BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, gjatë takimeve të pranverës, Prill 2005

Data e publikimit: 21.04.2005

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Guvernator i Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Ardian Fullani, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Federal Reserve, FSVC dhe FDIC.

Gjatë takimeve, z. Fullani i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet aktuale të ekonomisë shqiptare, me problemet dhe me perspektivën e zhvillimit të vendit, si dhe me masat që po ndërmerren në drejtim të procesit të integrimit evropian. Në këtë kuadër, z. Fullani rikonfirmoi edhe një herë angazhimin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të: kontrollit të inflacionit brenda intervalit 2-4 për qind; konsolidimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të sektorit bankar; marrjes së masave konkrete për zhvillimin e sektorit financiar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri një përmbledhje të nismave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, në lidhje me reduktimin e cash-it në ekonomi. Z. Fullani paraqiti angazhimin e Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, për përfundimin në kohë të projektit të kleringut të pagesave në shuma të vogla, projekt i cili përbën një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një sistemi modern pagesash. Gjithashtu, në emër të Bankës së Shqipërisë, z. Fullani u angazhua për ngritjen e Zyrës së Informacionit të Kredive, një projekt ky i cili do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Në të gjitha takimet u vlerësua pozitivisht roli i Bankës së Shqipërisë në drejtim të stabilitetit makroekonomik si dhe hapat e ndërmarrë prej saj për konsolidimin dhe zhvillimin e sektorit bankar financiar. Nga përfaqësuesit e lartë të institucioneve të mësipërme u shpreh gatishmëria për të asistuar dhe për të ndihmuar më tej në të ardhmen Bankën e Shqipërisë me projekte si edhe me asistencë teknike.

Në vijim do të gjeni një përmbledhje të shkurtër të çështjeve kryesore të diskutuara gjatë takimeve të zhvilluara.


Takim me znj. Anne O. Krueger, Zëvendëse e Parë e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Guvernatori i shprehu znj. Krueger falenderimet për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e frytshëm me FMN si dhe vlerësoi punën e mirë të kryer nga misioni i FMN, i kryesuar nga z. Escolano, në mbështetjen e reformave. Znj. Krueger vlerësoi arritjet pozitive të Shqipërisë dhe marrëdhëniet e FMN-së me Bankën e Shqipërisë gjatë 15 viteve të fundit si edhe reformat strukturore në vazhdim.

Guvernatori e siguroi znj. Krueger për vazhdimësinë e reformave, duke rritur përgjegjësinë dhe angazhimet për realizimin e objektivave, si dhe për ruajtjen e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet transparencës, përgjegjësisë, seriozitetit dhe bashkëpunimit e komunikimit më të mirë me institucionet përkatëse.

Takim me z. Michael Deppler, Drejtor i Departamentit EU1 të FMN.

Guvernatori Fullani e njohu z. Deppler me angazhimet e Bankës së Shqipërisë për zgjerimin dhe thellimin e tregjeve financiare shqiptare, duke u përqendruar kryesisht në reformimin e tregut të bonove të thesarit. Përmirësimi rrënjësor i statistikave ekonomike ishte një tjetër pikë, e cila u theksua nga z. Fullani si çështje me rëndësi parësore për Shqipërinë. Gjithashtu, Guvernatori shprehu edhe angazhimin e tij personal për të kryer përmirësimet e nevojshme në strukturën organizative, në kuadër të modernizimit të Bankës së Shqipërisë dhe në rritjen e kapaciteteve njerëzore të saj në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Z. Deppler konfirmoi edhe një herë mbështetjen e FMN-së për procesin e refomave dhe të tranzicionit në Shqipëri dhe u angazhua për shtimin e ndihmës dhe të asistencës teknike të FMN.

Takim me z. Enoch, Drejtor i Departamentit Financiar dhe Monetar, FMN.

Ndër të tjera, në këtë takim Guvernatori i shprehu falenderimet për asistencën e dhënë në drejtim të organizimit të konferencave dhe seminareve të ndryshme, siç ishte dhe seminari i fundit i organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me FMN për Stress Testing, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga 17 vende të ndryshme të botës.

Nga ana e tij, z. Enoch u shpreh i gatshëm për të ndihmuar edhe në të ardhmen Bankën e Shqipërisë, duke iu shtuar fushave aktuale të bashkëpunimit edhe asistencën për administrimin e rezervës valutore, në përputhje me teknikat dhe me standardet ndërkombëtare.

Gjithashtu, ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Bankën e Shqipërisë në organizimin dhe mbajtjen e forumit të hapur "Qeverisja e Bankës Qendrore", që do të mbahet në fillim të dhjetorit 2005.

Takim me z. Pier Carlo Padoan, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë (FMN).

Në këtë takim, Guvernatori bëri një paraqitje të masave që po merr në drejtim të thellimit të reformave për zgjerimin dhe për thellimin e mëtejshëm të tregut financiar. Këtu u përmendën hapat që po ndërmerr Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, bankat e nivelit të dytë dhe Komisionin e Letrave me Vlerë në drejtim të ristrukturimit të tregut primar të bonove të thesarit.

