BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zëvendësguvernatorja e Parë zj. Minxhozi mban një leksion të hapur për studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti Ekonomik Elbasan

Data e publikimit: 21.03.2024

 

Me ftesë të Dekanes së Fakultetit Ekonomik, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan,  Prof.As.Dr. Imelda Sejdini, Zëvendësguvernatorja Minxhozi mbajti më 19 mars leksionin me temë "Zhvillimet e tregut financiar dhe sfidat e edukimit financiar në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë".

 DSC2098 a498

Ajo theksoi jo vetëm rëndësinë e përfshirjes dhe edukimit financiar, por edhe sfidat dhe rreziqet që vijnë së bashku me inovacionet financiare. Prof. Dr. Minxhozi u ndal edhe në rolin e Bankës së Shqipërisë për përmirësimin dhe modernizimin e sistemit të pagesave të vendit, duke kontribuar në rritjen e përfshirjes financiare dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare.

 DSC2228 a498

Zëvendësguvernatorja Minxhozi trajtoi në mbështetje të këtyre dy temave, edukimit dhe përfshirjes financiare, risitë që sjell ligji “Për Shërbimet e Pagesave” dhe përfshirja e Shqipërisë në marrëveshjen SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro). Ligji ka për objektiv të reformojë dhe modernizojë sistemin e pagesave në Shqipëri, duke përfshirë një sërë veprimtarish që lejojnë përdorimin më të gjerë të pagesave elektronike dhe duke nxitur konkurrencën në treg. Ligji krijon gjithashtu një mjedis më të barabartë për institucionet financiare, si bankat ashtu edhe jobankat, duke rritur spektrin e aktorëve që ofrojnë shërbimet e pagesave, siç janë inicimi i pagesave dhe informimi mbi llogaritë, gjë që promovon inovacionin, digjitalizimin dhe përfshirjen financiare. Ndërkohë që anëtarësimi në marrëveshjen SEPA do të lehtësojë dhe ulë kostot e transaksioneve ndërkombëtare, duke shkurtuar kohën e realizimit të tyre.

 DSC1964 a498

Në fund të leksionit të saj, Zëvendësguvernatorja Minxhozi i njohu pjesëmarrësit me Strategjinë e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare (2024-2026). Kjo strategji në bashkëpunim me të gjitha politikat e tjera të BSH-së synon të nxisë njohuritë dhe përfshirjen financiare të qytetarëve shqiptarë me objektivin final rritjen e mirëqenies financiare.  Ajo ndërvepron me ligjin e ri për shërbimet e pagesave nëpërmjet nxitjes së një tregu më gjithëpërfshirës dhe transparent financiar, ku qytetarët janë më të informuar për të drejtat dhe mundësitë e tyre financiare. Nëpërmjet rritjes së kulturës dhe edukimit financiar, qytetarët bëhen më të aftë për të përdorur dhe përfituar nga inovacionet dhe shërbimet e reja financiare që ofron tregu. 

 DSC2222 a498