BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim rajonal i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në qytetin e Korçës

Data e publikimit: 13.02.2009

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, sot në datën 12 Shkurt 2009, zhvilloi një takim rajonal në qarkun e Korçës.

Takime të këtij lloji Banka e Shqipërisë ka zhvilluar edhe në rajone të tjera të vendit. Nëpërmjet tyre ajo synon të prekë nga afër zhvillimin ekonomiko – financiar të rajonit, si dhe rolin e sistemit bankar në mbështetjen e këtij zhvillimi. Këto takime gjithashtu, i shërbejnë edukimit të publikut rreth rolit të Bankës së Shqipërisë, rreth ekonomisë e financave, në përgjithësi.

Pjesën qendrore të vizitës e zuri forumi i hapur me përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve bankare dhe financiare, përfaqësues të biznesit dhe akademikë të Fakultetit Ekonomik të universitetit “Fan Noli”. Gjatë fjalës së tij z. Fullani shpjegoi situatën më të fundit ekonomiko – financiare në vend si dhe përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të minimizuar në maksimium efektet negative që gjeneron kriza botërore. Ndër të tjera z. Fullani theksoi se megjithëse,- “ekonomia ndërkombëtare po përjeton një ngërç të papërjetuar më parë në historinë moderne të pas Luftës së Dytë Botërore”,- sistemi bankar shqiptar është fitimprurës, i kapitalizuar dhe likuid çka bën që ekonomia shqiptare të funksionojë në kushte optimale. Duke përmendur zhvillimet kryesore në arenën ndërkombëtare, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani ka trajtuar në mënyrë specifike aktivitetin ekonomik të vendit duke theksuar se sistemi bankar është treguar dinamik dhe efektiv në kanalizimin e kursimeve të ekonomisë drejt financimit të prodhimit apo konsumit të qytetarëve. I gjithë ky proces është lehtësuar edhe nga stabiliteti makroekonomik, i cili ka mundësuar uljen e perceptimit të rrezikut në ekonomi. Më pas, takimi ka vijuar në formën e një bashkëbisedimi të lirë me grupe të ndryshme interesi, të cilët kanë parashtruar shqetësimet dhe optikën e tyre lidhur me situatën aktuale ekonomiko-financiare.

semirar trajnimi korçë

shkolla raqi qirinxhi 1

takimi rajonal korce 1

takimi rajonal korce 2

Gjatë qëndrimit të tij në Korçë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, u ndal në Bashkinë e Korçës, ku u takua me kryetarin z. Niko Peleshi si dhe me përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit. Ndër te tjera, z. Fullani u shpreh se Korça është një rajon i rëndësishëm dhe me potencial për zhvillimin ekonomik të vendit. Takimi më pas ka vijuar me fjalën e Kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe të kryetarit të Dhomës së Tregtisë z. Ilir Selenica, të cilët kanë diskutuar hapur mbi projektet e mundshme dhe potencialet që ofron ky rajon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Takimi me mësues dhe nxënës të shkollës së mesme “Raqi Qirinxhi” në Korçë dhe “Fuat Babani” në Bilisht, ishte një tjetër iniciativë e ndërmarrë gjatë këtij takimi rajonal. Z. Fullani njohu nxënësit dhe stafin pedagogjik të këtyre shkollave, me projektet e Bankës së Shqipërisë në drejtim të trainimit të mësuesve si dhe të zhvillimit të konkursit “Vlera e vërtetë e parasë”. Z. Fullani u shpreh se për Bankën e Shqipërsië edukimi nuk ka çmim e pikërisht për këtë arsye, kemi vendosur që edhe këtë iniciativë të rradhës, të Bankës së Shqipërisë ta emërtojmë në këtë mënyrë. Ashtu si në aktivitete të tjera të këtij lloji, takimi ka përfunduar në formën e një bashkëbisedimi të lirë me nxënësit, lidhur me përgjegjësitë dhe objektivat kryesorë të Bankës së Shqipërisë.