BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 24 mars 2021

Data e publikimit: 24.03.2021

 

Në mbledhjen e datës 24 mars 2021, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

DSC 5667

  • Miratimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020

Pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF). Këto pasqyra janë audituar nga Ernst & Young - Ekspertë Kontabël të Autorizuar, Dega në Shqipëri, dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020.

Në fund të vitit 2020, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 627 miliardë lekë. Peshën më të lartë në totalin e aktiveve e zënë investimet në tituj të borxhit me rreth 47% si dhe balancat me banka, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me rreth 32%.

DSC 5687

  • Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarisë financiare shtesë nga Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a.”

Në bazë të këtij miratimi, Banka e Parë e Investimeve do të ketë të drejtën të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të faktoringut.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.