BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zëvendësguvernatorja Ahmetaj mban një leksion të hapur për studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë

Data e publikimit: 02.04.2024

 

Me ftesë të Dekanit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, Prof. Dr. Albert Qarri, dhe në kuadër të Javës Globale të Parasë 2024, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, mbajti më 29 mars leksionin me temë "Integrimi ekonomik: dije dhe financim". Leksioni u përqendrua në nevojën për të kuptuar oportunitetet që sjell ekonomia e dijes për vendet në zhvillim, si dhe orientimi drejt dijes dhe inovacionit si mënyra e vetme për të përfituar prej tyre. Duke u ndalur në ndryshimet që përhapja e ekonomisë së dijes po sjell në ndarjen ndërkombëtare të punës, Zëvendësguvernatorja identifikoi arsimin dhe sektorin financiar si aleatët kryesorë të këtij progresi. Në këtë kontekst, Ahmetaj shprehu vlerësimin për brezat e studentëve dhe profesorëve që vijojnë të kontribuojnë në emrin e mirë të këtij universiteti.

 DSC4610 498

Në vijim, në kontekstin e Javës Globale të Parave, ajo theksoi rëndësinë e përshtatjes në një mjedis gjithnjë e më të sofistikuar financiar dhe rëndësisë që merr edukimi financiar për t’u mbrojtur nga rreziqet që shoqërojnë përfshirjen gjithnjë e më të lartë të teknologjisë së informacionit.

Në vijim Zëvendësguvernatorja Ahmetaj prezantoi për të pranishmit bazat e ekonomisë së dijes, duke vënë në pah lidhjen prioritare të saj me teknologjinë dhe kapitalin human në vend të inputeve fizike dhe burimeve natyrore. Ajo theksoi veçorinë e rolit që merr në këtë ekonomi kapitali human, duke u shfaqur si një faktor i ri prodhimi. Më tej, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi rëndësinë që ka për rritjen ekonomike afatgjatë investimi i koorporatave në kërkim shkencor dhe zhvillim (R&D). Ajo adresoi mundësitë e shkëlqyera të ekonomisë së dijes për vende si Shqipëria, por që duhet të mbështeten në sisteme arsimore, financiare dhe institucionale të zhvilluara, si dhe orientimin e stafeve akademike drejt komercializimit të shkencës dhe inovacionit.

 DSC4757 498

Duke evidentuar migracionin si një shprehje të pabarazisë, ajo argumentoi se ai, i organizuar dhe në kushtet e duhura, mund të jetë gjithashtu edhe një forcë drejt barazisë. Zhvillimi i sistemit të pagesave mund të luajë një rol të rëndësishëm për këtë qëllim, duke mundësuar formalizimin e remitancave dhe përdorimin e tyre si një burim për rritje ekonomike dhe daljen nga varfëria.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar shqiptar kanë zgjedhur të jenë lider në rajon, duke investuar në teknologji dhe duke përqafuar në kohë kornizën ligjore të Bashkimit Evropian në fushën e shërbimit të pagesave. Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u ndal te rëndësia e remitancave për familjet shqiptare dhe roli i Bankës së Shqipërisë për të ulur kostot e dërgimit të tyre përmes kanaleve formale financiare. Modernizimi i sistemit kombëtar të pagesave dhe aplikimi për anëtarësimin në SEPA do të sjellin përfitime të ndjeshme në këtë drejtim.

 DSC4559 498

Në përfundim, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u ndal te qëndrueshmëria dhe shëndeti i sektorit financiar si një funksion themelor i Bankës së Shqipërisë. Ajo shpjegoi për të pranishmit se mekanizmat mbrojtës në shërbim të këtij funksioni janë zhvilluar dhe pasuruar në linjë me BE-në, për të siguruar qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe, përmes tij, stabilitetin financiar si një e mirë publike.

 DSC4688 498

Ligjërata u mbyll me pyetje dhe diskutime, lidhur me financat në epokën digjitale, me fokus te kriptomonedhat dhe monedhat digjitale të bankave qendrore (CBDCs), duke prekur karakteristikat e tyre, lehtësinë e transaksioneve, luhatjen e çmimeve, rrezikun e falimentimit dhe qasjen e bankave qendrore mbi këtë zhvillim. Të pranishmit shfaqën interes mbi perspektivën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe parapërgatitjen e duhur të sektorit financiar në këtë fushë.  

 DSC5067 498

Stafi akademik i Universitetit të Vlorës dhe studentët pjesëmarrës shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Zëvendësguvernatores Ahmetaj dhe Bankës së Shqipërisë për leksionin dhe ndarjen me ta të këndvështrimit për të ardhmen. Ky leksion i hapur jo vetëm që kontribuoi në dialogun akademik gjatë Javës Globale të Parasë, por shërbeu gjithashtu si frymëzim për profesionistët e ardhshëm në ekonomi dhe financa.