BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizita zyrtare e Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Bullgarisë, z. Ivan Iskrov, pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 18.05.2007

 

Në datën 18 maj 2007, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Bullgarisë (BKB), z. Ivan Iskrov zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kjo vizitë shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit midis bankave qendrore të rajonit.

Gjatë takimit të zhvilluar me këtë rast, Guvernatori Fullani bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit makroekonomike në Shqipëri, duke u fokusuar në sfidat që Banka e Shqipërisë ka përballuar në lidhje me konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Z. Fullani u shpreh se nëpërmjet politikës së saj të suksesshme monetare, Banka e Shqipërisë ka ruajtur stabilitetin e çmimeve, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e kushteve të përshtatshme për sigurimin e ritmeve të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Në fjalën e tij Guvernatori Fullani u ndal në kontributin që Banka e Shqipërisë ka dhënë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, kontribut i njohur edhe në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2006.

Nga ana e tij, Guvernatori Iskrov vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik si dhe hapat e ndërmarrë prej saj për zhvillimin e sektorit bankar. Z. Iskrov shprehu gjithashtu angazhimin e BKB-së, për të rritur asistencën dhe mbështetjen për Bankën e Shqipërisë në të ardhmen.

Në këtë kuadër, gjatë takimit u diskutua edhe rreth prioriteteve të bashkëpunimit institucional midis dy bankave qendrore, me një theks të veçantë në mbikëqyrjen bankare, sistemet e pagesave dhe procesin e integrimit evropian. Duke qenë se Bullgaria është një vend i anëtarësuar rishtazi në Bashkimin Evropian, eksperienca e BKB-së përbën një shembull për t'u ndjekur në rrugën drejt anëtarësimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ), për sa i përket përmirësimit të veprimtarisë operacionale në përputhje me standardet evropiane si dhe në lidhje me përafrimin e legjislacionit vendas me atë komunitar. Gjithashtu Guvernatori Iskrov siguroi për të gjithë suportin dhe partneritetin e mundur nga ana e Bankës Kombëtare të Bullgarisë ndaj Bankës së Shqipërisë në marrëdhëniet dhe dialogun e saj me Komisionin Evropian dhe SEBQ. Ai siguroi se Banka e Bullgarisë do të shërbejë si një avokat i Bankës së Shqipërisë në këtë proces.

Në kuadër të vizitës zyrtare që z. Iskrov zhvilloi në vendin tonë, Banka e Shqipërisë organizoi në hollin e saj një takim të hapur, ku ndërmjet të tjerëve merrnin pjesë Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, z. Edmond Spaho, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, anëtarë të Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat dhe atij për Integrimin Evropian, përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Tiranë, z. Helmuth Lohan, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, të bankave tregtare si dhe të disa instituteve kërkimore. Me këtë rast, z. Iskrov mbajti prezantimin me temë "Rruga për në Bashkimin Evropian: Roli i Bankës Qendrore".

Në fjalën e tij, z. Iskrov bëri një përshkrim të përvojës së BKB-së lidhur me të gjitha fazat që çuan në anëtarësimin e kësaj banke në SEBQ më 1 janar 2007. Në veçanti, z. Iskrov u përqendrua në reformat e ndërmarra nga BKB në lidhje me fuqizimin e kapaciteteve institucionale me qëllim përballimin me sukses të sfidave që rrjedhin nga anëtarësimi në SEBQ dhe në të njëjtën kohë, trajtoi edhe çështjet e harmonizimit të kuadrit ligjor me legjislacionin komunitar, në ato fusha që janë nën përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë të bankës qendrore. Fjala e z. Iskrov konkludoi në rëndësinë e arritjes së një konsensusi të gjerë politik rreth parimeve kryesore të politikave ekonomike të vendit, me qëllim mundësimin e anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Evropian.