BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zëvendësguvernatorja e Parë Minxhozi merr pjesë në workshopin e nivelit të lartë mbi zhvillimet e sistemeve të pagesave nga bankat qendrore, të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane

Data e publikimit: 17.11.2023

 

Në datën 16 nëntor 2023, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, mori pjesë në workshopin e nivelit të lartë mbi zhvillimet e sistemeve të pagesave të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt, Gjermani.

498-0027

Ky workshop u organizua në kuadër të Programit[1] për “Forcimin e kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor, me fokus integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore” Faza II të nisur në shtator të vitit 2022. Punimet e tij u përqendruan në zhvillimet e sistemeve të pagesave dhe shlyerjeve, ku BQE-ja pati mundësinë të prezantojë se si Eurosistemi përmbush mandatin lidhur me këtë funksion, duke ndihmuar në arritjen e objektivit të përbashkët për të sjellë sistemet e pagesave të Ballkanit Perëndimor më afër standardeve të BE-së.

498-0010

Gjithashtu, workshopi shërbeu si një platformë e mirë për shkëmbim pikëpamjesh ndërmjet përfaqësuesve të Eurosistemit dhe vendimmarrësve të nivelit të lartë në bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor, dhe dy agjencive mbikëqyrëse bankare në Bosnje-Hercegovinë.

Zëvendësguvernatorja e Parë Minxhozi, gjatë fjalës së saj, prezantoi zhvillimet më të fundit lidhur me sistemet e pagesave në vendin tonë. Ajo theksoi se sistemet e pagesave dhe tregjet e pagesave tashmë janë të lidhura dhe të ndërthurura ngushtë me shkëmbimet ekonomike midis vendeve dhe me rritjen ekonomike të tyre. 

498-0017

Në këtë kuadër, ajo theksoi se modernizimi i sistemeve të pagesave është i domosdoshëm dhe një objektiv i menjëhershëm i bankave qendrore, i cili ndikon gjithashtu në formalizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.

Zj. Minxhozi u shpreh se projekti rajonal për “Modernizimin e sistemit të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor” përbëhet nga një tërësi masash mbështetëse, të cilat ndihmojnë zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe të Planit Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

498-0014

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor tashmë janë angazhuar tërësisht në zhvillimin e tregut të përbashkët, të bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, për ta bërë rajonin tonë më tërheqës për investitorët, për të rritur konkurrueshmërinë e tij, duke e sjellë kështu më afër me tregjet e BE-së.

Përmirësimi i pagesave ndërkufitare me juridiksionet joanëtare të BE-së, si dhe sistemet efektive dhe të ndërveprueshme të pagesave me vlerë të vogël, janë të pasqyruara gjithashtu në Strategjinë e BE-së për Pagesat me Vlerë të Vogël, të miratuar së fundmi.

Në fokus të këtyre zhvillimeve është zvogëlimi i kostove për pagesat rajonale; përgatitja e rajonit për t'u bashkuar me Zonën e vetme të Pagesave në Euro (SEPA); si dhe krijimi i një zgjidhjeje për pagesat në kohë reale brenda vendit në vendet që nuk e kanë ende një të tillë. Qëllim kryesor është gjithashtu dhe përgatitja e tyre për t'u bashkuar me TIPS, sistemin e pagesave në kohë reale SPI, që operon BQE-ja.

Në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemeve të pagesave dhe përmirësimit të kuadrit rregullativ me qëllim reduktimin e kostove të pagesave në vendin tonë, rritjen e eficiencës, duke synuar uljen e informalitetit dhe rritjen e përfshirjes financiare.

Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është hartimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, së bashku me rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, të cilat kanë si qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe ridimensionimin e veprimtarisë aktuale të institucioneve financiare, duke nxitur konkurrencën në treg, me një ndikim të rëndësishëm në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit.

Në rolin e mbikëqyrësit të sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të madhe praktikave të BE-së dhe zhvillimeve të reja, me qëllim implementimin sa më të shpejtë të tyre. Siguria dhe efikasiteti i pagesave përbëjnë objektiva të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë për ruajtjen e besimit në monedhën vendase dhe nxitjen e një ekonomie efikase.

Së fundi, zj. Minxhozi shtoi se Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, BE-në dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, kanë punuar për të përmbushur plotësisht kërkesat ligjore dhe rregullatore të SEPA-s.


[1] Ky program menaxhohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë, së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe Bankës Qendrore Evropiane. Ai mbështetet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA III) dhe Banka e Shqipërisë është një nga institucionet që përfitojnë prej tij.