BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Takim rajonal i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në qytetin e Gjirokastrës
Data e publikimit: 05.10.2010
Në datën 30 shtator 2010, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi një takim rajonal në qytetin e Gjirokastrës me përfaqësues të komunitetit të biznesit, të pushtetit lokal dhe të sektorit bankar si dhe me akademikët e Universitetit Eqerem Çabej.
Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, z. Flamur Bime, Prefektja e Qarkut të Gjirokastrës, zj. Mimoza Çomo, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Gjirokastrës, z. Mustafa Devolli, dhe shumë të ftuar të tjerë.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Fullani u ndal në identifikimin e sfidave që përballet ekonomia, të cilat do të shërbejnë në orientimin e drejtimit të debatit për modelin e rritjes ekonomike në të ardhmen.
Në kuadër të angazhimit të Bankës së Shqipërisë për edukimin ekonomik dhe financiar të publikut, Guvernatori Fullani zhvilloi edhe një takim me nxënës dhe mësues të shkollës së mesme të qytetit të Gjirokastrës Asim Zeneli. Ndër të tjerash, z.Fullani zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit mbi rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka në ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptar. Ai gjithashtu nënvizojë domosdoshmërinë e krijimit të një kulture të mirëfilltë ekonomike dhe financiare në vend dhe angazhimin serioz që Banka e Shqipërisë ka treguar në këtë fushë. Të pranishmit u njohën edhe me risitë në programin e edukimit Banka Qendrore në jetën e përditshme për vitin shkollor 2010-2011.