BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizitë zyrtare e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Suedisë, z. Stefan Ingves, pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 25.04.2014

 

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në datën 23 prill 2014, Guvernatori i Bankës Qendrore të Suedisë, z. Stefan Ingves, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë.

foto guv 6577 0


Gjatë vizitës së tij, z. Ingves u takua me drejtues të departamenteve të Bankës së Shqipërisë, me të cilët diskutuan rreth zhvillimeve më të fundit ekonomike në vend, duke u fokusuar në zhvillimet e sektorit bankar. Në këtë takim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani njohu homologun e tij me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e ndryshimeve të fundit ligjore të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, të cilat synojnë uljen e nivelit të kredive me probleme dhe rritjen e kreditimit. Nga ana e tij, Guvernatori Ingves vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit.

Diskutimet dypalëshe u ndalën edhe në kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë po jep në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka rritur bashkëpunimin me bankat qendrore të Eurozonës, ku vend të veçantë zë dhe anëtarësimi i Bankës së Shqipërisë në Komitetin Drejtues të Nismës Vjena II. Guvernatori Fullani theksoi se në Nismën e Vjena II, Shqipëria përfaqëson edhe interesat e vendeve të tjera joanëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk kanë zë në Këshillin Drejtues.

Në përfundim të këtij takimi, pjesëmarrësit shprehën rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit të thellë ndërmjet dy institucioneve.