BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zëvendësguvernatorja e Dytë zj. Ahmetaj mban një leksion të hapur për studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Fakulteti i Biznesit, Durrës

Data e publikimit: 21.03.2024

 

Leksioni i zhvilluar më 19 mars dhe me ftesë të Fakultetit të Biznesit, Departamenti i Shkencave Ekonomike u  përqendrua rreth temës "Financat në Ekonominë e Dijes”, si një reflektim mbi fazën e re ku ka hyre sistemi ekonomik botëror dhe përshtatjen e sektorit financiar me këtë zhvillim.

IMG 0237 a498

Gjatë leksionit, Zëvendësguvernatorja theksoi rolin thelbësor të inovacionit, zhvillimit të arsimit dhe mbështetjes nga institucionet financiare, si një infrastrukture ndërmjetësuese për përfshirjen e një vendi ne Ekonominë e Dijes.

IMG 0249 a498

Ajo vuri në dukje se Ekonomia e Dijes është një mjedis ekonomik  që krijon akses për këdo qe ka aftësinë te përthithë dije por edhe të shfrytëzojë dijet ekzistuese, për të përmirësuar procese në zinxhirin e prodhimit, duke rritur produktivitetin. Zj. Ahmetaj theksoi se, në ndryshim nga sistemet e mëparshme të prodhimit, Ekonomia e Dijes nuk ka ndonjë marrëdhënie të brendshme me ndonjë përmasë të caktuar të prodhimit dhe as është privilegj vetëm i vendeve të zhvilluara.  Ajo përbën një mundësi të mirë për vende si Shqipëria, që mund të përfshihen në zinxhirin global të prodhimit duke përfituar dije dhe duke mundësuar zhvillimin e kapitalit human. 

IMG 0342 a

Vëmendja iu kushtua gjithashtu revolucionit të ri teknologjik dhe potencialit të tij të paeksploruar plotësisht, duke përfshirë ndikimin e inteligjencës artificiale, machine learning dhe deep learning në zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara në shërbim të jetës sociale dhe ekonomike. Zëvendësguvernatorja  nënvizoi se e ardhmja i përket atyre që nxisin dhe përqafojnë inovacionin si mënyra e vetme për të përfituar hapësirë në këtë bote të re. Një vend të zgjeruar në leksion zuri procesi i zhvillimit të vetë sektorit financiar, i cili në përgjigje të kërkesave të Ekonomisë së Dijes dhe si pjesë e saj, ka shtuar aksesin në financë, ka përshtatur produktet dhe prezencën në ekonomi, duke  u bere mbështetësi me i rëndësishëm i këtij zhvillimi.

Në këtë proces zhvillimi dhe vetëzhvillimi, sektori financiar ka identifikuar teknologjinë si aleatin me te mire, duke modernizuar sistemin dhe instrumentet e pagesave. Zëvendësguvernatorja referoi gjithashtu mbi sfidat dhe rreziqet që vijnë me inovacionin, duke diktuar nevojën për shoqërimin e tij me rritjen e nivelit të sigurisë paralelisht me shumëfishimin e kanaleve bankare.

Leksioni përfundoi me një diskutim mbi rëndësinë e edukimit financiar të publikut si një objektiv institucional i Bankës së Shqipërisë. Zëvendësguvernatorja theksoi përkushtimin e Bankës për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet dhe mashtrimet financiare, si dhe për të nxitur një ekonomi më të qëndrueshme dhe të gjithëpërfshirëse.

Ky leksion shërbeu jo vetëm si një mundësi për të ndarë njohuri dhe përvojë me brezin e ri, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së edukimit financiar në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

IMG 0358 a338