BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 prill 2024

Data e publikimit: 03.04.2024

 

Në mbledhjen e datës 3 prill 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2023

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

 DSC5266 498

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, veprimtaria e sektorit bankar u përmirësua. Depozitat dhe kreditë u zgjeruan pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, kapitalizimi i veprimtarisë u shfaq në nivele të mira, ndërsa fitimi u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Rreziqet e veprimtarisë vlerësohen në nivele të kontrolluara dhe në tërësi rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj tyre është forcuar. Megjithatë, rreziqet e shoqërojnë gjithmonë veprimtarinë bankare, ndaj performanca më e mirë financiare duhet të përdoret nga bankat për të përmirësuar infrastrukturën e administrimit të rreziqeve. 

 DSC5236 498

Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, dhe veçanërisht nga përmirësimet në llogarinë korrente të bilancit të pagesave. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste erdhën në rënie, por norma e inflacionit mbeti mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë. Reagimi i mëtejshëm i politikës monetare do të mbështetet mbi të dhënat korrente dhe do të reflektojë analizën e faktorëve të rrezikut për ecurinë e inflacionit. Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Ato lidhen kryesisht me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike të përdorin këtë periudhë të favorshme në zhvillimet ekonomike e financiare në vend, për të konsoliduar arritjet dhe për të reformuar më tej ekonominë me qëllim vendosjen e saj në shinat e një zhvillimi sa më të qëndrueshëm dhe të balancuar në të ardhmen.

  • Miratimin e rregullores “Për përcaktimin e kërkesave për transfertat e kreditit dhe të debitimit direkt në euro”

Kjo rregullore është hartuar në kuadër të procesit të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në zonën SEPA, të njohur si “Tregu Unik i Pagesave në Euro”. Anëtarësimi në SEPA është një objektiv i Bankës së Shqipërisë për të nxitur modernizimin e tregut të sistemeve të pagesave dhe  integrimin e tyre me tregjet evropiane, si dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është pjesë e projektit “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor” si dhe objektiv i qeverisë shqiptare për të përmbushur një nga kriteret e planit të BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit.

Rregullorja transpozon plotësisht dispozitat e rregullores së BE-së për kërkesat teknike dhe të biznesit për transfertat e kreditit dhe debitë e drejtpërdrejta në euro.

  • Rishtypjen e kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, me prerje 200 Lekë dhe 500 Lekë

Ky vendim parashikon rishtypjen e kartëmonedhave me kurs ligjor 200 Lekë dhe 500 Lekë, me qëllim plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disavjeçare.

  • Miratimin e konfigurimeve të monedhës përkujtimore, për qëllime numizmatike, me tematikë “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”.

Nëpërmjet këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi konfigurimet e dizajnit të monedhës  përkujtimore 100 Lekë, pa kurs ligjor, në metal argjend, me tematikë “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”, që do të shtypet nga Banka e Shqipërisë me rastin e kremtimeve të 100-vjetorit të themelimit të “Bankës Kombëtare të Shqipnis”, e cila ishte banka e parë qendrore funksionale e vendit tonë.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.