BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me përfaqësues të komunitetit të biznesit, pushtetit lokal, sektorit bankar dhe akademikët e Universitetit të qytetit të Gjirokastrës

Data e publikimit: 31.03.2006

 

Sot, në datën 31 mars 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim në qytetin e Gjirokastrës me përfaqësues të pushtetit lokal, të sektorit bankar, të komunitetit të biznesit dhe akademikëve të Universitetit të Gjirokastrës. Ky takim u organizua si një vazhdim i nismës së ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për të zhvilluar takime të tilla në rajone të ndryshme të vendit, për të rritur rolin e degëve të Bankës së Shqipërisë dhe për të përmirësuar komunikimin me publikun. Komunikimi i Bankës së Shqipërisë me publikun është një proces i vazhdueshëm, i cili përbën një nga prerogativat kryesorë në përmbushjen me sukses të misionit të saj, zbatimit të një politikë monetare të suksesshme në kushtet e një stabiliteti financiar në rritje.

2005 03 31 gjirokaster

Në fjalën e tij, Guvernatori ka vënë një theks të veçantë në komunikimin me grupe të ndryshme të interesit, ku u ndal në dialogun insitucional dhe të vazhdueshëm që duhet ndërtuar me komunitetin e biznesit, me qarqet akademike, me sistemin bankar dhe studentët. Banka e Shqipërisë konsideron si jetikë sqarimin e elementeve të ndryshme të aktivitetit të bankës qendrore, duke shpresuar se në këmbim, me sjelljen e tyre, këto grupe interesi do të ndikojnë në përsosjen e kanaleve të transmetimit të vendimeve të Bankës së Shqipërisë, gjë që në fund të fundit, do të thotë një ekonomi më e shëndoshë e mirëqenie më e mirë sociale.

Edhe në këtë takim, Guvernator Fullani përsëri ka bërë një apel për reduktimin e ekonomisë informale, duke theksuar se bashkëpunimi me sistemin bankar në këtë drejtim ka qenë mjaft i rëndësishëm, por formalizimi i ekonomisë ka akoma nevojë për marrjen e masave nga ana e autoriteteve qeveritare. Megjithatë, rritja e gamës dhe e cilësisë së shërbimeve bankare, ulja e kostove të këtyre shërbimeve, kryerja e shërbimeve utilitare nëpërmjet sistemit bankar, si dhe shoqërimi i kartave të identitetit me llogari bankare, janë disa nga rrugët kryesore që mund të ndikojnë në uljen e informalitetit. Kalimi i pagave të sektorit privat nëpërmjet sistemit bankar do të përbënte gjithashtu, një hap shumë të rëndësishëm për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare. Reduktimi i informalitetit mund të indentifikohet me tre elemente të thjeshta në dukje, por thelbësore: pajsien e çdo individi me kartë identiteti, me adresë postare dhe me llogari bankare.

Në këtë kuadër, një tjetër çështje e trajtuar nga Guvernatori ka qenë edhe perfeksionimi i mëtejshëm i tregut financiar, me theks të veçantë në tregun primar të bonove të thesarit. Banka e Shqipërisë, në përputhje me strategjinë e saj për një dalje graduale nga roli i ndërmjetësuesit që ajo u ofron individëve për të marrë pjesë në tregun primar të bonove të thesarit, ka filluar të mos pranojë para cash në sportelin e saj. Kjo është një hapësirë e madhe që i krijohet sistemit bankar, për t'u përfshirë në mënyrë të natyrshme në këtë proces, duke realizuar edhe misionin e tij kryesor, ndërmjetësimin financiar në ekonomi. Guvernatori Fullani theksoi edhe një herë se roli i Bankës së Shqipërisë në këtë proces mbetet ai klasik si agjente e Ministrisë së Financave, që lehtëson procedurat në lidhje me ankandet e shitjes së bonove në tregun primar.

Përsosja e tregut financiar, natyrshëm imponon domosdoshmërinë e forcimit të stabilitetit financiar të sistemit bankar. Vitet e fundit ka pasur arritje në këtë drejtim, dhe një tregues i qartë është ruajtja e një portofoli të shëndoshë të kredisë nga ana e sistemit bankar. Megjithatë Guvernatori Fullani, ashtu si në shumë nga daljet e tij të kohëve të fundit në publik, ka theksuar domosdoshmërinë për një kujdes më të madh në monitorimin dhe mbikëqyrjen e ekspansionit të madh të kredisë për ekonominë. Siç dihet, vitin e fundit kredia për ekonominë pothuajse është dyfishuar, ndërkohë që shenjat e para nga viti 2006 flasin për një tjetër zhvillim të kësaj natyre. Në këto kushte Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Guvernatorit të saj i tërheq vëmendjen sistemit bankar, që të jetë më vigjilent në këtë drejtim, në mënyrë që shtimi i kredive të mos shoqërohet me përkeqësim të portofolit.