BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me Zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Murilo Portugal

Data e publikimit: 21.05.2007

 

Në datën 21 maj 2007, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani ka zhvilluar një takim me Zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Murilo Portugal, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Fillimisht, Guvernatori Fullani ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për zbatimin e reformave të nevojshme në sistemin bankar shqiptar dhe konsolidimin e tij. Më tej, ai e ka njohur zotin Portugal me zhvillimet më të fundit makroekonomike në Shqipëri, me ecurinë e inflacionit dhe punën e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e tij nën kontroll, me ecurinë e kreditimit në vend dhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në këtë fushë, si dhe me zhvillimet në sektorin bankar.

Zoti Portugal nga ana e tij është shprehur se: "Shqipëria përfaqëson një vend që ka bërë një progres mjaft të mirë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, duke shfaqur për një kohë të gjatë ritme të larta të rritjes ekonomike, inflacion të ulët dhe dyfishim të të ardhurave për frymë. Një meritë e veçantë për këto arritje të mëdha i takon Bankës së Shqipërisë, e cila ka qenë mjaft e suksesshme në zbatimin e politikave monetare të saj, duke promovuar një ambient të shëndoshë ekonomik dhe duke kontribuar në konsolidimin e vazhdueshëm të tregut financiar në Shqipëri. Mendoj që Banka e Shqipërisë ka merituar jo vetëm besimin e fituar nga publiku shqiptar, por edhe besimin e partnerëve financiarë ndërkombëtare, siç duket dhe nga interesi i madh i tyre për t'u bërë pjesë e tregut bankar shqiptar si dhe nga interesi i investitorëve të huaj për të investuar në këtë treg".

"Një tjetër tregues për këtë sukses është rritja e kreditimit ndaj ekonomisë, e cila ka qenë një faktor nxitës për rritjen ekonomike dhe ne besojmë" - është shprehur Potugal - "që Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol mjaft të mirë në mbikëqyrjen e saj, në mënyrë që kjo rritje e shpejtë e kreditimit të jetë sa më e sigurt dhe të mos sjellë rreziqe për inflacionin. Unë pata rastin të diskutoj me Guvernatorin Fullani dhe stafin e tij për sfidat që do të sjellë integrimi evropian dhe mbeta mjaft i kënaqur me projektet dhe planet e Bankës së Shqipërisë, për të përmirësuar gjithnjë e më tepër ekspertizën teknike dhe proceset e veprimtarisë së saj si dhe për të rritur transparencën. Mendoj që një aspekt i rëndësishëm i këtyre arritjeve është edhe pavarësia që gëzon Banka e Shqipërisë, një shenjë shumë e mirë kjo që tregon se Banka e Shqipërisë ka pasur vazhdimësi pavarësisht ndryshimeve politike në vend dhe se ekziston një konsensus i përgjithshëm për rëndësinë që ka pavarësia e bankës qendrore.

Diskutimet përfunduan me një konkluzion kryesor që bashkëpunimi në të ardhmen me FMN-në, do të evoluojë me një konceptim të ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe FMN-së, që do të shoqërojë Shqipërinë nga pozicioni i kandidimit në hyrjen në familjen e madhe evropiane. Ne jemi të bindur - tha Guvernatori, - se Banka e Shqipërisë i ka të gjitha kapacitetet për të qenë një institucion i besueshëm për publikun shqiptar, për tregjet dhe ekonominë shqiptare, me qëllim që ky proces tranzicioni të përshkruhet në një mënyrë sa më të natyrshme.