BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 23 nëntor 2022

Data e publikimit: 23.11.2022

 

Në mbledhjen e tij të datës 23 nëntor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2023- 2025

Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2023 – 2025 është një përditësim i strategjisë ekzistuese (2022-2024), përmes së cilit zgjatet afati i zbatimit të këtij dokumenti, përtej vitit 2024 dhe përcaktohen objektivat për periudhën afatmesme në vijim.

498-2163

Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

Ajo përfshin funksionet kryesore të BSH-së: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); funksionet horizontale (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, kontrolli i brendshëm, kontabiliteti dhe IT).

498-2184

Informacioni për zbatimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit është pjesë e rregullt e raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë.

  • Miratimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2024 - 2025

Buxheti i miratuar për vitin 2023 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2024-2025 garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.

Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2023 - 2025, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun. Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë.

  • Miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës OTP Albania sh.a. me Bankën Alpha Albania sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi paraprakisht bashkimin me përthithje të Banka OTP Albania  sh.a. (shoqëria përthithëse) me Bankën Alpha Albania sh.a. (shoqëria e përthithur).

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Mbi minimumin e rezervës së detyruar mbajtur në Bankën e Shqipërisë nga bankat”, e ndryshuar

Ky ndryshim synon t’i shërbejë sistemit bankar dhe specifikisht të krijojë hapësira që bankat tregtare të administrojnë më mirë nivelin e kapitalit që ato kanë në dispozicion.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.