BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zhvillohet aktiviteti “Inovacioni në sektorin bankar”

Data e publikimit: 14.05.2015

 

Në datë 14 maj 2015, nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, zj. Milena Harito, dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua aktiviteti me temë: “Inovacioni në sektorin bankar”. 

img 5733 copy 1 7407 0


Në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të Javës së Inovacionit 2015, e cila mbahet për të dytin vit radhazi, merrnin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, sektorit bankar, të institucioneve financiare jobanka etj.
Fjalën e hapjes së këtij aktiviteti e mbajti Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni. Më pas aktiviteti vijoi me fjalën e mbajtur nga Ministrja Harito dhe Kryetari i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Christian Canacaris.

Qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është promovimi i teknologjive të reja që sektori bankar përdor në ofrimin e shërbimeve dhe produkteve për qytetarët shqiptarë. Ky sektor i kushton një rëndësi të veçantë inovacionit në fushën e teknologjisë, ndaj dhe mbetet pararojë në adoptimin dhe implementimin e risive në këtë fushë, si një mundësi më shumë për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit.

Pas prezantimeve nga bankat tregtare, në fund të këtij aktiviteti u nënshkrua dhe memorandumi i mirëkuptimit midis ALEAT dhe Bankës Societe Generale Albania. Nëpërmjet aplikimit të teknologjisë së re ALEAT nga disa banka, bëhet i mundur përdorimi i kartave të identitetit edhe për shërbime bankare.

Fjala e plotë e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni http://www.bankofalbania.org/web/NJOFTIM_PER_SHTYP_7253_1.php?kc=0,26,0,0,0

Fjala e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, zj. Milena Harito http://www.inovacioni.gov.al/al/newsroom/fjalime/bashkepunim-i-frytshem-me-sektorin-bankar-per-formalizimin-e-ekonomise

Fjala e Kryetarit të Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Christian Canacaris www.aab.al