BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 22 dhjetor 2021

Data e publikimit: 22.12.2021

 

Në mbledhjen e datës 22 dhjetor 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

  • Miratimin e ndryshimeve në rregulloren "Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit"

 DSC5249 498

Ndryshimet e miratuara synojnë përafrimin e mëtejshëm të kuadrit rregullativ me direktivat evropiane mbi kërkesat për kapital për rrezikun e kredisë dhe rrezikun e kredisë së kundërpartisë, duke marrë në konsideratë edhe specifikat e nivelin e zhvillimeve të sistemit bankar shqiptar. Ndryshimet janë përgatitur me asistencën teknike të Bankës së Italisë, në kuadër Projektit të Binjakëzimit në vitet 2019-2021, me fokus përafrimin e kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë me acquis-në e BE-së.

  • Miratimin e ndryshimeve në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare

 DSC5278 498

Ndryshimet synojnë një harmonizim më të lartë të rregullores me direktivat evropiane, me qëllim përmirësimin e kërkesave të autoritetit rregullator për mbrojtjen e konsumatorit.

  • Miratimin e rregulloreve “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro” dhe “Për organizimin e brendshëm të funksionimit të sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS dhe sistemit AIPS EURO”

 DSC5208 498

Rregulloret e miratuara synojnë të mbështesin operimin e sistemit të shlyerjes së pagesave në euro brenda vendit dhe përbëjnë finalizimin e një projekti disavjeçar të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat tregtare që operojnë në vend, duke formalizuar rregullat për operimin e sistemit. Përtej funksionimit të sistemit, ato rregullojnë komisionet që bankat mund t’u vendosin klientëve të tyre për pagesat në euro.

Nëpërmjet miratimit të këtyre rregulloreve dhe operacionalizimit të infrastrukturës kombëtare të shlyerjes në euro, Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar përmbushin kështu një tjetër plan veprimi në zbatim të Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Shqipëri (2018-2023).

  • Miratimin e rregullores mbi raportimin e zërave të bilancit të institucioneve të kreditit dhe të institucioneve monetare financiare

Rregullorja plotëson kuadrin e përpilimit të statistikave monetare në përputhje të plotë me standardet më të përparuara ndërkombëtare. Rregullorja e re është pjesë e angazhimeve institucionale të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit të bazës rregullatore në fushën e statistikave me acquis-në e Bashkimit Evropian. Praktikisht, qëllimi i saj kryesor është përafrimi i plotë me Rregulloren (BE) Nr. 2021/379 të Bankës Qendrore Evropiane, të 22 janarit 2021 në lidhje me bilancin e gjendjes së sektorit të institucioneve financiare monetare (rishikuar) (BQE/2021/2).

  • Miratimin e udhëzimit “Për raportimin e veprimeve të këmbimeve valutore”

Udhëzimi vjen në një version të rishikuar për të rritur sasinë e informacionit që përftohet në Bankën e Shqipërisë, për të përmirësuar më tej procesin e standardizimit dhe përpunimit të raportimeve, si dhe për të lehtësuar procesin e raportimit të këmbimeve valutore nga operatorët e tregut.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.