Aktivitete të Muzeut të Bankës së Shqipërisë

Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka funksionuar si hapësirë për shpërndarjen e njohurive jo vetëm numizmatike e historike, por edhe financiare tek vizitorët e tij. Këtë funksion, ajo e ka kryer përmes, aktiviteteve të ndryshme, si ekspozita të përkohshme, aktivitete dhe botime edukative, materiale audio-vizuale të përgatitura dhe të shfaqura në hapësirat e brendshme të saj. Gjithashtu, Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar leksione dhe prezantime për grupe të nxënësve, studentëve apo dashamirës dhe të apasionuar pas financave dhe ekonomisë, historisë dhe numizmatikës shqiptare.

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, organizoi ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

Kjo ekspozitë u çel më datë 10 qershor 2018 - datë kjo që përkon me përvjetorin e 140 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit - në ambientet e Ndërtesës së Lidhjes në qytetin e Prizrenit.

49810-06-2018-ZKM-2

 

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, si dhe një sërë personalitetesh të rëndësishme shqiptare dhe kosovare.

Ekspozita e përkohshme ''Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare'' u çel për herë të parë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, në Tiranë, më 17 janar 2018.

498IMG 7364

Koleksioni i përzgjedhur nga Banka e Shqipërisë për këtë ekspozitë prezanton monedha dhe kartëmonedha shqiptare të viteve 1921-1996, të cilat paraqesin Heroin Kombëtar dhe simbole të lidhura me të, elemente shtypi të këtyre prerjeve, si dhe monedha përkujtimore që përkujtojnë ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit dhe Shpallja e Pavarësisë.

49810-06-2018-ZKM-3

Ekspozita shoqërohet edhe me një kënd edukativ ku publiku i grup-moshave të ndryshme mund të njihet me funksionet e bankave qendrore të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tematika të tjera të edukimit financiar.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor 2018.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Muzeu i Bankës së Shqipërisë qëndroi i hapur në datën 18 maj, nga ora 9:00 deri në 20:00.

Vizitorë të shumtë u njohën me koleksionin numizmatik, si dhe mësuan më shumë mbi historinë e bankës dhe financave, vlerën dhe rolin e parasë. Gjithashtu, në katin e dytë të Muzeut, vizitorët u njohën me ekspozitën e përkohshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”. Për më shumë, shikoni fotot: 

 

 

Më datë 20 shtator 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua Konferenca e Dytë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë “Roli i parasë gjatë luftërave”.

Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës historianë, akademikë, numizmatë, arkeologë të vendit dhe të huaj, studiues të historisë monetare e ekonomike, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve të tyre.

Konferenca II e Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

 DSC0275-2 - 498

Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko falënderoi të pranishmit, duke theksuar se kjo konferencë është një prej zhvillimeve më të rëndësishme të këtij Muzeu. Guvernatori shtoi se Muzeu i Bankës ndihmon për të pasuruar dhe vijuar studimin e koleksioneve të ekspozuara në të, por gjithashtu u shërben studiuesve vendas si një platformë diskutimi për punën e tyre kërkimore.

Më tej, Guvernatori vijoi se Banka e Shqipërisë, si institucion që ruan dhe promovon një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit, siç është monedha, ndjen privilegjin dhe detyrimin për të punuar dhe bashkëpunuar që Muzeu i Bankës të mos jetë vetëm një ekspozim koleksionesh të rralla, por një vend ku publiku të gjejë literaturën dhe ekspertizën e duhur për të njohur historinë ekonomike dhe monetare, si dhe për të marrë edukatën financiare, aq të nevojshme për vendin tonë. 

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se këto momente të rëndësishme për historinë ekonomike dhe monetare të Shqipërisë, por edhe më gjerë, do të jenë objekt diskutimi në konferencën e sotme. 

