BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 26 tetor 2010

Data e publikimit: 26.10.2010

 

Pyetje- Kohët e fundit biznesi ka bërë një kërkesë lidhur e kreditë e këqija, duke kërkuar ngrirjen për një afat 12-mujor të këtyre kredive apo të atyre në rrezik. Banka e Shqipërisë si e vlerëson këtë, a mund të zbatohet diçka e tillë dhe si?

Guvernatori - Banka e Shqipërisë gjatë gjithë periudhës para, gjatë dhe mbas krizës ka ndjekur me një vëmendje mjaft të madhe procesin e kredidhënies, procesin e kredive me probleme, rikthimin në një proces normal të kreditimit dhe njëkohësisht siç u përmend dhe në material ka dhënë stimulin e saj përkatës. Në ballë të tij ka qenë qëndrueshmëria e çmimeve të konsumit dhe qëndrueshmëria e sistemit bankar shqiptar. Pra, sistemi bankar shqiptar përballoi goditjen e madhe të krizës bankare, duke dalë prej saj i shëndetshëm, i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë për të kredituar ekonominë shqiptare në sfidat e së ardhmes. Për sa i përket kësaj iniciative, ne nuk kemi akoma një prezantim formal të saj. Banka e Shqipërisë është e gjykimit që marrëdhëniet bankë-biznes janë marrëdhënie biznesi. Banka e Shqipërisë gjithmonë ka inkurajuar procesin e rregullimeve, provigjonimeve dhe ristrukturimeve të bëra në bazë të një marrëdhënie të tillë biznesi, të një respekti reciprok dhe të një përfitueshmërie reciproke. Në këtë kontekst, do të thoja që nuk ka një formulë të vetme, por do të vazhdojë të jetë një proces i drejtuar nga interesa dypalëshe biznesi dhe njëkohësisht të përfitimeve reciproke dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm të kreditimit në Shqipëri.

Pyetje- Për të mbetur te kreditë me probleme sipas të dhënave tuaja sa ka arritur stoku i kredive me probleme dhe aktualisht a konsiderohen problem për ekonominë e vendit duke pasur parasysh edhe qëndrimin në deklaratën e Stabilitetit Financiar ku i kërkohet bankave që të evidentojnë klientët me probleme?

Pyetje-Ministria e Financave ka deklaruar se këtë javë do të kryejë emetimin e eurobondit në tregjet ndërkombëtare. Si do ta vlerësoni ju a është momenti i duhur duke pasur edhe informacionin mbi ecurinë e tregjeve financiare ndërkombëtare?

Pyetje- Rënia e kërkesës për kredi kryesisht nga bizneset, sa është shqetësuese për ekonominë e vendit?

Guvernatori - Mendoj që në material janë shtjelluar këto tre probleme. Për sa i përket problemit të parë, mendoj që Banka e Shqipërisë është shprehur që ne po arrijmë në limitet e një piku të kredive me probleme, i cili sigurisht lëviz nga banka në bankë. Kjo shikohet dhe nga rregullimet përkatëse dhe nga gjendja reale e bilanceve të bankave dhe të kompanive. Më e rëndësishmja nuk është një shifër totale prej 13 për qind. Për ne, më kryesorja është që vlerësojmë se është arritur niveli i pikut. Për rrjedhojë, vlerësojmë që shëndeti i bilanceve jep mundësi për alternativa pozitive.

Për sa i përket pyetjes së dytë, jam prononcuar dhe javën e kaluar pas ardhjes nga vizita e përvitshme në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ku ekonomia shqiptare u vlerësua me nota mjaft pozitive, madje notat më pozitive gjatë gjithë kohës së marrëdhënieve që ne kemi pasur me FMN. Për këtë arsye, do të thoja që kjo është koha më e mirë e zgjedhur për të dalë me eurobondin. Lidhur me eurobondin, jam shprehur edhe më parë se opinioni im është padiskutim pozitiv dhe në nxitje të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare. Kështu që mendoj së është zgjedhur koha më e mirë për të. E këshillueshme është që gjatë kësaj jave ku ne jemi në treg për eurobondin të krijojmë qetësinë e nevojshme, në mënyrë që eurobondi të realizohet sipas kushteve dhe standardeve ndërkombëtare.

Lidhur me pyetjen e tretë, siç u vërtetua dhe në material Banka e Shqipërisë ka dhënë stimujt përkatës për nxitjen e kreditimit. Kjo nuk ka mbetur vetëm me këshillimet, por njëkohësisht dhe më një sërë masash rregullative të Bankës së Shqipërisë për të nxitur kreditimin para, gjatë dhe mbas krizës. Njëkohësisht, duke parë periudhën specifike ku ndodhet ekonomia botërore, ku dhe vendet më të zhvilluara në ekonominë botërore kanë probleme me rimarrjen e kreditimit dhe kalimin e stimulit fiskal dhe të gjithë stimujve të tjerë direkt në qelizat bazë të ekonomisë, mendojmë që në rastin tonë është e rëndësishme dhënia e stimujve përkatës për një nxitje të kreditimit të qëndrueshëm. Banka e Shqipërisë po vlerëson balancat midis IFRS dhe provigjonimit në mënyrë që të krijojë lehtësi përkatëse për zgjerimin e kreditimit në Shqipëri.

Pyetje -A japin zhvillimet e fundit pozitive shpresë për një rikthim të rritjes ekonomike në nivelin para krize apo duhet ta konsiderojmë 6 për qindëshin çështje të së shkuarës?

Guvernatori – Mendoj që nuk do të ishte e përshtatshme që në këto kushte të jepej një shifër nga Banka e Shqipërisë. Ajo që ne mendojmë është se hendeku midis potencialit të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik ka ardhur duke u ngushtuar dhe mendojmë që për vitin 2011 do të kemi një ngushtim të mëtejshëm të këtij hendeku.