Z. Padoan vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë në informimin dhe organizimin e këtij tregu.

Z. Padoan vlerësoi si të suksesshme marrëdhëniet historike të FMN me Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së institucioneve të besueshme si dhe kordinimin e punës së tyre për arritjen e objektivave të strategjive të zhvillimit të vendit. Në këtë drejtim, Guvernatori i bëri të ditur z. Padoan nismën e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për reduktimin e cash-it në ekonomi.

Me mjaft interes u prit marrja e masave dhe nxitja e tregut për përdorimin e kartave të kreditit si edhe për realizimin nga ana e Ministrisë së Financave, të një programi "pilot" për vendosjen dhe aplikimin e arkave rregjistruese të lëvizjeve të "cash"-it.

Takim me z. Julio Escolano, Shefi i Misionit për Shqipërinë (FMN).

Në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare në drejtim të arritjes së stabilitetit makroekonomik dhe të përmbushjes së objektivave të programit të Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Social të vendit. Ndër të tjera, Guvernatori e njohu shefin e misionit të FMN me punën e Bankës së Shqipërisë në drejtim të përmirësimeve strukturore në fushën e statistikave dhe të teknologjisë së informacionit, me masat që po ndërmerr Banka e Shqipërisë në drejtim të thellimit dhe zgjerimit të tregut financiar. Gjithashtu, Guvernatori parashtroi edhe nevojën e rritjes së përpjekjeve të të gjithë faktorëve të interesuar për të patur një "country rating" për Shqipërinë, duke i rritur asaj mundësinë e aksesit në tregjet financiare ndërkombëtare.

Në vijim, takimi u përqëndrua në natyrën e marrëveshjes pasardhëse që do të nënshkruajë Shqipëria me FMN dhe BB. Kjo marrëveshje, e cila pritet të nënshkruhet gjatë gjysmës së dytë të vitit, do të vazhdojë të fokusohet në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik në përgjithësi dhe të atij të çmimeve në veçanti, duke theksuar njëkohësisht vazhdimin e reformave në fushat e politikës dhe të administrimit fiskal, në zhvillimin e sistemit financiar, në sistemin ligjor, në praktikat administrative etj..

Takime me z. Biaggio Bossone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, zj. Orsalia Kalantzopoulos BB.

Në këto takime, ku ishin të pranishëm Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Ministri i Financave, u vlerësuan nga të dyja palët marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të detajuar në lidhje me natyrën dhe me modalitetet e marrëveshjes pasuese. Sipas diskutimeve, kjo marrëveshje pritet të rritë fokusimin në projektet e zhvillimit rajonal, si një masë konkrete në drejtim të reduktimit të varfërisë dhe luftës ndaj shkaktarëve të emigracionit të brendshëm.

Guvernatori vlerësoi angazhimin e Bankës Botërore për realizimin e projekteve të ndryshme të Bankës së Shqipërisë si edhe kërkoi mbështetje financiare për krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredisë.

Takim me z. Richard Spillenkothen, Drejtor i Departamentit të Supervizionit në Federal Reserve (FED).

Në këtë takim u diskutuan zhvillimet ekonomike të vendit, zhvillimet e sektorit bankar, puna që po bën Banka e Shqipërisë për zhvillimin dhe konsolidimin e këtij sektori, hapat e marrë për zhvillimin e sektorit financiar, bashkëpunimi me bankat rajonale në fushën e mbikëqyrjes bankare, përmirësimet ligjore në ligjin për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë, mbikëqyrja e institucioneve jobanka, zhvillimi i seminareve të ndryshme me karakter lokal dhe internacional etj.

Nga ana e z. Spillenkothen u shpreh gatishmëria e Federal Reserve për ti dhënë ndimesë teknike Bankës së Shqipërisë.

Takim me z. Andrew Spindler, Drejtor Ekzekutiv i Korporatës së Vullnetarëve të Shërbimeve Financiare (FSVC).

Guvernatori shprehu falenderimet për bashkëpunimin e mirë me FSVC në drejtim të asistencës teknike të dhënë departamenteve të Bankës së Shqipërisë dhe e siguroi z. Splinder për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi.
Z. Splinder siguroi z. Fullani që FSVC do të vazhdojë këshillimin në sektorë dhe departamente ku ka më shumë nevojë Banka e Shqipërisë, duke gjetur ekspertë profesionalisht të mirë, si edhe ofroi gatishmërinë për të dhënë ndihmesë teknike edhe në hartimin e politikave dhe të strategjive, jo vetëm në nivele teknike.

Takim me z. John M. Reich, Zëvendëskryetar i FDIC dhe z. Robert W. Russel, Zëvendës i Zëvendëskryetarit të Kompanisë së Sigurimit të Depozitave (FDIC).

Në takim u diskutuan çështje të konsolidimit të sistemit bankar, të zhvillimit të skemave të sigurimit të depozitave, krijimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD). Në këtë drejtim, Guvernatori i kërkoi FDIC-së asistencë teknike në drejtim të administrimit, si edhe në drejtim të përmirësimit të ligjit të sigurimit të depozitave. Kjo asistencë mund të jepet nëpërmjet FSVC, që ka një eksperiencë të mirë në këtë fushë.

Nga ana e tij, z. Russel u shpreh i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin e filluar, si edhe për të dhënë ndihmesë teknike Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Shqipëri.