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, mbajti fjalën hapëse të konferencës, në të cilën nënvizoi se ky aktivitet plotëson koleksionin e pasur të Muzeut me kontekstin historik dhe të vendit qe i ka prerë këto monedha, kontribuon në rolin historik dhe edukativ të Muzeut. Ajo shtoi se ky takim përfaqëson një mundësi shumë të mirë për të shkëmbyer eksperienca me përfaqësues të institucioneve kryesore të kulturës në vend, të muzeve të bankave homologe dhe të institucioneve të huaja të fushës.

 DSC0241-2 - 498

Zëvendësguvernatore Gjoni u shpreh se konferenca e këtij viti, e Muzeut të Bankës së Shqipërisë adreson marrëdhënien e ndërsjellë, të komplikuar dhe shumëdimensionale midis parasë dhe luftës. Luftërat kanë ndikuar ekonominë dhe zhvillimin e njerëzimit që në agimin e qytetërimit e deri në ditët e sotme.

Në përfundim, zj. Gjoni shpjegoi se kjo konferencë synon të tregojë se si ndryshimet rrënjësore që luftërat kanë sjellë në sistemet politike dhe aleancat apo ndasitë mes shteteve, kanë ndikuar edhe në zhvillimet monetare. “Historia na tregon se periudhat e konflikteve apo luftërave janë veçanërisht të lidhura me ndryshimet rrënjësore në sistemet dhe politikat monetare.” – përfundoi Zëvendësguvernatore Gjoni.

I ftuar i veçantë në këtë konferencë ishte Prof. Olivier Picard, ish-Drejtor i Shkollës Arkeologjike Franceze në Athinë, Profesor në Universitetin e Sorbonës, Anëtar i "Académie des Inscriptions et Belles - Lettres" (Instituti i Francës), i cili trajtoi temën me interes të veçantë për vendin tonë “Prodhimi i monedhave ilire në periudha luftërash”.

 DSC0446 - Copy-Pano

Data 7 maj 2018, shënoi mbylljen e suksesshme të seminarit njëjavor “Monedhat antike që nga shfaqja e tyre (fillimi i shek. VII p.e.s.) deri në fundin e Perandorisë Romake (fundi i shek. V e.s.)”, me lektore Dr. Albana Meta, numizmate pranë Institutit të Arkeologjisë.

Në këtë seminar të organizuar nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë, morën pjesë rreth 30 persona, përfshirë studiues, koleksionistë dhe studentë të Universitetit të Tiranës. Seminari, i ideuar për fillestarët në degën e numizmatikës, i pajisi pjesëmarrësit me njohuri të përgjithshme mbi botën paramonetare, ekonominë antike, monedhat e qyteteve ilire, monedhat perandorake romake dhe perandorake republikane. Në ditën e fundit të seminarit, pjesëmarrësit u prezantuan edhe me ushtrime praktike mbi mënyrën se si studiohen vulat, si ndërtohet një korpus monetar, si studiohen, datohen, restaurohen dhe konservohen monedhat antike. 

Në përfundim të seminarit, pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje. 

Programi i seminarit

Më 17 prill, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, mbajti leksionin e radhës të ciklit Netët e Muzeut, me temë “Marrëdhëniet financiare të Ali Pashë Tepelenës”.

Ali Pashë Tepelena përfaqëson pa dyshim një nga personalitetet më karizmatike të epokës së vet pasi jo vetëm qëndroi në pushtet për 30 vjet, por u bë aktor dhe faktor i shumë zhvillimeve panevropiane. Një aspekt pak i studiuar i epokës së tij janë marrëdhëniet financiare të Pashallëkut të Janinës në raport me Perandorinë Osmane, Venecian, Francën, Anglinë dhe Rusinë. Në leksion do të trajtohen çështje të tilla si burimet e të ardhurave dhe sistemi financiar në Perandorinë Osmane, burimet e të ardhurave në Pashallëkun e Janinës, taksat dhe tatimet e aplikuara e regjimi juridik i tokës si burim i të ardhurave. Studimi i marrëdhënieve financiare të Pashallëkut të Janinës hedh dritë edhe në kontekstin historik të epokës së tij, si një nga etapat kalimtare të historisë së afërme tonë dhe që pati ndikime të rëndësishme gjeopolitike më vonë në shtetin e porsaformuar grek dhe në territoret shqiptare.

