BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim i Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Juglindore, Limassol, Qipro, 25 shkurt 2011

Data e publikimit: 28.02.2011

 

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Qipros, z. Athanasios Orphanides, guvernatorë ose përfaqësues të tyre nga bankat qendrore të Bosnjë- Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Rumanisë, Serbisë dhe Shqipërisë, si dhe përfaqësues nga Agjencia Bankare e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, u takuan në Limassol më 25 shkurt 2011.

Takimi u zhvillua në kuadrin e Memorandumit shumëpalësh të Bashkëpunimit, të nënshkruar në Athinë në korrik 2007. Ky memorandum ka për qëllim bashkëpunimin e mëtejshëm në fushat e mbikëqyrjes bankare dhe të stabilitetit financiar.

Sesioni i parë i takimit u përqendrua në zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në vendet e Evropës Juglindore, si dhe në situatën aktuale të sistemit bankar. Pjesëmarrësit vunë në dukje se, pavarësisht mjedisit sfidues ndërkombëtar, ka shenja të rigjallërimit dhe të rritjes graduale ekonomike në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës Juglindore. Gjithashtu, pjesëmarrësit theksuan se masat e kujdesshme të ndërmarra nga autoritetet mbikëqyrëse kanë kontribuar më tej në forcimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar rajonal dhe në rritjen e stabilitetit financiar.

Gjatë sesionit të dytë të takimit, pjesëmarrësit miratuan një kuadër për shkëmbimin e rregullt të informacionit, lidhur me grupet bankare të huaja që veprojnë në vendet e Evropës Juglindore. Sipas këtij kuadri, është krijuar një mekanizëm i përhershëm ndërmjet autoriteteve të mbikëqyrjes bankare të vendeve të Evropës Juglindore, i cili do të lehtësojë shkëmbimin e rregullt të informacionit dhe ndihmojë njohjen më të lartë të rreziqeve që hasin bankat e huaja, me shtrirje ndërkufitare në vendet e rajonit. Gjithashtu, ky kuadër do të lejojë identifikimin e dallimeve të mundshme në rregulloret dhe praktikat mbikëqyrëse kombëtare dhe do të rrisë bashkëpunimin në fushën e mbikëqyrjes.

Në përfundim, u ra dakord që takimi i ardhshëm të mbahet në Shqipëri në vitin 2012.