BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
“Netët e Muzeut të Bankës së Shqipërisë” me prezantimin ''Venediku, monedhat me emërtimin “DALMATIA ET ALBANIA” dhe medaljet e republikës për Skënderbeun” mbajtur nga z. Bajram Peçi, të enjten, 13 tetor 2022, ora 18:00

Data e publikimit: 13.10.2022

 

Z. Bajram Peçi, me një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë, publicistikës dhe botimit, botues dhe koleksionist i filatelisë e numizmatikës, aktualisht kryeredaktor i revistës Koleksionisti, organ shtypi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, mban leksionin e radhës të ciklit “Netët e Muzeut”, me temë: "Venediku, monedhat me emërtimin “DALMATIA ET ALBANIA” dhe medaljet e republikës për Skënderbeun”.

 Ligjërata e z. Peçi do të fokusohet në disa aspekte të monedhave të emetuara në shekujt XIV–XV dhe do të përfshijë: shpjegimin e terminologjisë “Numus aureus, numus solides” dhe argumente lidhur me kalimin nga njëri emërtim në tjetrin; prezantimin e fakteve lidhur me kohën kur u vendosën për herë të parë venedikasit në Shqipëri; prezantimin e monedhave lokale të shekullit XV; prezantimin e monedhave “Dalmat Alban” në metale argjend dhe bakër, si dhe shpjegime lidhur me simbolet e vendosura në këto monedha.

Në këtë prezantim do të trajtohet historia e gjatë e lidhjeve numizmatike mes Venedikut dhe vendit tonë, duke përfshirë edhe medaljet që Republika e Venedikut i kushtoi Skënderbeut dhe Shqipërisë, si të parat në historinë e kësaj disipline për Shqipërinë.

Për të marrë pjesë në këtë aktivitet, jeni të lutur të konfirmoni pjesëmarrjen tuaj, duke dërguar një e-mail brenda ditës së mërkurë, datë 12 tetor 2022, ora 16:00, në adresën elektronike: [email protected]

 Ju mirëpresim!