 

Në datën 2 mars 2018, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi leksionin e radhës së ciklit “Netët e Muzeut”, me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”. Ky leksion u mbajt nga mjeku dhe filatelisti Prof. Dr. Jovan Basho.

Gjatë leksionit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”, Prof. dr. Basho prezantoi në mënyrë të detajuar emisionet e koleksionit filatelik shqiptar të lidhura me figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, duke evidentuar kronologjikisht dhe ilustruar me pamje disa nga emisionet filatelike më interesante për Skënderbeun gjatë viteve 1913-2005.  Pjesë interesante e prezantimit ishin edhe disa kuriozitete lidhur me emetime të pullave postare të rralla, të kartëpostaleve me rëndësi historike, si dhe të gabimeve në emetime që i bëjnë pullat edhe më të kërkuara për filatelistët. Në përfundim të leksionit, dëgjuesit shijuan një ekspozitë të ndërtuar nga koleksioni i z. Basho me tematikë “Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në emisionet postare të viteve 1913-1918”.

 

Më 17 janar 2018, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, çeli ekspozitën e përkohshme "Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare".

Kjo ekspozitë u hap në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, vit i cili do të kremtojë veprën e heroit deri më 28 Nëntor 2018.

1917 3 3

1917 3 4

Muzeu i Bankës së Shqipërisë ia kushton ekspozitën figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut të shprehur në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare, prej vitit 1921 deri në vitin 1996 si dhe elemente të ndryshme të shtypit të këtyre prerjeve.

Ndër të tjera, kjo ekspozitë synon të sjellë në kujtesën e publikut, se ashtu si gjatë Rilindjes Kombëtare, edhe në ditët tona, figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeut është personaliteti më i hasur në monedhën kombëtare gjatë rrugëtimit të saj thuajse 100-vjeçar.

1917 3 3

1917 3 4

Banka e Shqipërisë përmes një ftese të hapur në rrjetet sociale hapi dyert e muzeut të saj dhe mirëpriti përfaqësues të medias, sistemit bankar, edukimit, artit dhe kulturës, si dhe të apasionuar pas numizmatikës, koleksionistë etj.

Kjo ekspozitë e përkohshme do të qëndrojë e hapur edhe gjatë muajve në vazhdim, ku vizitorët do të kenë mundësi të shohin dhe ekspozitën e përhershme të Muzeut të Bankës së Shqipërisë i cili synon të kthehet në një qendër edukimi të historisë monetare e financiare të vendit që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.

img3

Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizon për herë të parë një cikël leksionesh të quajtura "Netët e Muzeut". Ky aktivitet ka si qëllim informimin e publikut të gjerë përmes leksioneve të mbajtura nga historianë, arkeologë, numizmatë, si edhe ekspertë të tjerë të fushës, mbi tematika të numizmatikës, historisë bankare, ekonomike dhe edukimit financiar.

Më 20 nëntor 2017, Muzeu i Bankës së Shqipërisë zhvilloi leksionin e dytë të ciklit "Netët e Muzeut", të mbajtur nga Prof. Dr. Nevila Nika, UET, me temë "Arkivi: Banka e kujtesës". Në leksionin e saj, zj. Nika prezantoi rëndësinë dhe rolin që luajnë arkivat në zhvillimin e shoqërive në përgjithësi, duke u ndalur në misionin dhe funksionet e arkivit qendror të shtetit shqiptar, si autoriteti më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar. Lektorja prezantoi edhe rolin e arkivave si instrumente për ruajtjen dhe ekspozimin e objekteve me vlera të veçanta duke marrë si shembull rastin e ngritjes së Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë çeli ciklin me leksione "Netët e Muzeut" me një leksion nga z. Artan Lame
Më 30 tetor 2017, në 2-vjetorin e çeljes së Muzeut të Bankës së Shqipërisë-së (2015), i cili përkoi edhe me përvjetorin e 79-të të inaugurimit të ndërtesës së Bankës Kombëtare të Shqipnis (1938), Banka e Shqipërisë çeli ciklin me leksione "Netët e Muzeut". 

