BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 tetor 2015

Data e publikimit: 07.10.2015

 

Në mbledhjen e tij të datës 7 tetor 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2015

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit është vendosur Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë ligjore.

Raporti i miratuar sot është numri i katërmbëdhjetë që nga momenti i parë i publikimit dhe ai analizon zhvillimet e ndodhura në 6-mujorin e parë të vitit 2015. Gjatë periudhës, treguesit financiarë që lidhen me shëndetin, kapitalizimin dhe likuiditetin e veprimtarisë së sektorit bankar, përgjithësisht janë  përmirësuar, duke forcuar kështu kapacitetet e sektorit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org .

  • Miratimin e ndryshimeve në rregulloren “Mbi organizimin dhe funksionimin e Komitetit të Investimit”

Komiteti i Investimit është një organ kolegjial i brendshëm i Bankës së Shqipërisë përgjegjës për të garantuar zbatimin e politikës për administrimin e rezervës valutore, të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Ndër risitë kryesore përveç një përcaktimi të qartë të qëllimit apo përgjegjësisë që ka Komiteti, përmendim dhe  përbërjen e Komitetit. Në ndryshim nga sa parashikonte rregullorja e mëparshme është përcaktuar numri i anëtarëve (6), kryesimi i tij nga administratori që ka në varësi Departamentin e Operacioneve Monetare, si dhe në cilësinë e anëtarit, drejtuesit e njësive që vlerësohen se duhet të jenë pjesë e këtij Komiteti. Përbërja e Komitetit formalizohet nëpërmjet urdhrit që nxjerr Guvernatori për këtë qëllim.

Gjithashtu, theksojmë se në nenet e Rregullores përcaktohen qartë detyrat e Komitetit, kompetencat e kryetarit të Komitetit, të Sekretarit të Komitetit, si dhe vendimmarrja.

Për herë të parë parashikohet gjithashtu e drejta e Komitetit për t’u informuar në lidhje me gjetjet e konstatuara nga Departamenti i Kontrollit gjatë auditimit të funksionit të administrimit të rezervës valutore.

  • Miratimin paraprak për zotërimin e 100% të pjesëmarrjes influencuese në kapitalin aksioner të Bankës Credit Agricole Shqipëri sh.a., nga Tranzit sh.p.k.

Në bazë të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë i hap rrugën ligjore transferimit të pronësisë së plotë të Credit Agricole tek Transit sh.p.k., pjesëmarrja influencuese në kapitalin aksioner të të cilit kontrollohet nga dy grupet financiare ndërkombëtare: NCH Balkan Fund L.P. dhe New Century Holdings XI, L.P.

  • Dhënien e miratimit paraprak për kryerjen e një veprimtarie financiare shtesë nga Banka Kombëtare Tregtare, sh.a

Në bazë të këtij miratimi, Banka Kombëtare Tregtare do të ketë të drejtën të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.