BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim rajonal i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në qytetin e Sarandës

Data e publikimit: 24.09.2007

 

Në datën 24 shtator 2007, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim rajonal në qytetin e Sarandës me përfaqësues të pushtetit lokal, të sektorit bankar, të komunitetit të biznesit të Sarandës, Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës, Përmetit si dhe përfaqësues të Universitetit të Gjirokastrës. Takimi është vazhdim i një dialogu institucional që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar kohët e fundit me grupe të ndryshme interesi.

Banka e Shqipërisë beson se komunikimi i drejtpërdrejtë me aktorët e ndryshëm dhe publikun në përgjithësi, është një faktor i rëndësishëm në rritjen e efektivitetit të vendimmarrjes në fushën e politikës monetare dhe të stabilitetit financiar të vendit. Kuptimi dhe interpretimi i saktë i sinjaleve dhe i vendimeve të saj ndihmon në përmbushjen e objektivit kryesor, ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.

2007 09 takim sarande 1152 0

Në takimin e radhës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u përqendrua në trajtimin e disa çështjeve, të cilat kohët e fundit kanë zënë një vend qendror në mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Stabiliteti i çmimeve të konsumit përbën prioritetin kryesor të Bankës së Shqipërisë e për rrjedhim në fjalimin e tij, z. Fullani u shpreh se "... mbetemi të vendosur në përpjekjen tonë për të mbajtur të ankoruara pritjet inflacioniste rreth nivelit 3 për qind, i cili është dhe objektivi ynë numerik. Për këtë qëllim, ne do të vazhdojmë të orientojmë vendimmarrjen tonë politike dhe atë operacionale për t'i shërbyer këtij objektivi.".

Një tjetër çështje e trajtuar nga Guvernatori ishte dhe perfeksionimi i mëtejshëm i tregut financiar, veçanërisht i atij bankar. Sistemi bankar shqiptar është në gjendje të shëndoshë financiare, i kapitalizuar dhe fitimprurës. Filozofia mbizotëruese në këtë drejtim, ka qenë konsolidimi i sistemit bankar nëpërmjet proceseve të blerjeve dhe bashkimit, me synim tërheqjen e investitorëve me reputacion të njohur ndërkombëtar, me eksperienca të pakontestueshme në biznesin bankar. Pavarësisht kësaj, z. Fullani i tërhoqi vëmendjen sistemit bankar për një përqendrim më të madh si në drejtim të rritjes së eficiencës të tregut financiar ashtu edhe në drejtim të administrimit më të mirë të rrezikut.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ka progres në ecurinë e tregut financiar në përgjithësi, megjithëse sfidat e momentit imponojnë domosdoshmërinë për reforma të mëtejshme. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në këtë drejtim dhe "... shumë shpejt do të dalë me një paketë të veçantë, në qendër të së cilës është efikasiteti i tregut financiar, veçanërisht i atij bankar. Pjesë e kësaj pakete është ligji i ri për marrëveshjet e riblerjes, ndryshimet rregullative në mbajtjen dhe llogaritjen e rezervës së detyruar, rrallimi i ankandeve të bonove të thesarit nga këndvështrimi kohor si dhe prezantimi i përqindjes bazë referencë." - u shpreh zoti Fullani në këtë takim.

Zhvillimi dhe përsosja e tregut financiar, natyrshëm lidhet edhe me forcimin e stabilitetit financiar, një sfidë e përhershme për Bankën e Shqipërisë. Hyrja e bankave të reja ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e vlerës së biznesit bankar në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm konkurrencën midis bankave, gjë që pasqyrohet sidomos në rritjen e shpejtë të portofolit të tyre të kredisë. Shifrat flasin për një rritje të tepricës së kredisë prej 8 pikë përqindjeje të PBB-së për tre vitet e fundit, ndërsa në muajin korrik rritja vjetore e saj ishte mbi nivelin 50 për qind, e cila mund të arrijë në 28 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto për vitin 2007. Pavarësisht se kemi të bëjmë me një proces të natyrshëm, që shoqëron veprimtarinë e biznesit bankar, përsëri ka vend "... për një zbatim sa më rigoroz të të gjitha rregulloreve dhe standardeve përkatëse".

Në fjalën e tij, zoti Fullani u ndal edhe një herë në disa prej çështjeve të trajtuara më parë; qeverisjes së bankave tregtare, kontrollit të brendshëm të tyre, shërbimeve në sportel dhe transparencës.

Çështjet e trajtuara në takim ngjallën diskutime interesante ndërmjet publikut dhe panelit ligjërues. Përfaqësuesit e pushtetit lokal bënë një paraqitje të projekteve ekonomike dhe të infrastrukturës për qytetet e tyre. Ata gjithashtu, evidentuan potencialin turistik të rajonit, por shfaqën shqetësime mbi mungesën e fondeve për zhvillimin e turizmit. Përfaqësues nga pushteti lokal e financiar paraqitën kërkesën e tyre të përbashkët mbi formulimin dhe miratimin e ligjit për huamarrjen publike. Ky ligj do të ndihmojë bashkitë të përfitojnë sa më shumë nga huamarrja prej bankave tregtare dhe nga ana tjetër, këto të fundit do të jenë më pak të rrezikuara në dhënien e kredive për pushtetin lokal. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë po jep konsulencën e saj për një formulim sa më efikas të ligjit.

Ndërmjet të tjerash, gjatë takimit u kërkua dhe një komunikim më i sinqertë midis bankave tregtare dhe biznesit. Bizneset duhet të jenë më transparente mbi aktivitetet e tyre dhe bankat me gjithë punën e mirë që kanë bërë në kuadër të transparencës, duhet të përmirësojnë komunikimin me publikun, për të arritur standardet e synuara evropiane. Pjesëmarrësit e vlerësuan takimin si shumë të vlefshëm jo vetëm për rajonin, por edhe për bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë e komunitetit financiar.

Gjatë qëndrimit të tij në Sarandë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë në mjediset e degës së Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Zoti Fullani foli mbi mundësitë e shumta për bashkëpunim, ku veçoi ndihmën e Bankës së Shqipërisë për pasurimin e bibliotekës së këtij fakulteti si dhe mundësinë për programe afatshkurtra trajnimi të studentëve në Bankën e Shqipërisë.

Gjithashtu, nën shoqërimin e Kryetarit të Bashkisë së Sarandës, Guvernatori Fullani zhvilloi vizita dhe në disa nga investimet në fushën e agrobiznesit së këtij qyteti. Gjatë këtyre takimeve zoti Fullani u njoh më nga afër me aktivitetin ekonomik të rrethit të Sarandës.