BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Financat e gjelbra – Mundësi për sektorin financiar në Shqipëri”

Data e publikimit: 16.11.2022

 

Më 16 nëntor 2022, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), organizoi konferencën ndërkombëtare me temë “Financat e gjelbra – Mundësi për sektorin financiar në Shqipëri”.

498-1389

Konferenca mblodhi në një tryezë, përfaqësues të nivelit të lartë nga Qeveria Shqiptare, institucionet financiare ndërkombëtare, rregullatorë dhe aktorë të tregjeve financiare. Në këtë aktivitet, Banka e Shqipërisë u përfaqësua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, e cila ishte e ftuar si folëse në panelin e diskutimit “Këndvështrimi i institucioneve shqiptare lidhur me financat e gjelbra”. Ky panel u moderua nga përfaqësuesi i lartë i Bankës Botërore, z. Alper Ahmet Oguz dhe merrnin pjesë zj. Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, zj. Frida Krifca, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe z. Ervin Mete, Drejtor i Përgjithshëm i AMF-së.

Gjatë diskutimit të saj, zj. Minxhozi u shpreh se bankat qendrore, si përcaktuese të politikës monetare dhe mbikëqyrëse të sistemit bankar, kanë një rol kyç në sfidat që i paraqiten ekonomisë nga ndryshimet klimatike. Në këtë pozicion, banka qendrore mbetet e përkushtuar të përfshijë rreziqet klimatike dhe mjedisore në mënyrë sistematike dhe në një perspektivë afatgjatë në ushtrimin e mandatit të saj.

498-1387

Ajo shtoi se Banka e Shqipërisë, në përmbushje të objektivit të saj, merr në konsideratë rreziqet e lidhura me klimën si dhe promovon një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke e vendosur qëndrueshmërinë mjedisore në qendër të politikave të saj, duke drejtuar flukset e kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme, duke shmangur rreziqet financiare që rrjedhin nga ndryshimet strukturore të ekonomisë, si dhe duke nxitur transparencën financiare dhe ekonomike.

Më tej, ajo theksoi se strategjia e Bankës së Shqipërisë për rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike pritet të evoluojë me kalimin e kohës, ndërkohë që të dhënat zgjerohen dhe modelet e nevojshme për të kuptuar rreziqet e lidhura me klimën, përmirësohen. Ndërkohë, pas anëtarësimit në Network for Green Financial System, Banka e Shqipërisë po punon në mënyrë aktive për të integruar problematikat e ndryshimeve klimatike brenda mandatit të saj.

498-1317

Në Strategjinë Afatmesme të Bankës së Shqipërisë 2022-2024, vihet re angazhimi për të monitoruar rreziqet klimatike për mjedisin ekonomik dhe financiar ku ajo operon. Në këtë drejtim, në bashkëpunim me FinSAC, ka nisur tashmë një pyetësor mbi rreziqet e lidhura me klimën dhe mjedisin në sektorin tonë bankar. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë po merr pjesë në forume të ndryshme kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, për vlerësimin dhe menaxhimin më të mirë të ndikimit ekonomik dhe financiar të ndryshimeve klimatike.

Në përfundim, zj. Minxhozi u shpreh se Banka e Shqipërisë i mirëpret me entuziazëm zhvillimet e sektorit bankar drejt financave të gjelbra dhe instrumenteve të gjelbra, pasi është e vetmja mënyrë për të adresuar rrezikun nga ndryshimet klimatike dhe nevojën për një reduktim të emetimeve të karbonit. Megjithatë, instrumentet e gjelbra dhe financimi i infrastrukturës së qëndrueshme kërkon një përqasje të re për mobilizimin dhe ndërmjetësimin e financave afatgjata.