Koleksione

Muzeu i Bankës së Shqipërisë përmban një koleksion të pasur, si thesare, monedha dhe kartëmonedha, çeqe, obligacione, letra me vlerë, bono lekë, medaljone, si dhe objekte etnografike, pjesë të trashëgimisë sonë kulturore.

Artefakte dhe forma alternative të parasë

Artefakte dhe forma alternative të parasë
Muzeu ekspozon objekte unikale dhe artefakte të ndryshme, që pasqyrojnë evoluimin ndër shekuj të parasë, që nga forma e saj më e hershme deri te ajo e ditëve tona, forma e saj dixhitale. Ndër to përmendim disa ekzemplarë sëpatash nga Thesari i Torovicës të shek. X p.e.s., që dëshmojnë këmbimin paramonetar në territoret historike të vendit tonë, si dhe disa objekte arkeologjike që ilustrojnë periudhat e prezantuara.

Koleksioni etnografik

Koleksioni etnografik
Koleksioni etnografik i Bankës së Shqipërisë, një pjesë e të cilit paraqitet në ekspozitën e përkohshme të Muzeut, përbëhet nga objekte argjendi të kulturës etnografike, stoli personale dhe objekte të besimit fetar. Larmia e objekteve të ekspozuara është dëshmi e nivelit ekonomik e kulturor të shtresave të ndryshme shoqërore në Shqipëri, si dhe e jetës së popullit shqiptar në periudhën mes shekullit XVIII deri në fillim të shek. XX.

Koleksioni i kartëmonedhave

Koleksioni i kartëmonedhave
Muzeu i Bankës së Shqipërisë përmban një koleksion të pasur të kartëmonedhave shqiptare që janë prerë dhe përdorur në vendin tonë. Ky koleksion përfshin kartëmonedhat e para krahinore shqiptare, kartëmonedha të emetuara nga Banka Kombëtare e Shqipnis, Banka e Shtetit Shqiptar dhe Banka e Shqipërisë, prova dhe specimene.

Koleksioni i monedhave

Koleksioni i monedhave
Muzeu i Bankës së Shqipërisë përmban një koleksion të pasur monedhash të periudhave të ndryshme, që janë prerë në territoret historike të vendit, por edhe që kanë qarkulluar në këto vise, nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Pjesë e ekspozimit janë edhe monedhat përkujtimore, të emetuara nga Banka Qendrore për të përkujtuar momente apo personazhe të historisë dhe të identitetit tonë kombëtar.

Skica dhe elemente shtypi

Skica dhe elemente shtypi
Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka të ekspozuara në vitrinat e tij elemente shtypi të monedhave dhe kartëmonedhave, skica, klishe, si dhe realizime grafike në letër të kartëmonedhave të qarkullimit.