BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim rajonal i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në qytetin e Kukësit

Data e publikimit: 12.09.2008

 

Në datë 12 shtator, 2008 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani ka zhvilluar një takim rajonal me temë "Sistemi bankar: nxitës i zhvillimit ekonomik", në qytetin e Kukësit. Në të, morën pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hashim Rexhepi, Kryetari i Bashkisë së Kukësit dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Gjok Uldedaj, kryetari i Komunës së Prizrenit, drejtues të lartë të sektorit bankar shqiptar, si dhe drejtues e pedagogë të degës së Fakultetit Ekonomik të Tiranës në Kukës.

guvernatori ne takimin 3

Ky takim, vjen pas atyre të zhvilluar në rrethin e Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Sarandës. Banka e Shqipërisë synon jo vetëm të prezantohet si një partner i besueshëm i zhvillimit ekonomik të rajonit, por edhe të ndërtojë e konsolidojë ura komunikimi me të gjithë aktorët e grupet e interesit.

Fjalimin kryesor në takim e mbajti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani. Ai trajtoi çështje që lidhen me zhvillimet më të fundit të ekonomisë ndërkombëtare; me situatën ekonomike në vendin tonë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimit të përgjithshëm (ekonomik, financiar e kulturor) të Qarkut të Kukësit.

Në fjalën e tij, zoti Fullani bëri një paraqitje të shpejtë të zgjerimit gjeografik dhe shtimit të shërbimeve të sistemit bankar shqiptar. Nga ana tjetër ai theksoi: Ne si institucion, kemi marrë një sërë masash për të rritur kujdesin në drejtim të stabilitetit të sistemit bankar... Zhvillimi i vrullshëm i sistemit bankar dhe rritja e konkurrencës kanë rritur domosdoshmërinë për marrjen e masave konkrete nga ana e Bankës së Shqipërisë për disiplinimin më të mirë të sistemit bankar në drejtim të vlerësimit të rreziqeve që lidhen me kredinë.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori ka vënë në dukje edhe potencialin e Qarkut të Kukësit për t'u shndëruar në një zonë me ekonomi të zhvilluar, me burime njerëzore të kualifikuara, turizëm malor, etnografik dhe kurativ, me një infrastukturë rrugore bashkëkohore, si edhe me aktivitet tregtar dhe bashkëpunim ndërkufitar të zhvilluar.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hashim Rexhepi shprehu bindjen e tij se kjo zonë, në të dyja anët e kufirit, do të ecë njëkohësisht në rrugën e këtij zhvillimi të shumanshëm.

Takimi më pas ka vijuar me diskutime të hapura mbi projektet e mundshme dhe potencialin që ofron ky rajon. Përfaqësues të biznesit të pranishëm në sallë, janë shprehur për rritjen e bashkëpunimit me bankat tregtare, të cilat përbëjnë një mbështetje të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre ekonomik. Ata kanë theksuar se zgjerimi i sistemit bankar në qarkun e Kukësit, natyrshëm ka ndikuar edhe në rritjen e vlerës së biznesit në këtë zonë.

Pjesëmarrësit e vlerësuan këtë iniciativë të Bankës së Shqipërisë për komunikim të drejtpërdrejtë me aktorët ekonomikë rajonalë, duke theksuar se përfitimi do të jetë i ndërsjellë si për sistemin bankar ashtu edhe për komunitetin e biznesit.

Takimi i Guvernatorit të Bankëes së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hashim Rexhepi.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hashim Rexhepi. Në të u diskutua kryesisht për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh që ekziston midis dy institucioneve, si ai në fushën e mbikëqyrjes bankare, mbarëvajtjes së sistemit të pagesave, zhvillimit të trainimeve për burimet njerëzore të të dy institucioneve etj.. Një vend të veçantë zuri dhe diskutimi mbi intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit të publikut. Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hashim Rexhepi, vlerësoi si shumë të dobishme dhe interesante përvojën e Bankës së Shqipërisë në këtë fushë.


Dita e Bankës së Shqipërisë

Në vijim të vizitës së tij në Kukës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani së bashku me drejtues e punonjës të Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar në degën e Fakultetit Ekonomik të Tiranës në Kukës "Ditën e Bankës së Shqipërisë".

Ky aktivitet mbahet në ditë të veçanta të vitit dhe deri më tani është zhvilluar në qytetin e Tiranës dhe Elbasanit. Ai u krijon mundësinë studentëve që të ndjekin prezantime dhe të zhvillojnë takime e biseda të hapura me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me drejtues e specialistë të saj. Në ditë të tilla, Banka e Shqipërisë organizon në hollet e universiteteve edhe minipanaire, ku ekspozohen botimet e saj si: raportet e ndryshme periodike, librat e konferencave, materialet e diskutimit, si edhe broshurat e saj edukative.