Banka e Shqipërisë në pak fjalë

Banka e Shqipërisë është banka qendrore e shtetit shqiptar. Objektivi kryesor i aktivitetit të saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, duke kontribuar kështu, në zhvillimin ekonomik, e si rrjedhim, në mirëqenien e vendit. Për arritjen e këtij objektivi, Banka e Shqipërisë harton dhe zbaton politikën monetare, regjimin e këmbimit valutor dhe politikën e kursit të këmbimit të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, ajo kryen edhe një sërë funksionesh mbështetëse të cilat janë:

  • Emetimi i parasë. Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive për emetimin e kartëmonedhës dhe të monedhës kombëtare me kurs ligjor dhe furnizimin e rregullt të ekonomisë me para brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.  
  • Politika monetare. Banka e Shqipërisë harton, miraton dhe zbaton politikën monetare të vendit, për realizimin e objektivave të së cilës ajo përdor instrumentet e duhura monetare.
  • Stabiliteti financiar. Banka e Shqipërisë ka përgjegjësinë të garantojë që sistemi bankar në veçanti dhe ai financiar në përgjithësi, të jetë i qëndrueshëm dhe eficient.
  • Këmbimi valutor. Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për hartimin, miratimin dhe zbatimin e regjimit të këmbimit valutor, si dhe të politikës së kursit të këmbimit në Republikën e Shqipërisë. 
  • Mbikëqyrja. Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive të licencojë ose revokojë licencën për ushtrimin e veprimtarisë bankare, si dhe rregullon e mbikëqyr bankat tregtare që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri. 
  • Rezerva valutore. Banka e Shqipërisë mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë.  
  • Agjent fiskal dhe këshilltar i qeverisë. Një tjetër funksion i Bankës së Shqipërisë është që të veprojë në cilësinë e bankierit, të këshilltarit dhe të agjentit fiskal për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
  • Sistemet e pagesave. Një nga detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë është të nxisë dhe të garantojë funksionimin normal të sistemit kombëtar të pagesave. 
  • StatistikatStatistikat zyrtare zënë një vend të veçantë në ekonominë shqiptare, pasi ato ndikojnë në rritjen e cilësisë së analizave dhe në marrjen e vendimeve sa më realiste.

Filmi "Banka e Shqipërisë: Roli dhe funksionet"