BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me nxënës, mësues dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit të Vlorës për lançimin e programit "Banka Qendrore në jetën të përditshme" në qytetin e Vlorës

Data e publikimit: 13.06.2008

 

Në datë 13 qershor 2008, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani kreu një takim me nxënës dhe mësues të shkollave të mesme të rrethit të Vlorës. Takimi u zhvillua në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme "Ali Demi". Në të morën pjesë rreth 150 veta, nxënës, mësues dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit të Vlorës.

Gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë në morinë e detyrave dhe angazhimeve të saj i ka dhënë një rëndësi të veçantë komunikimit, transparencës dhe edukimit ekonomiko-financiar të publikut. Kështu, nën shembullin edhe të bankave qendrore më të zhvilluara, është lançuar në vitin e kaluar një program edukimi, i quajtur "Banka Qendrore në jetën e përditshme." Në kuadër të këtij programi, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar në dy vitet e njëpasnjëshëm '07-'08, seminare trainuese me mësuesit e ekonomisë në shkollat e mesme të Tiranës; me gazetarët e rubrikave ekonomike në media; takime në shkollat e mesme të Tiranës, janë shkruar broshura edukuese mbi argumente të rëndësishme të Bankës Qendrore e të bankingut tregtar; takime dhe leksione të Guvernatorit me studentë dhe profesorë të Tiranës e jo vetëm, etj..

Kulmin e gjithë këtij aktiviteti, e shënoi konkursi midis shkollave të mesme të Tiranës " Vlera e vërtetë parasë!". Në të morën pjesë 20 shkolla publike dhe jopublike, që, u takuan midis tyre në dy faza.

Takimi në shkollën "Ali Demi" u mendua nga organizuesit si një mundësi e mirë për të komunikuar drejtpërdrejt me brezin e ri dhe mësuesit e tyre, dy nga grupet me të cilat Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori i saj kanë shumë kontakte e bashkëpunime, si edhe për të bërë publike se tashmë aktivitetet edukuese të programit "Banka Qendrore në jetën e përditshme", do të zhvillohen jo vetëm në qytetin e Tiranës por edhe në atë të Vlorës. U mendua që puna e programit të nisë me organizimin e seminareve trainuese për mësuesit e ekonomisë së zbatuar të shkollave të mesme të rrethit të Vlorës gjatë verës së këtij viti, për të vazhduar me organizimin e konkursit "Vlera e Vërtetë e Parasë", gjatë vitit shkollor 2008-2009.

Nisja e programit edukues pikërisht me këto dy aktivitete nuk është e rastësishme. Ashtu siç u tha edhe nga z. Fullani, gjatë takimit në shkollën "Ali Demi", në Vlorë, Banka e Shqipërisë do ta nisë zbatimin e programit të saj edukues me mësuesit dhe nxënësit e shkollave të mesme pasi "...financat, sikurse çdo gjë tjetër duhen mësuar! Duhen mësuar shpejt dhe mësimet duhet të jenë ato të duhurat! E sigurisht që vendi më i mirë për të mësuar është, shkolla. "

Gjatë fjalës së tij z. Fullani ndër të tjerash i foli të pranishmëve për rëndësinë e krijimit të një kulture të mirëfilltë ekonomiko-financiare në mirëqenien e gjithësecilit por edhe në mbarëvajtjen e ekonomisë shqiptare, në përgjithësi. Ambiciet e Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit ishin një tjetër temë e prekur nga z. Fullani. Ai u shpreh se edukimi është një çështje që u takon të gjithëve dhe se Banka e Shqipërisë synon ta shndërrojë informacionin dhe literaturën që lidhet me këtë fushë, në lehtësisht të kuptueshëm për të gjithë.

Ai gjithashtu, i njohu ata me mënyrat se si Banka e Shqipërisë mundohet të përçojë mendësinë, punën dhe edukimin ekonomiko-financiar tek publiku i ri, në mënyrë argëtuese.

Në mbyllje të aktivitetit Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani iu përgjigj pyetjeve të nxënësve mbi mënyrat e komunikimit të publikut me përfaqësues së Bankës mbi tema specifike të bankingut qendror, atij tregtar etj., mbi faqen web të Bankës së Shqipërisë posaçërisht për moshat e reja, mbi krizën financiare botërore etj..

Pas takimit të gjithë nxënësve pjesëmarrës iu shpërndanë pyetësorë, të përgatitur me qëllim njohjen e interesit dhe njohurive të tyre mbi Bankën e Shqipërisë dhe aktiviteteve të saj edukuese.