Leksionin e parë të këtij cikli e mbajti z. Artan Lame, koleksionist dhe njohës i shquar i numizmatikës dhe medalistikës shqiptare e osmane, si dhe studiues i historisë shqiptare e veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Z. Lame në leksionin e tij trajtoi çështjet e monedhës osmane, që prej lindjes së saj në shek. XIV deri në Reformat e Tanzimatit në shek. XIX, karakteristikat dhe llojet e monedhave të qarkulluara në trojet shqiptare. Leksioni u ndal edhe në qarkullimin e monedhave evropiane, të përdorura në trojet shqiptare para dhe gjatë përdorimit të monedhës osmane. 

Në datat 14-15 qershor 2017, u mbajt Konferenca e Parë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë "Paraja dhe bankingu në Shqipëri, nga antikiteti në ditët tona". Dita e parë e Konferencës mblodhi së bashku historianë, akademikë, numizmatë, arkeologë e studiues të historisë monetare e ekonomike, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve të tyre në fushën e prodhimit dhe qarkullimit monetar, historisë ekonomike dhe zhvillimit të bankingut në vendin tonë, nga antikiteti e deri në ditët tona. Ndërsa dita e dytë, iu dedikua rolit edukues të muzeve të bankave qendrore në njohjen e historisë së parasë, bankingut dhe rritjes së kulturës financiare përmes ekspozitave, edukimit dhe inovacionit. 

Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi ekspozitën "Emetimet e Krahinës Autonome të Korçës 1917-1918", në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë, në datat 9-10 dhjetor 2016.
Në këtë ekspozitë, u prezantua koleksioni i plotë i kartëmonedhave lokale të emetuara nga Krahina Autonome e Korçës në vitet 1917 dhe 1918, të shoqëruara me ilustrime fotografike dhe grafike, të cilat pasqyrojnë kontekstin historik, ekonomik dhe numizmatik të kohës.

Në datën 18 maj 2017, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi aktivitetin me temë "Kuriozitete nga Thesari: Arti i kartëmonedhës shqiptare", në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve. Çdo vit, në këtë ditë, kremtohet përmes muzeve kudo në botë një tematikë e caktuar në përmbushje të qëllimit të përbashkët, atë të promovimit të historisë dhe kulturës kombëtare. Për vitin 2017, tema e zgjedhur ishte "Muzetë dhe historitë e diskutueshme: Të shprehësh të pathënat në muze". Diskutimi mbi të pathënat e kartëmonedhës shqiptare ishte pjesë e këtij diskutimi.

Pas 77 vjetësh, më 30 tetor 2015, Banka e Shqipërisë organizoi Ceremoninë e Inaugurimit të Ndërtesës së saj të Rikonstruktuar dhe hapjen për herë të parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë. 

Muzeu i Bankës së Shqipërisë shtrihet në dy kate, ku secili prej tyre është konceptuar si një hapësirë e pavarur nga tjetri. Në katin e parë, në një trajektore ekspozitorësh që arrin kulmin në Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe Rondo, prezantohet koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë nga lashtësia deri në ditët e sotme. Ndërkohë në katin e dytë të Muzeut prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet kushtetuese. Me një fokus të veçantë për edukimin e publikut, ky Muze vjen i pajisur me hapësira të dedikuara për orë mësimore, leksione dhe aktivitete të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës si dhe një qendër të përhershme informacioni, ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e Bankës Qendrore.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu