BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 21 dhjetor 2022

Data e publikimit: 21.12.2022

 

Në mbledhjen e datës 21 dhjetor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.75%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 1.75% dhe 3.75%.

Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi:

  • Rregulloren “Për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të parasë elektronike”

Kjo rregullore është hartuar në zbatim të ligjit 55/2020 “Për shërbimet e pagesave” si dhe në kuadër të përafrimit të mëtejshëm me legjislacionin evropian. Hartimi i saj synon harmonizimin më të mirë të kuadrit rregullativ për institucionet e parasë elektronike, duke parashikuar në një akt të veçantë kërkesat që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e këtyre institucioneve.

  • Disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”

Këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e hartimit të rregullores së mësipërme “Për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të parasë elektronike” dhe konsistojnë në shfuqizimin e disa kreve/neneve/etj. për institucionet e parasë elektronike që parashikohen tashmë në rregulloren e re të hartuar specifikisht për institucionet e parasë elektronike.

  • Rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”

Kjo rregullore përcakton kërkesat e autoritetit mbikëqyrës për ofruesit e shërbimeve të pagesave, mbi krahasueshmërinë e tarifave të llogarisë së pagesës, duke u krijuar konsumatorëve mundësinë për të patur një pasqyrë të plotë të çmimeve/ofertave në treg mbi produktet që lidhen me llogaritë e pagesave, ndërsa parashikon edhe kërkesa për transferimin e llogarive të pagesave, të cilat e bëjnë më të lehtë për konsumatorët, ndryshimin e ofruesit të llogarisë së tyre të pagesës, nëse ofrohet një ofertë më e mirë nga një ofrues tjetër në treg.

  • Rregulloren “Për asgjësimin e kartëmonedhave, monedhave metalike, bonove të privatizimit dhe kategorive të tjera të lidhura”

Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave, mënyrave dhe procedurave për asgjësimin nga Banka e Shqipërisë të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare të tërhequra nga qarkullimi, si të papërshtatshme për t’u ricikluar ose si të dëmtuara, të kartëmonedhave të cilësuara si të pavlefshme, të materialeve të printimit të monedhave dhe të kartëmonedhave, të kartëmonedhave dhe monedhave të cilësuara  të falsifikuara, specimenëve të kartëmonedhave si dhe të bonove të privatizimit.

  • Rregulloren “Mbi raportimin statistikor të mjeteve dhe detyrimeve të fondeve të pensionit”

Rregullorja synon përshtatjen dhe standardizimin e sistemit raportues të Fondeve të Pensionit për përpilimin e statistikave monetare dhe financiare.

  • Rregulloren “Mbi raportimin statistikor të mjeteve dhe detyrimeve të shoqërive të sigurimit”

Rregullorja synon përshtatjen dhe standardizimin e sistemit raportues të Shoqërive të Sigurimit për përpilimin e statistikave monetare dhe financiare.

  • Rregulloren “Mbi raportimin statistikor të mjeteve dhe detyrimeve të fondeve të investimit”’

Rregullorja synon përshtatjen dhe standardizimin e sistemit raportues të Fondeve të Investimit për përpilimin e statistikave monetare dhe financiare.

Të tre rregulloret mbi raportimin statistikor të mjeteve dhe detyrimeve të  fondeve të pensionit, të shoqërive të sigurimit dhe të fondeve të investimit janë hartuar në përmbushje të detyrimeve të Planit Kombëtar të Integrimit Evropian (PKIE), për periudhën 2022 – 2024.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.