Kartëmonedhat krahinore

 

Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 1912, vendi vazhdoi të ndiqte sistemin monetar të Perandorisë Osmane, i adoptuar që prej vitit 1844. Monedha bazë e qarkullimit mbeti Lira Osmane Ari, e cila vlerësohej me 100 grosh argjend. Kjo erdhi si pasojë natyrale e fondeve monetare që ruheshin në qarkullim pas shpalljes së Pavarsisë dhe depozitave të zotëruara prej popullit. Zhvillimet politike dhe ekonomike gjatë Luftës I Parë Botërore dhe okupacioneve të huaja, u bënë përcaktuese për qarkullimin edhe të monedhave të tjera. Përshkrimit të situatës të qarkullimit monetar të Shqipërisë së viteve 1912-1926 do t’i përshtatej më së miri krahasimi metaforik biblik i kullës së Babelit. Krahas monedhave osmane të arit dhe argjendit, koha e qarkullimit ligjor të të cilave paramendohej të zgjaste deri me emetimin e monedhës kombëtare, në Shqipëri kanë qarkulluar lirisht të gjitha monedhat e arit dhe kartëmonedhat amerikane, franceze, italiane dhe greke.

Po ashtu edhe të gjitha monedhat metalike prej argjendi, të cilat, para Luftës I Botërore, kishin vlerë monetare prej 5, 2, 1 dhe ½ franga ari të shteteve të ndryshme të huaja. Në gjuhën popullore, këto monedha u njohën si "Korona Sermi" dhe ndonëse ishin të zhvlerësuara prej vlerës monetare përkatese, ushqenin një besim të patundur në popull. Si rrjedhojë e mungeses së një kursi bazë këmbimi, e gjithë kjo babiloni monedhash regjistrohej zyrtarisht në të ardhurat dhe shpenzimet e shtetit. Në vitin 1920, me fillimin e organizimit te brendshëm të Shtetit Shqiptar dhe përpunimin e elementeve kryesore të kushtetutës, e cila projektonte institucione të pavarura prej ndërhyrjes së huaj, u ndërmorën masat e para për rregullimin e situatës monetare të vendit. Me vendimin e Këshillit te Ministrave nr. 273, datë 6 maj 1920, u vendos për herë të parë nxjerrja e të ardhurave shtetërore në bazën e frangut ar.

Një tjetër vështirësi jo e vogël ishte mungesa e monedhës divizionare, e cila, në vitet 1920-1921, kushtëzoi shtypjen e të ashtuquajturave kartemonedha regjonale, kartemonedha të shtypura dhe të garantuara prej bashkive të disa qyteteve të vendit. Ato kishin vlerë të ulët dhe shërbyen kryesisht për përballimin e shkëmbimit lokal, vetëm brenda juridiksionit përkatës të tyre. Kjo masë e bashkive nuk u zyrtarizua deri më 1923, kur Qeveria, me një ligj të datës 16.1.1923, përcaktoi nxjerrjen e kartëmonedhës krahinore deri në 80.000 franga ari.

1920 1921

1920 1921 2

1920 1921 3

1920 1921 4

1920 1921 5

1920 1921 6

* Kolazh me kartëmonedha krahinore, emetuar prej Bashkive të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, në vitet 1921-1926.