BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 23 mars 2023

Data e publikimit: 23.03.2023

 

Në mbledhjen e datës 23 mars 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të rritet në nivelin 3.00%, norma e depozitës njëditore të rritet në nivelin 2.00% dhe norma e kredisë njëditorë të rritet në nivelin 4.00%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

  • Miratimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022

 DSC6458-498

Pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022 janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF). Këto pasqyra janë audituar nga Ernst & Young - Ekspertë Kontabël të Autorizuar, Dega në Shqipëri, dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022.

Në mbyllje të vitit 2022, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 732 miliardë lekë. Peshën kryesore në totalin e aktiveve e zënë investimet në tituj të borxhit me rreth 62% si dhe balancat me banka, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me rreth 12%.

  • Miratimin e rregullores “Për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave”.

 DSC6478-498

Kjo rregullore përcakton kërkesat e autoritetit mbikëqyrës për ushtrimin e veprimtarisë dhe  mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave. Ajo vjen si një plotësim i kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të kërkesave të ligjit 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.