BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim i Guvernatorit Sejko me përfaqësues të shoqatave të bizneseve eksportuese

Data e publikimit: 08.05.2023

 

Në datën 8 maj 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese për të diskutuar mbi shqetësimet e ngritura nga ata lidhur me forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhës euro.

 DSC0129 498

Ky takim u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe tryezës së diskutimit për të vlerësuar shqetësimet e tyre, për tu informuar lidhur me situatën si dhe për të sugjeruar instrumente e alternativa të koordinuara me industrinë financiare.

Në këtë takim mori pjesë gjithashtu dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë zj. Delina Ibrahimaj, së bashku me përfaqësues të tjerë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) si dhe drejtues nga Banka e Shqipërisë (BSH).

 DSC9476 498

Nga ana e eksportuesve të pranishëm ishin z. Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit, z. Lumtor Shkreli, Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri, z. Edvin Prence dhe z. Florjon Zekja, Shoqata Proeksport Albania, z. Filip Gjoka, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Guvernatori Sejko e hapi këtë takim duke theksuar se Shqipëria prej shumë vitesh ndjek një regjim të lirë kursi këmbimi. Në zbatim të këtij regjimi, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.

 DSC9599 498

Për sa i përket trendit forcues të monedhës vendase, sipas analizave të kryera, Banka e Shqipërisë gjykon se ky pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, të shfaqura këto në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe në rritjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare.

Gjithashtu Guvernatori shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.

 DSC9573 498

Forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar qëndrueshmërinë e bilanceve financiare të kredimarrësve në valutë, duke pasur një efekt direkt pozitiv në nivelin e kredive me probleme dhe në stabilitetin financiar të vendit.

Gjithashtu, ky forcim nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare përkundrazi, ai ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit në vend, i cili ka qenë dhe mbetet më i ulti në rajon, duke ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare. Si rrjedhojë, Shqipëria pati një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon gjatë vitit 2022.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet në vazhdimësi e angazhuar të krijojë një ambient monetar e financiar sa më të sigurt, të qëndrueshëm dhe transparent, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë.

Banka e Shqipërisë i ftoi eksportuesit të jenë vazhdimisht të kujdesshëm në strategjitë dhe planet e tyre të biznesit, si dhe të bashkëpunojnë sa më ngushtë me industrinë financiare, e cila ofron instrumentet e duhura për t'u mbrojtur ndaj këtyre rreziqeve.

“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme për t'ju ndihmuar me trajnime dhe ekspertizë për përdorimin e këtyre instrumenteve” – u shpreh Guvernatori.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese vlerësuan zhvillimin e këtij takimi si mjaft të frytshëm dhe reagimin e shpejtë të Bankës së Shqipërisë dhe MFE për shqetësimet e ngritura nga ata. Ata u shprehën se kërkesat e tyre iu janë adresuar të dy institucioneve për të vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmesës në kushtet e krijuara për këtë grup interesi. Ndërkohë vetë këto industri kanë filluar të marrin masa për të zvogëluar impaktin që ka nënçmimi i monedhës euro në ecurinë e biznesit të tyre.

Të dy institucionet (BSH-MFE) mbeten të angazhuara për të ndjekur dhe monitoruar me kujdes situatën me kursin e këmbimit dhe ndikimin e tij në sektorin e eksportit. Nga ana e tij Guvernatori theksoi se urat e bashkëpunimit do të mbeten të hapura dhe institucionet do të ndjekin hapat e nevojshëm në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar situatën nga ana fiskale si dhe për të mundësuar bashkëpunimin me sistemin bankar.

Në vijim u dakortësua për zhvillimin e një takimi të përbashkët me këto shoqata dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për të vlerësuar situatën dhe për të parë mundësitë e mbështetjes së mëtejshme.