar, ku theksoi se zbatimi i planit ndërinstitucional për uljen e kredive me probleme ka ndikuar pozitivisht në bilancet e bankave. Guvernatori veçoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, të cilat tregojnë se ambienti ekonomik ofron mundësi të shumta  për të bërë biznes në Shqipëri. Reformat strukturore kanë filluar të japin efektet e para, ndërkohë që Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të japë kontributin e saj në këtë drejtim nëpërmjet politikës së saj monetare lehtësuese dhe bashkëpunimit me të gjithë faktorët relevantë.

44

Në kushtet kur situata ekonomiko financiare e vendit paraqitet më e stabilizuar, dhe për më tepër, kur gjendja e sistemit bankar në raport me kapitalizimin, likuiditetin dhe shëndetin financiar është shumë e favorshme, atëherë ekzistojnë të gjitha mundësitë për një ringjallje të qenësishme të aktivitetit kreditues. Guvernatori Sejko u bëri apel përfaqësuesve të bankave tregtare në vend që këtë tablo të ekonomisë shqiptare ta përcjellin dhe tek mëmat e tyre, për t’i bindur ato, se tashmë Shqipëria ofron të gjitha kushtet e nevojshme për rritjen e kreditimit.

Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Z. Christian Canacaris, theksoi se perceptimet dhe pritshmëritë e përgjithshme për aktivitetin ekonomik të vendit janë përgjithësisht optimiste e për rrjedhim objektivat e sistemit bankar në lidhje me kreditimin e ekonomisë gjatë vitit  2016  janë në rritje. Viti 2015 shënoi një ulje të kënaqshme të nivelit të kredive me probleme, e cila erdhi kryesisht për shkak të përpjekjeve të koordinuara të bankave dhe zbatimit të masave të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë ky proces duhet të vazhdojë edhe më tej, ku një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet procesit të përmirësimit të ekzekutimit të kolateralit.

 

55

 

66


Nga ana e saj, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, znj. Ines Muçostepa, në fjalën e saj u shpreh se biznesi vlerëson orientimin e bankave në kreditimin e sektorëve të rinj të ekonomisë shqiptare me potencial të lartë zhvillimor si bujqësia e turizmi. Ajo apeloi për rritjen e mëtejshme të mbështetjes së bizneseve që operojnë në këta sektorë. Zj. Muçostepa theksoi se bankat duhet ta shikojnë biznesin si partner dhe jo si klient të rastësishëm.

Më tej takimi - i cili zgjati më shumë se dy orë - u zhvillua në formën e një debati të hapur ku përfaqësuesit e të dy grupeve të interesit shprehën mendimet dhe opinionet e tyre se si të forcohet më tej bashkëpunimi biznes - bankë. Përfaqësues të biznesit ndër të tjera u shprehën se krijimi i një kulture financiare është i domosdoshëm. Sa më e edukuar financiarisht të jetë një shoqëri aq më e aftë është ajo të marrë vendime të duhura financiare. Një pikë tjetër ku u ndal komuniteti i biznesit ishte rritja e rolit këshillues nga ana e sistemit bankar, ndërkohë që kërkuan që ky i fundit të përcaktojë prioritetet e nevojshme në trajtimin e  bizneseve në vështirësi. Lehtësimi i procedurave për marrjen e një kredie, ishte një tjetër pikë e diskutimit. Biznesi kërkoi nga bankat që këto procedura të jenë në përputhje me realitetin shqiptar. Rritja e kreditimit për sektorin e bujqësisë, erdhi si kërkesë nga përfaqësuesit e agrobiznesit. Drejtuesit e sistemit bankar, nga ana e tyre, kërkuan një angazhim më të lartë nga biznesi në projekte sa më realiste dhe të mirëstudiuara, si e vetmja rrugë për të rritur kreditimin. Një tjetër pikë e rëndësishme për ta, mbetet dhe  formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë, i cili do të lehtësonte edhe më shumë procesin e kredidhënies.

Në përfundim, takimi u vlerësua shumë i dobishëm nga të gjithë pjesëmarrësit, si një nismë për të hapur një dritare të re në dialogun bankë - biznes.