BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Tryezë diskutimi e Bankës së Shqipërisë me sistemin bankar dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave

Data e publikimit: 13.07.2023

 

Në datë 13 korrik 2023, në ambientet e Bankës Shqipërisë, u mbajt një tryezë diskutimi midis Bankës së Shqipërisë, Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe drejtuesve të bankave tregtare që operojnë në vendin tonë. Takimi u organizua me nismën dhe nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në kuadër të ndërtimit të një dialogu të vazhdueshëm me sistemin bankar, si dhe të intensifikimit të bashkëpunimit për çështje me rëndësi të veçantë aktuale.

 DSC7762 498

Gjatë takimit u prezantua vlerësimi i Bankës së Shqipërisë për situatën financiare në vend, zhvillimet e kësaj periudhe dhe  sfidat e së ardhmes. Vitet e fundit kanë qenë të vështira dhe sfiduese, si për ekonominë shqiptare ashtu dhe për industrinë bankare. Goditjet e shpeshta dhe komplekse me të cilat jemi përballur - tërmeti, pandemia dhe çmimet e larta në tregjet botërore - kanë kërkuar vendime kurajoze e largpamëse. Megjithatë, deri tani ne kemi arritur të ruajmë jo vetëm stabilitetin e përgjithshëm monetar e financiar të vendit, por edhe trendin pozitiv të rritjes ekonomike.

 DSC7783 498

Shëndeti financiar i ekonomisë shqiptare është i konsiderueshëm, falë përmirësimeve të vazhdueshme në sektorin e jashtëm, vënies nën kontroll të borxhit publik dhe fleksibilitetit operacional e bilanceve të shëndosha të biznesit shqiptar.

 DSC7985 498

Po ashtu, sektori bankar paraqitet me bilance të shëndetshme dhe një shkallë të lartë rezistence ndaj goditjeve të mundshme. Kjo rezistencë pasqyron modelin e tij të qëndrueshëm të biznesit, shkallën e lartë të likuiditetit dhe nivelin e kënaqshëm të kapitalizimit. Ky sektor, në tërësi, shfaq një maturi të shtuar e përqasje pro-aktive ndaj kreditimit të ekonomisë. Banka e Shqipërisë mbetet e bindur se sektori bankar do të vazhdojë të mbështesë me fonde e kredi ekonominë shqiptare, gjatë vitit 2023 e në vazhdim.

 DSC7860 498

Një çështje me rëndësi e diskutuar gjatë takimit ishte dhe forcimi i kursit të këmbimit, ndikimi i tij në ecurinë e disa prej bizneseve eskportuese shqiptare dhe kontributi që mund të japë sistemi bankar në këtë drejtim. Forcimi i kursit të këmbimit të Lekut ka pasqyruar përmirësimin e vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe rritjen e interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare. Nga ana e Bankës së Shqipërisë, në takim, u evidentua nevoja që bankat tregtare, të zhvillojnë më tej produktin e kontratave forward në lidhje me menaxhimin e kursit të këmbimit nga klientët, për ta ofruar atë në cilindo moment që do kërkohet, veçanërisht nga bizneset eksportuese. Gjithashtu, bankave iu kërkua që të jenë sa më mbështetëse për aspekte të tjera të marrëdhënieve të biznesit bankë-klient, veçanërisht në ato të lidhura me kreditimin, në mënyrë që, në këtë moment të vështirë, barra e bizneseve eksportuese të lehtësohet sa të jetë e mundur.  

 DSC8208 498

Zhvillimi i sistemit bankar shqiptar në drejtim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve të reja ishte një tjetër çështje e diskutuar. Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë këtyre shërbimeve, nëpërmjet krijimit të terrenit të nevojshëm rregullativ, infrastrukturës teknike etj. dhe mbetet e gatshme të mbështesë të gjitha kërkesat apo nevojat në këtë drejtim.

 DSC8043 498

Në përfundim, Shoqata Shqiptare e Bankave falënderoi Bankën e Shqipërisë për këtë takim mjaft pozitiv dhe frytdhënës, duke e përshëndetur veçanërisht për mbështetjen e ofruar ndaj sistemit bankar gjatë kësaj periudhe sfiduese.

 DSC7711 498

Të dyja palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional, si dhe, me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

 DSC7911 498