BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimi XIX i Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Azisë Qendrore, të Detit të Zi dhe të rajonit të Ballkanit

Data e publikimit: 26.05.2008

 

Në datat 23-24 maj 2008, nën kujdesin e veçantë të z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Zëvendëskryetar i Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit për vitet 2007-2008, u zhvillua në Tiranë Takimi XIX i këtij Klubi.

Në këtë takim, morën pjesë guvernatorët e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, të Bankës së Greqisë, të Bankës Kombëtare të Kazakistanit, të Bankës Qendrore të Malit të Zi, të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, të Bankës Qendrore të Federatës Ruse, si dhe Guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, i cili është dhe aktualisht Kryetari i Klubit.

Në të njëjtën kohë, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Moldavisë, Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë si dhe përfaqësues të bankave qendrore të Azerbaixhanit, Republikës Kirgize, Bullgarisë dhe Izraelit.

Takimi i Tiranës u përshëndet nga Zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Evropiane, z. Lucas Papademos, i cili mbajti edhe një fjalim rreth përballimit të trazirave të tregjeve financiare me fokus në rifitimin e besimit dhe përforcimin e aftësisë përtëritëse të sistemit financiar. Takimi vijoi me fjalimet e z. Athanasios Orphanides, Guvernator i Bankës Qendrore të Qipros, i cili prezantoi përvojën qipriote në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë si dhe me prezantimin e z. Mario I. Blejer, ish-Guvernator i Bankës Qendrore të Argjentinës, i cili u përqendrua në sfidat kryesore me të cilat përballen aktualisht bankat qendrore në vendet në zhvillim. Sesioni i fundit i Takimit konsistoi në prezantimet nga ana e përfaqësuesve të bankave qendrore pjesëmarrëse rreth zhvillimeve ekonomike në vendet përkatëse, me një theks të veçantë në ecurinë e sistemeve financiare në përgjithësi, dhe atyre bankare në veçanti si dhe në veprimtarinë e bankave qendrore në këto vende.

Klubi i Guvernatorëve, i themeluar në vitin 1998, përfaqëson një forum të bankave qendrore, i cili synon të përforcojë marrëdhëniet ndërmjet bankave qendrore të rajonit, të promovojë bashkëpunimin në çështjet monetare, financiare dhe bankare si dhe të nxisë shkëmbimin e përvojave kombëtare në një mjedis të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Banka e Shqipërisë është anëtare e këtij Klubi që prej krijimit të tij.